Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PARADOKSET E NJË RREGULLI ABSURD

PJEROI
Nga Erion DASHO –
Ka patur një shkëmbim kallëzimesh penale midis një kryetari bashkie dhe një ekipi policësh. Objekti ishte përplasja kur policët mundoheshin të zbatonin urdhërin absurd të nevojës për të mbyllur muzikën e një hoteli pas orës 22.00, ndërkohë që kryetari i bashkisë e kundërshtonte zbatimin e këtij urdhëri.
Të gjithë mbajnë mend urdhërat absurde të dhëna gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Zyrtarisht ato ju veshën komitetit të ekspertëve, të cilët në barrën e gjithë dështimeve të tjera morrën përsipër edhe këtë kusur të fundit.
Në fakt, publiku pothuajse është i bindur se urdhërat bizarrë kanë mbajtur vulën herë të hapur dhe herë të fshehur të tekave dhe kapriçove të vetë kryeministrit Rama.
Aktualisht, nuk dihet për çfarë arsye të çuditshme (të cilat mund t’i shpjegojë vetëm një mendje që nuk mendon normalisht) vazhdon të injorohet fakti që shqiptarët kanë arritur imunitetin e grupit dhe nuk zbatojnë pothuajse asnjë masë lidhur me parandalimin e COVID-it (për pjesën më të madhe të të cilave nuk ka as nevojë të zbatohen).
Ndërkohë, me kokëfortësi vazhdon të zbatohet e quajtura orë policore dhe oraret e ndalimit të muzikës.
Pa hyrë në “gjynahet” respektive të kryetarit të bashkisë dhe policëve, barra më e rëndë bie mbi rregullat dhe urdhërat absurdë që ende kanë mbetur, sikundër litari i mbetur jashtë varrit në tregimin tashmë të famshëm popullor.
Koha për t’i hequr këto barriera të kota ka kaluar prej kohësh! Sa më parë, aq më mirë…

Related Posts

Leave a comment