Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë kushtuar albanologut Johann Georg von Hahn

-800-0-60ee7cd5195f9

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i kushtoi ditën e martë, një vëmendje të veçantë kontributit të jashtëzakonshëm dhe personalitetit shkencor të albanologut gjerman, Johann Georg von Hahn. Kjo ishte në kuadër të 210-vjetorit të lindjes, përmes ekspozitës së titulluar “Johann Georg von Hahn (1811-1869)”. Përmes kësaj ekspozite, Biblioteka Kombëtare sjell si thesare të vyera të studimeve albanologjike veprat e tij shkencore, si: “Albanesische studien” (1853); “Reise von Belgrad nach Salonik” (1854); “Reise durch die gebiete des Drin und Wardar” (1867); “Griechische und albanesische Marchen” (1918);  “Sagwissenschaftliche studien” (1876); “Shënime përmi shkrimin e vjetër Pellazgjik” (1910); “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit” (2001); “Nëpër viset e Drinit: shënime udhëtimi të vitit 1863” (2001) etj. Johann Georg von Hahn, i cilësuar si themelues i albanologjisë moderne, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë e gjuhën shqipe dhe folklorin shqiptar, të cilat i botoi në veprën shkencore “Studime shqiptare”.

Ai ka mbledhur material në vend, mësoi gjuhën shqipe dhe dëshmoi përkatësin e shqipes si gjuhë e familjes indoevropiane. Në anën tjetër, teza e tij, u shfrytëzua me efikasitet nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për vetëdijen kombëtare të popullit për argumentimin e së drejtës historike të shqiptarëve për autonomi e shtet të pavarur, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët. Teza “pellazgjike” e prejardhjes së popullit shqiptar e shtruar nga Hani hulumtohet edhe më tej nga studiuesit e historisë dhe studiuesit tjerë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare. Kjo ekspozitë vjen në vijim dhe të atyre që janë hapur më parë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.

Leave a comment