Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

NJË GJYSHE NË SALLËN E GJYQIT

drejtesia

(Rrëfenjë latinoamerikane)

Avokatët kurrë nuk duhet ta pyesin një gjyshe, nëse nuk janë të përgatitur për përgjigjen.
Thonë se gjatë një gjyqi në një qytet të vogël, avokati i akuzës thirri dëshmitaren e tij të parë, një grua të moshuar.

Avokati afrohet dhe për të kontrolluar gjendjen e saj mendore, e pyet:
– Zonja Sançez, e dini ju se kush jam unë?
Ajo, me qetësinë që i jepnin vitet, iu përgjigj:
– Po, zoti Vargas! Ju njoh që kur keni qenë fëmijë dhe, sinqerisht, po ju them se paskeni qenë një zhgënjim i madh për prindërit tuaj. Ju gjithmonë gënjeni, besoni se dini gjithçka, jeni shumë arrogant, shpërdoroni sinqeritetin e të tjerëve, tradhtoni gruan, dhe më e keqja është se manipuloni njerëzit. Ju shtiheni se jeni më i miri nga të gjithë, kur në të vërtetë nuk jeni askush. Po zotëri, ju njoh shumë mirë…
Një heshtje e rëndë pushtoi sallën… Avokati u hutua, duke mos ditur saktësisht se çfarë të bënte…
Si e mblodhi veten, pas një çasti, u kthye nga gruaja e moshuar, në sallën e gjyqit, dhe pyeti:

– A e njihni avokatin mbrojtës?
Ajo, përsëri dhe me të njëjtën qetësi, iu përgjigj:
– Sigurisht që unë e njoh zotin Garsia! E njoh që kur ishte fëmijë. As nëna e tij e ve nuk është krenare për të. Edhe ai ju ngjan shumë juve, është gjithashtu një kodosh, mashtrues dhe i korruptuar. Qysh fëmijë, ishte një dembel që s’e kishte shokun dhe, fatkeqësisht, ai është edhe pijanec. Me t’u ngritur nga gjumi kthen disa gota dhe del tërësisht i përdhosur. Ai kurrë nuk ka një marrëdhënie normale me askënd. Pra, është njësoj si ju. Që të dy ju, jeni avokatët më të këqij në rajon. Për të mos përmendur që edhe ai tradhton gruan e tij me tri gra, njëra prej të cilave është gruaja juaj. Po zotëri, unë e njoh mirë zotin Garsia.

Avokatit mbrojtës gati sa nuk i ra pika. I hutuar, lakuriq para së vërtetës, rrinte kokulur, pa ditur ç’të thoshte.
Pastaj, gjykatësi i thërret dy avokatët që t’i afroheshin atij. Pasi u afruan, me zë të ulët, por gjithë kërcënim, u tha:
– Sikur njëri nga ju të dy e pyet këtë grua, nëse më njeh mua, ta dini se ju çoj në karrigen elektrike!

Në shqip: Bajram Karabolli

Leave a comment