Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Përralla e kaltër dhe ajo çfarë mbetet nga një udhëtim

Untitled (2)

Një fitues absolut dhe shumë relativë. Në fund është e drejtë të ndahet sukses, dhe të mos e lësh të parin të marrë me vete gjithçka. Pjesën më të madhe po, kjo është e pashmangshme. Atë e meriton Roberto Mançini, njeriu që nuhati tunelin, atje ku të tjerët kishin parë thjesht një rrëshkitje dheu. Ka gërrmuar pa duar, duke ndjekur një vizion. Hodhi një bast të pastër, siç është besimi sipas ndonjë filozofi posibilist. Më shumë se sa një taktikë, përhapi një koncept, eleminoi pabarazitë, krijoi një orkestër ku të gjithë ishin violina të para dhe pianistë, pa e vrarë hiç mendjen për zyra dhe për tituj. Në finale hodhi në fushë një formacion likuid, që vazhdonte të ndryshonte skemë, duke kërkuar në vend të gjilpërës, lëvizjen. U mësoi shumë të gjithëve në tridhjetë ditë: të vlerësonin besnikërinë e Bernardeschit, eksperiëncën e Chiellinit, urinë e Di Lorenzos, të kërkonin një thesar të fshehur në tërësinë e të panjohurave dhe ta kishin në mendje rezultatin jo si detyrë, por si ide. Reduktoi matematikën në lojë duke shkruajtur vetëm dy numra fiksë: 21 dhe 8, Donnarumma dhe Jorginho, atë që vendosën në prekjen e fundit dy ndeshjet vendimtare, finalen dhe gjysmëfinalen.

Një turne futbolli ka kufirin e vet në fushë, nuk eksporton vlera, por mund t’i mishërojë dhe të bëjë që ato të mbeten të disponueshme: ato qëndrojnë jashtë rezultatit, por brenda arsyes. Aq më shumë në një kampionat si ky, i përhapur në të gjithë kontinentin. Rrugës ka shpërndarë dhe trofe të tjerë, më të vegjël.

Ka fituar një sjellje që shpesh herë është vënë në lojë: solidariteti. Jo aq shumë në shfaqjet e programuara, në gjestet simbolike si ulja në gjunjë para fillimit të ndeshjeve, që ishin më të dobishme si prodhues polemikash, se sa si manifestime spontane.

Gjesti i kapitenit danez Kjaer, që shpëton, mbron shokun e skuadrës Eriksen dhe ngushëllon të shoqen para se ajo të shembet përtokë.

Rrethi i afeksionit përreth të dëmtuarit Spinazzola, që nis me përkëdhelinë e Cristantes, vazhdon me fanelën e valëvitur në ajër nga Insigne dhe përfundon me praninë e tij në finale, si mik dhe jo si lojtar. Shprehjet e shumëfishta të Luis Enriques, që shkon të përkëdhelë portierin e tij pas një gabimi kolosal dhe u dhuron të njëjtën gjë, të gjithë lojtarëve pas eleminimit.

Aty gjendet zemra që pulson, e një Evrope në vuajtje dhe të pavendosur për gjithçka.

Kanë fituar organizimet, skuadrat, përpjekjet për t’u dhënë formë të tërave, në vend që t’i lihej gjenialitetit apo marrëzisë së individëve. Nuk triumfuan të mëdhenjtë: Cristiano Ronaldo iku duke goditur me shkelm një shirit, të cilin duhej ta nderonte, Mbappe duke goditur si mos më keq një penallti. Padurimi dhe përplasjet u shfaqën më shumë jashtë vendi, se sa jashtë kohe në fazën e vështirësisë që po kalon i gjithë kontinenti.

Më mirë, shumë më mirë zinxhiri i ndihmës reciproke të Spanjës, e aftë të vazhdojë për breza të tërë, pa shkëputje, e aftë të mos shohë pas, të mso vajtojë të kaluarën dhe kush e ka përfaqësuar, edhe pse në mënyrën më të mirë të mundshme. Më mirë ta ribësh historinë duke u besuar të rinjve, siç bëri Anglia, se sa të rrish në mes të rrugës, mes totemëve dhe sajesave, siç bëri Gjermania.

Eshtë një Evropë ku janë të rinjtë që e tregojnë rrugën e së ardhmes, e bënë të premten nëpër sheshe dhe e bënë për një muaj nëpër stadiume. U dukën kaq jashtë kohe trainerët me kupa në komodinat e shtëpive, si Lëv, Deshamp, shpërndarës shtriganish të ezauruara, ashtu si disa udhëheqës politikë që janë shumë pranë perëndimit.

Tani festa ka mbaruar, por për ndokënd as nuk kishte nisur. Secili kampionat ka të përjashtuarit e vet, ata të cilët munden vetëm të bëjnë tifozllëk kundër dominuesve të tyre. Pikërisht për ata duhet të merakoset që sot Evropa: Fitimtarëve u mjafton fati, fitimtarët e kanë patur shansin e tyre dhe nëse do ta luajnë në mendjen e vet për pjesën tjetër të jetës, janë të përjashtuarit që duhet të kërkojnë një pjesë shtesë, që nuk e parashikon asnjë rregullore. / La Repubblica – Bota.al

Related Posts

Leave a comment