Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Teatrot hapen për publikun, artistët: 15 muaj që rrimë pushim, duhet marrë seriozisht ristrukturimi i jetës artistike

-800-0-60dea8df2cc69

Nga Jeta artistike në institucionet tona të artit dhe kulturës kaloi një periudhe të gjatë mbyllje nga pandemia, dhe munguan aktivitetet në skena. Por artistët kanë nisur provat për të sjellë dhe shfaqjet e para në sezonin artistik pas një periudhe të gjatë pa aktivitete. Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi, që prej 1 korrikut të lejojë publikun në teatro, me kushtin duke përdorur vetëm 30 për qind të kapaciteteve. Në Tiranë, por dhe në rrethe edhe pse jemi në ditët e verës, artistët në disa institucione kanë nisur punën për veprat e ndryshme. Por ata shprehen se tashmë është koha që të ketë dhe një organizim më të mirë dhe nga Ministria e Kulturës, që duhet të bashkëpunojë me institucionet e artit, për të pasur aktivitete të larmishme, që mund të shfaqen dhe në zonat bregdetare, etj.

Artisti i njohur Pavli Sallata “Mjeshtër i Madh” shprehet se është koha që institucionet në vend të bëjnë punën e tyre si duhet. “Tradicionalisht në këtë periudhë institucionet mbyllen se dhe vapë dhe nuk ka shikueshmëri, por them që do të ketë dyndje turistësh, pasi është një anë pozitive që dhe me covid ne dolëm zonë e bardhë, kjo është gjë e madhe. Por institucionet shtetërore duhet të bëjnë punën e tyre. Unë mendoj që tani duhet të mbushet vendi me aktivitete. Por do patjetër që të fillojnë me plan pune institucionet, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Kjo duhej bërë që në qershor, por nuk është vonë”, thotë ai.

Aktivitetet të jenë të larmishme

Për artistin e njohur Pavli Sallata, aktivitetet artistike duhet të jenë të larmishme dhe jo vetëm në Tiranë, por dhe më gjerë. Mjeshtri i cirkut shprehet se edhe institucionet në Tiranë mund të jenë në qytete të tjera me aktivitetet e tyre. “Tani ka një moment që patjetër duhet të shfaqet arti dhe në plazhe dhe qendra të qyteteve të tjera, dhe patjetër të kenë një plan pune që brenda këtij muaji do bëhen x aktivitete. Teatri i Kukullave, Cirku apo Teatri Kombëtar i kanë mundësitë tani, por dhe TKOB që ka dhe Ansamblin me artistët shumë të mirë të japin shfaqje veçanërisht të organizuara”, tregon mjeshtri i cirkut. Në teatrin e Vlorës “Petro Marko” kanë nisur provat për një shfaqje të re teatrore.

Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj thotë se pas 15 muajsh që ishin mbyllur institucionet pa aktivitete, tani është koha që të kemi një ristrukturim të jetës artistike në vend. “15 muaj që ne rrimë pushim, ose paralizë që pësoi teatri kudo në botë. Ne duhet të fillojmë të marrim seriozisht ristrukturimin e jetës artistike, të teatrit të mbyllur 15 muaj dhe të lënë pa jetë. Një godinë e braktisur për 15 muaj. Ka nevojë e domosdoshme të trajtohet me dashuri, të çpluhuroset dhe të investohet në të”, thotë regjisorja. Sipas saj artistët i ka marrë malli për të qenë në skenë. “Ne do ta fillojmë që nga çpluhurosja e teatrit duke menduar, që 15 muaj ka mbetur e mbyllur e frenuar detyrimisht nis që nga shpluhuroja e gjithçkaje, dhe kjo ç’pluhurosje në kuptimin metaforik kupton dhe në jetën artistike”, pohon aktorja. Në kohën që ishin mbyllur disa institucione vijuan me program artistik online.

Leave a comment