Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Eksodet dhe Republikat tona

sebastian zonja

Nga Sebastian ZONJA –

 

Këtë 2 korrik përkujtohen dy ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar: Shpallja e Kosovës Republikë dhe Eksodi i shqiptarëve të Shqipërisë nga sistemi diktatorial. Në të dyja anët e kufirit, e njëjta ndërmarrje, Sigurimi i Shtetit dhe UDB-ja, ja kishin bërë të pamundur shqiptarëve jetesën në trojet e tyre. Me tendencën për kolonizim të Kosovës dhe thithje të valutës së huaj, pushteti jugosllav e stimuloi më shumë largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria bënte inxhinjering social për të krijuar “Njeriun e ri”. Të dyja projektet dështuan tragjikisht, ai i Jugosllavisë dhe ky i Shqipërisë komuniste. Sot, kur i kthehemi historisë së shekullit të fundit vërejmë se ka projekte të mirëmenduara për të zhvendosur shqiptarët nga trojet e tyre.

Mjaft të sjellim në vëmendje genocidin ndaj çamëve, që spastroi krejt shqiptarët dhe etnitë e tjera nga pjesa e poshtme në Janinë dhe genocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë, që kërkonte shpërnguljen e tyre. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe makinerinë genocidale të ngritur nga diktatura, që përkundrejt vrasjeve, ajo bëri një inxhinjering social për ta zhveshur shqiptarin nga përkatësia kombëtare, sepse identifikimi me Partinë ishte më i rëndësishëm se identifikimi me shqiptarinë.
Por ikjet masive nuk përfudojnë me kaq.

Edhe pse në Shqipëri u themelua pas viteve ’90 një allasoj pluralizëm politik, paradoksi është i këtillë:
Kapitali masiv i parave të korrupsionit, ai i koncesioneve të rëndësishme të telekomunikacionit apo burimeve natyrore, del jashtë, por kërkohet që qytetarët të jetojnë në Shqipëri me rroga mizerabël. Si mund të zgjidhet ky problem në një sistem të ashtuquajtur kapitalist, ku qytetari rend pas një jete ku fiton diçka më shumë për të jetuar më mirë dhe ti s’ja jep, por i kërkon që të tregohet atdhetar. Ngjajmë si bujkrobërit e disa familjeve çifligare në këtë vend. Trualli në bregdet grabitet për ditën me diell, por e rëndësishme është ndërmarrja e reformave me bekimin e ndërkombëtarëve, dhe po me ribekimin e tyre, ndërmerren po të njëjtat reforma. Në krahun tjetër, sistemi arsimor ka probleme të rënda, ndërsa politikanët kanë ambasadat e huaja për Qabe, jo qytetarin që i zgjodhi. Çdo verë Institutet e Ndërtimit kthehen në Institute të Shkatërrimit sepse fillojnë shembjet nga Velipoja në Ksamil sapo nis sezoni, kjo që turistët të ikin turravrap për në Mal të Zi e Greqi.

Sërish, po me ato mënyrat e tyre, dinë të thonë se fajet i ka populli për çfarë ndodh, dhe po në të njëjtën fjali kaq pompoze, këta intelektualë të thonë se në Shqipëri nuk ka qarkullim elitash dhe se udhëhiqemi nga një grusht personash. Unë nuk besoj se “intelektualët” tanë të jenë kaq skizofrenë sa të kenë kundërthënie kaq të fortë brenda së njëjtës fjali, por di të them se s’para më ka rastisur të lexoj për popull tjetër kaq të tradhëtuar nga intelektulët dhe pushtetarët e vet. Tragjizmi është më i thellë, se kaq jetim janë shqiptarët, sa shohin me shpresë kah Amerika e Gjermania, e jo nga elita e vet, se s’kanë pikë shprese se diçka ndryshon kur sa më i madh është krimi, aq më e gjerë është heshtja e “elitës” përpara kësaj gjëme.

Rifinitura e sistemit

Përpara disa ditësh, e bija e një ish-Kryeministri në vendin tonë mori postin e zv\ministres. Po aq sa ajo e meriton atë pozicion për shkak të shkollimit apo eksperiencës, po aq kjo tregon edhe rrënimin e sistemit të meritokracisë në vend. Pabarazia e mundësive është kthyer në problem të rëndë shoqëror. Me paratë e korrupsionit shumë zyrtarë të lartë i dërguan fëmijët e tyre nëpër shkollat më të mira në Perëndim. Disa shkuan sa për të marrë një karton, e shumë prej tyre janë studentë të shkëlqyer. Ndërsa ata kthehen në Shqipëri, për ata rezervohen pozicionet më të mira në administratë. Babi apo mami janë ata që kujdesen për të ardhmen e ndritur të vajzës dhe djalit, sepse do ta mjelim si lopë, familjarisht, këtë vend. Njësoj si kasta në kohën e komunizmit që shkollohej jashtë, po e njëjta kastë edhe sot. Për më tepër, edhe nëse kërkon të bësh biznes e ke të pamundur, sepse çuni apo vajza e babit ka përparësi në biznes, sepse babi me mamin njohin doganierët që ti të fusesh mall pa doganë dhe fitimi jot të jetë me i madh e ta falimentosh konkurentin.

Pa konkurencë të ndershme, pa meritokraci, pa dinjitet… çfarë mund të presësh që do të ndodhë?

Leave a comment