Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Lidhja me “Lanin”/ Dëshmitë e të penduarve ‘fundosën’ prokurorin Sota (Detajet nga hetimi)

Maksim-Sota

Në një dosje që përmban më shumë se 130 faqe, evidentohet përgjegjësia penale e Maksim Sotës, ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, që dyshohet nga prokuroria SPAK, për “Shpërdorim detyre”.

Në material thuhet se:”…nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Drolli dhe Mariglen Shusha (të cilat konvergjojnë dhe janë në harmoni mes tyre), të cilat përputhen edhe me veprimet hetimore të kryera, rezulton se drejtuesi i grupit kriminal shqiptar, Ilirjan Zaimi alias Duçellari ose (Lani), kishte lidhje me prokurorin Maksim Sota.

Madje Zaimi alias Duçellari, i kishte siguruar një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante vetë dhe në atë shtëpi, kishte qëndruar dhe prokurori, Maksim Sota dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha.

Bashkëpunëtori i drejtësisë Donial Drolli, ka deklaruar se prokurori Maksimi, kishte dijeni se Ilirjan Zaimi alias Duçellari ushtronte aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve…”.Por prokurori Sota ka pohuar se nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me deklarimet e dy personave që janë arrestuar në Itali.

Nisur nga këto të dhëna, pra vetëm duke marrë si shkak thëniet e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Gjykata e Posaçme SPAK ka vlerësuar se nisur nga detyra që kryente Sota – prokuror në rrethin e Vlorës në periudhën respective – me mbajtjen e lidhjeve të sipërcituara me të hetuarin Zaimi dyshohet se kanë krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë, vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale.

Në vlerësimin e kësaj gjykate, janë indicie të rëndësishme, që krijojnë dyshim të arsyeshëm se si ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

/Ora News/

Leave a comment