Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Roli i drejtuesve të policisë në trafikun e drogës drejt Italisë, detaje nga dosja e SPAK

KANABIS

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit që çoi në lëshimin e 38 urdhër-arresteve, mes të cilëve prokurorë, zyrtarë të lartë policie, dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Operacioni i ndërmarrë nga SPAK lidhej me trafikun e kanabisit drejt Italisë, ku sipas bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donjol Drolli dhe dhe Mariglen Shusha, kreu i grupit kriminal ishte Ilirjan Duçellari, i njohur si “Lani”.

Sipas Drollit dhe Shushës “Lani” kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Dy nga pikat më të forta të mbështetjes së kapos në Policinë e Shtetit ishin ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokëlopa”, plus dhe prokurori Maksim Sota i cili i mbyllte çështjet me drejtësinë.

Në dosjen e SPAK sipas të penduarve të drejtësisë thuhet se ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut, përfshirë kultivimin, magazinimin dhe transportin deri në momentet që do të hidheshin në skaf.

Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës ka qëndruar në shtëpinë me qira, që paguhej nga Ducellari, bashkë me Sotën dhe të penduarin Shusha. Aktiviteti i grupit kriminal sipas të penduarve pësoi goditje në momentin që Balla u transferua drejt Dibrës dhe iku nga qyteti i Vlorës.

Aktiv në grupin e strukturuar kriminal ishte dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut.

Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokëlopa”.

Sipas tyre, ai ishte një person që merrte para hapur nga trafikantët. Festim Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare. Sipas të penduarve, ai merrte shuma të konsiderueshme parash, sipas të penduarve.

Këta të fundit nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasim për të dhëna alarmante, se si zyrtarë të ndryshëm ishin të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët, që t’i linin ata të qetë për të trafikuar sasi të mëdha droge”, thuhet në dosjen e SPAK.

Leave a comment