Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama: 70 % e tenderave kanë pasur probleme, do çohen në SPAK

Screenshot_3-16

Në një kohë kur SPAK duket se ka përqëndruar punën te hetimi i tenderave të realizuara nga institucionet shtetërore, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të prezantojë paketën e re ligjore lidhur me prokurimet publike. Rama tha se perceptimi publik lidhur me tenderat është shumë negativ, ndërsa paralajmëroi se të gjitha rastet abuzive do të çohen në SPAK nga Qeveria.

Paralajmërimi duket se iu bë ministrave, që Rama kishte mbledhur, pak ditë pas mbledhjes së zhvilluar me Kryetarët e emëruar të Bashkive, të cilëve iu dha pothuajse paralajmërime të njëjta.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve.

Por sipas Ramës, problematika më e madhe mbetet mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencia e Prokurimeve.

“Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet duhet të kalojë në një nivel tjetër të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar.

Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj e thonë hetimet.

Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative”, tha Rama.

Në vijim, Rama tha se të gjithë e dimë se është sekreti më i madh publik në Shqipëri, që armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim që ndikojnë në ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomik në procedurat e prokurorimit publik.

“Janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe masë disiplinore 92 punonjës. Ajo që bien në sy është niveli i ulët i kuptimit të procesit që çon në rezultate të shëmtuara. Qëllimi madhor i gjithë kësaj është që në këtë vend të mos i hahet haku askujt dhe kush e ka me hak të marrë hakun, dhe kush nuk e ka me hak të mos marrë hakun e dikujt tjetër”, tha Rama.

Nuk dihet sepse në 8 vitet e qeverisë së tij, Kryeministri nuk ka vepruar lidhur me abuzimet me tenderat, në një kohë kur gjatë muajve të izolimit për shkak të pandemisë, ishte kjo qeveri e drejtuar nga Edi Rama që u akuzua publikisht për zhvillimin e tenderave sekretë. Në SPAK janë depozituar një seri kallzimesh penale lidhur me tenderat dhe koncensionet.

Leave a comment