Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KPK vendos shkarkimin nga detyra të prokurorit Ervin Karanxha

arrestim-2-1-780x405

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha. Vendimi u dha sot nga trupa e KPK, e përbërë nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko.

Gjatë seancës së një jave më parë u debatua mes trupës gjykuese dhe përfaqësuesve ligjorë lidhur me mënyrën e paraqitjes së kërkesave.

Çiftja kërkoi që të depozitoheshin njëherazi, ndërsa avokatët Pjetra dhe Reçi pretenduan se sipas procedures, duhej të dorëzoheshin një e nga një. Gjithashtu, ajo kërkoi që kërkesat të dorëzoheshin në sekretari, por avokatët këmbëngulën që t’i relatonin të gjitha shkaqet e ngritura në to.

Kur Çiftja i tha avokatit Reçi se e urdhëronte ta dorëzonte kërkesën në sekretari, ai i kërkoi që t’i paraqiste një dispozitë ligjore lidhur me këtë qëndrim të saj.

Gjatë seancës dëgjimore, kryesuesja Etleda Çiftja u tërhoqi disa herë vëmendjen avokatëve Pjetra dhe Reçi për sjellje joetike, si dhe u bëri me dije se qëndrimi i tyre, ashtu si dhe i subjektit do të konsiderohej gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Përgjatë 4 orëve, përfaqësuesit e Karanxhës depozituan gjashtë kërkesa të tjera, nga të cilat katër ishin për përjashtimin e anëtares Valbona Sanxhaktari, me pretendimin se ata e kishin kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre.

Sipas avokatëve, Karanxha konsideronte se Sanxhaktari nuk mund të ishte e paanshme në gjykim. Bashkëngjitur kërkesave për përjashtimin e Sanxhaktarit, ata dorëzuan edhe një kërkesë për pezullim të procesit deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK.

Prokurori Ervin Karanxha, nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë, deklaroi në seancën e datës 23.06.2021 se ai është gjendur nën trysninë e televizionit Top Channel, për qëllime tërësisht personale të drejtorit të tij, ish-deputetit Ben Blushi.

Një çështje të tillë, Karanxha ia ka përcjellë edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, në të cilën ka kallëzuar Ben Blushin për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Sipas Karanxhës, ai është shantazhuar dhe mbajtur në trysni publike, për shkak se e motra e tij, Anila Karanxha, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ka dhënë një vendim në disfavor të administruesve aktualë të Top Channel në një çështje pronësie të televizionit.

Po ashtu, ata depozituan kërkesë për përjashtimin e kryesueses Etleda Çiftja, me pretendimin se kishin dorëzuar edhe ndaj saj një kallëzim penal në SPAK me pretendimin se nuk kishte deklaruar të vërtetën në aplikimin për pozicionin e komisioneres në KPK.

“Ka fshehur të dhëna që do të shërbenin për moskualifikimin e saj. Mendojmë se mungon legjitimiteti i këtij anëtari për të marrë pjesë në gjykim,” tha avokati Reçi ndërsa vuri në pikëpyetje edhe paanshmërinë e saj në proces.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi se anëtarja Valbona Sanxhaktari, pjesë e trupës së Vetingut të Ervin Karanxhës, është takuar me Ben Blushin, gjatë kohës kur televizioni i drejtuar prej këtij të fundit, “Top Channel”, sulmoi dhe shantazhoi prokurorin e Tiranës, nëpërmjet të dhënave konfidenciale nga dosja e rivlerësimit.

E, megjithatë, ky fakt, në dukje tërësisht flagrant, nuk është konsideruar “konflikt interesi” për trupën që shqyrtoi kërkesën e Karanxhës me objekt përjashtimin e komisioneres Sanxhaktari nga trupa që po kryen hetimin administrativ ndaj tij.

Gjatë seancave, KPK relatoi gjetjet për prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha, të cilat lidheshin kryesisht me mungesën e 3.4 milionë lekëve në analizën financiare si dhe ‘hetime të kufizuara’.

Leave a comment