Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Të penduarit fundosin prokurorin Sota: I zgjidhte kokës së grupit, problemet me drejtësinë

maksim-sota (1)

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit që çoi në lëshimin e 38 urdhër-arresteve, mes të cilëve prokurorë, zyrtarë të lartë policie, dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Operacioni i ndërmarrë nga SPAK lidhej me trafikun e kanabisit drejt Italisë, ku sipas të penduarit të drejtësisë Donjol Drolli, kreu i grupit kriminal është shtetasi Ilirjan Ducellari.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ducellari i kishte siguruar shtëpi me qira prokurorit Maksim Sota jashtë Shqipërisë, ku ai qëndronte me bashkëshorten dhe fëmijët, në një kohë kur ky i fundit kishte dijeni për aktivitetin kriminal të Ducellarit.

“Nga deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Donial Drolli, dhe veprimet hetimore të kryera, rezulton se drejtuesi i grupit kriminal shqiptar, shtetasi Ilirjan Duçellari/Zaimi (Lani) kishte lidhje edhe me prokurorin Maksim Sota, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Shtetasi Ilirjan Duçellari/Zaimi ju kishte siguruar një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante Lani dhe në atë shtëpi kishte qëndruar prokurori Maksim Sota dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Donial Drolli, ka deklaruar se prokurori Maksim Sota kishte dijeni se shtetasi Ilirjan Duçellari/Zaimi ushtronte aktivitetet kriminal në fushën e narkotikëve”, thuhet në dosje.

Pozicionin e prokurorit e rëndon dhe dëshmia e të penduarit tjetër të drejtësisë, Mariglen Shusha, i cili pohon se kreu i grupit kriminal Ilirjan Duçellari, komunikonte për problemet me drejtësinë me prokurorin Sota dhe ky i fundit ishte i gatshëm t’i jepte zgjidhje.

“Nga deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Mariglen Shusha, ai ka deklaruar rrethana takimi dhe bisedimi mes drejtuesit të grupit kriminal, Ilirjan Duçellar (Lani) dhe prokurorit Maksim Sota, për probleme të ndryshme që kishte me drejtësinë dhe institucionet shtetërore, duke detajuar raste konkrete, për të cilat prokurori Maskim Sota ishte angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha, ka deklaruar faktin se shtetasi Ilrjan Duçellari (Lani) ju kishte siguruar një banesë me qira, të cilën e paguante ai dhe aty kishin qëndruar bashkë me prokurorin Maksim Sota dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Mariglen Shusha, ndërkohë që më parë në atë banesë kishte qëndruar edhe Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë, Ilirjan Balla. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha, ka deklaruar se prokurori Sota ishte shok me Lanin dhe se ishte në dijeni se bashkëshortja e tij qëndronte me fëmijën e sëmurë në Romë, të cilët i kanë ndihmuar shtetasit Orhan Duçellari dhe Ilirjan Ducellari”, thuhet më tej në dosjen e SPAK.

Për këtë arsye, Prokurori e Posaçme ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj Maksim Sotës dhe gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por që sot do ti komunikohet masa e sigurisë në GJKKO. /Faxnews/

Leave a comment