Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kthimi i sinergjisë së SHBA-së dhe BE-së në Ballkan

58138212_303

Lidhjet transatlantike dhe kthimi i sinergjisë mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor temë qendore e konferencës ndërkombëtare “Forumi i Prespës për Dialog”…

Nga Fatos MUSLIU –

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidentët e Malit të Zi dhe të Sllovenisë, Milo Gjukanoviq dhe Borut Pahor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq dhe ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë Filip Riker (Philip Reeker) dhe komisionari i BE-së Johannes Hahn janë disa prej pjesëmarrësve të konferencës së Ohrit.

Riker: Liderët e Ballkanit janë të pjekur për sfida

Bashkësia ndërkombëtare e njeh progresin e rëndësishëm që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe guximin që të arrihen këto zgjidhje. Edhe shumë punë ngelet për t’u bërë dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian është fillim i procesit, i cili do të imponojë përkushtimin e mëtejmë, ka deklaruar në Ohër ndihmëssekretari i shtetit i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker.

Nord-Mazedonien Prespa Forum Dialogue Ndihmësisekretari i shtetit i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker

“SHBA-ja është e bindur se Maqedonia e Veriut mundet dhe do t’i bëjë hapat e domosdoshëm siç është vazhdimi i reformave, përforcimi i qeverisjes të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, rritja e transparencës që të garantojë të ardhme më prosperuese për qytetarët e saj si edhe përforcimin e stabilitetit në rajon. SHBA-ja mbetet e përkushtuar dhe është pjesë e këtij rajoni dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush”, ka theksuar Riker.

Ai vlerësoi se Marrëveshja e Prespës kërkoi guxim të madh diplomatik dhe vendosi standardet për pjesën tjetër të rajonit se si të zgjidhen në mënyrë të qetë konflikte përmes dialogut.

“Ajo të gjithëve na dëshmoi se liderët e Ballkanit Perëndimor janë të pjekur për sfida”, tha Riker.

Pahor: Pa Ballkanin Perëndimor Evropa nuk është e plotë

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se zgjerimi i shpejtë i BE-së është me interes vital.

“Kapaciteti absorbues i BE-së është i mjaftueshëm për integrimin rajonal. Integrimi i shpejtë do t’i dobësojë idetë naive për ndyshimin e kufijve. Nëse BE nuk zgjerohet me Ballkanin Perëndimor nuk do të përfundojë projekti evropian për Evropë të plotë” – tha presidenti Pahor.

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq konkludoi se ka ngecje evidente me zgjerimin e BE-së. “Kjo është e keqja që po na ndodh sot në rajon. Kjo politikë për fat të keq rezulton me penetrimin e interesave te palëve të treta në Ballkanin Perendimor” u shpreh Gjukanoviq.

Osmani: Dialogu rruga e sigurtë drejt eurointegrimeve

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se fakti që qyteti i Ohrit është përzgjedhur si vendi ku mbahet ky takim bart simbolikë të dyfishtë: në këtë qytet u nënshkrua Marrëveshja Kornizë historike e Ohrit, Marrëveshja e Prespës hapi kapitull të ri të miqësisë me fqinjët tanë, këtu gjithësesi vjen edhe Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë.

“Këto janë tri kthesat e rrugës sonë drejt ndërtimit të një shteti modern, demokratik. Emëruesi i përbashkët i të tri marrëveshjeve është se të gjitha janë arritur nëpërmjet dialogut. Këto e shpalosin diskursin tonë autentik dhe shërbejnë si frymëzim për themelimin e Forumit të Prespës për Dialog, si platformë për avancimin e pajtimit, ndërtimit të mirëbesimit dhe dialogut politik”, ka thënë Osmani.

Takimi Kurti-Lajçak në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë Donika Gërvalla-Schwarz, u takua gjatë konferencës ndërkombëtare “Forumi i Prespës për Dialog”, me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz në fjalën e saj në “Forumin e Prespës”, tha që Kosova është lodhur nga dialogu Kosovë-Serbi për vite me radhë duke theksuar se duhet gjetur një zgjidhje: ajo prezantoi si të tillë njohjen reciproke midis dy vendeve. Pas kësaj deklarate erdhi një replikë nga ambasadorja e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, Nevena Jovanoviq.

“Serbia nuk mendon për njohje reciproke, por për lehtësimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Njohja reciproke nuk është në tryezën e dialogut në Bruksel”, tha ambasadorja serbe./ DW /

Related Posts

Leave a comment