Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Kombinat” me regji nga Ema Andrea, një shfaqje kushtuar një zone të qytetit të Tiranës

-800-0-60e541d8e1e1b

“Kombinat” titullohet shfaqje me regji nga Ema Andrea nga teatri Metropol, që vjen me interpretimin e tetë aktorëve. Një shfaqje kushtuar Kombinatit, një zonë e qytetit të Tiranës, e cila gjatë viteve ‘50 nisi të gumëzhinte nga rinia e mbledhur prej gjithë Shqipërisë për të ndërtuar, punuar dhe jetuar në këtë zonë dikur të zbrazët, e cila u shndërrua në epiqendrën dhe gravitetin e jetëve të shumë njerëzve. Njerëz me origjina krahinore dhe zakone të ndryshme, të cilët nën presionin e regjimit diktatorial krijuan jetët e tyre të reja në këtë ambient. Shfaqja mund të ndiqet online në rrjetet sociale të teatrit, ku më parë vepra është xhiruar. Në role interpretojnë aktorët Ilire Vinca, Armela Demaj, Ilirda Bejleri, Roerd Toce, Ketjona Pecnikaj, Sara Koçi, Erdet Miraka, Luisa Dinellari. As. regji Joana Omeraj, kostumet Frenci Gjerasi, video Evi Gjoni.

Në materialin rreth kësaj shfaqje që mund të ndiqet në faqen e teatrit Metropol, institucioni shkruan ndër të tjera se në këtë eksplorim skenik të udhëhequr nga Ema Andrea, bazuar në kërkimin antropologjik të Olsi Lelaj si dhe histori të mbledhura nga grupi i aktorëve këtij laboratori iu bashkua edhe Robert Bisha. “Me krijimtarinë e tij muzikore të inspiruar prej jetës brenda mekanizimit të sistemit u rikrijuan grimca, që plotësuan atmosferën e stilizuar skenike të këtij realiteti”, shprehet teatri.

Projekti

Në mars të këtij viti, në kuadër të projektit AIDA – Adriatic Identity through Development of Arts mbi vendet e memories së popujve në brigjet e Adriatikut, teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana hulumtoi mbi ndërtimin e jetës së komunitetit të Kombinatit Tekstil Tiranë. Teatri Metropol u përzgjodh si përfaqësuesi Shqipërisë për të qenë partner në këtë projekt të rëndësishëm kulturor mes Italisë-Shqipërisë, si dhe Malit të Zi. Nëpërmjet një pune të përbashkët synohej krijimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i një komuniteti artistik përtej kufijve, në të gjithë rajonin e Adriatikut. Ky projekt kishte për qëllim të tregojë se është e mundur të shqyrtohen shumë vendndodhje të rajonit nga një këndvështrim vetëm, duke hedhur dritë mbi shumë të përbashkëta dhe pika kontakti midis qytetarëve dhe komuniteteve të territoreve të ndryshme të përfshira në projekt.

Parashikonte zhvillimin e një sërë aktivitetesh artistike gjatë një kohështrirjeje 14 mujore, me qëllim përfshirjen e artistëve të pavarur dhe artistëve të teatrit në hulumtimin e këtij identiteti në kontekstin tonë, si dhe në përfshirjen e Tiranës në këtë rrjet artistik. Në këtë projekt janë përfshirë jo vetëm artistë të teatrit Metropol, por edhe ata artistë të sektorit të pavarur. Puna nisi me një kërkim studimor, më pas me një vepër të shkruar nga dramaturgu i përzgjedhur përmes aplikimeve, e në përfundim të projektit përfaqësues nga të katër qytetet krijojnë një projekt artistik së bashku, udhëhequr nga Salvatore Tramacere dhe Teatro Koreja.

Leave a comment