Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama: Tushe përjashtohet nga PS, kthehet vetëm nëse shpallet i pafajshëm nga gjykata

rama

Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të Premte përjashtimin e Fatos Tushes nga Partia Socialiste. Më herët, Tushe u shkarkua edhe si kryebashkiak i Lushnjes, pas arrestimit për korrupsion.

Pas takimit me kryebashkiakët e vendit në kryeministri, Rama tha se vendimi për përjashtimin e Tushes nga PS mund të rishikohet nëse shpallet i pafajshëm në përballjen me drejtësinë.

“Patjetër që kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit, por s’është detyra ime as e PS të kërkojnë pafajësinë, kjo është detyra e avokatëve të të pandehurve. PS s’është zyrë avokatie e të pandehurve, e të akuzuarve nga drejtësia, por fuqia e votuar nga populli për ti shërbyer Shqipërisë dhe popullit të saj, jo të akuzuarve. Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi s’ka ngjyrë politike dhe janë e zezë, llumi me të cilën duhet të përballemi, të refuzojmë mbrojtje për këdo prej nesh që bie pre e tyre”, tha Rama.

“Kryetari i bashkisë Lushnje do shkarkohet nga detyra dhe përjashtohet nga PS dhe që rishikohet vetëm nëse del i pafajshëm nga procesi gjyqësor. Masat i marrim për të dhënë një mesazh për  ata që janë përgjegjës për taksat e shqiptarëve. Të gjithë troç pa përjashtim ti vini gishtin kokës, të kuptoni se mandati ynë i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë një seriozitetit të trefishtë…”, shtoi ai.

Rama tha se ligji i ri për Prokurimet Publike do të përmirësojë kuadrin ligjor në këtë aspekt.

Leave a comment