Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ndryshimet statutore në PD, çfarë pritet të vendosë Komisioni i Përhershëm

Selia-e-PD-780x405

Pas zgjedhjeve të 13 qershorit në Partinë Demokratike, Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi do të jenë sërish përballë njëri-tjetrit sot, ndërsa pritet grupi i ngritur në Partinë Demokratike të diskutojë dhe më pas të përzgjedhë mes propozimeve të tyre për ndryshimet statutore.

Në tërësinë e tyre, të tre propozimet kanë në thelb demokratizimin e PD dhe hapjen e partisë, por ndryshe nga Basha, Kadilli dhe Harxhi propozojnë sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve, propozim ky që nuk preket aspak nga Basha.

Basha e Kadilli bashkohen në një pikë, në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe kandidatët për kryebashkiakë, për të cilën vulën duhet ta japë kryetari i partisë, ndërsa Harxhi kërkon që zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.

Ndërkohë, si Basha edhe Harxhi kërkojnë që të sanksionohet në Statut se vendimmarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së. Edith Harxhi i bëri propozimet ditën e djeshme, një ditë para se grupi i ngritur në PD të vendosë për ndryshimet statutore.

Ndërkohë, sipas Edith Harxhi, ish-kandidates për kryetare të PD-së, asnjë nga propozimet që mund të kishin bërë nuk do të merrej parasysh, duke na sjellë një rast që sipas saj e vërteton këtë çështje. Për Harxhin propozimet e Bashës nuk janë risi, por janë një tjetër hap për të privatizuar edhe Këshillit Kombëtar të PD. Zgjedhjet për një Këshilli të ri Kombëtar Harxhi i cilëson si spastrimin e fundit që kryetari Basha do që t’i bëjë zërave kritikë.

Propozimet e Lulzim Bashës:

1. Janë përfshirë si vlera që mbrohen, promovohen dhe nxiten nga Partia Demokratike, meritokracia dhe shanset e barabrata ne punësim dhe karriere, duke nxitur nje administratë publike te qendrueshme dhe profesionale; lufta ndaj korrupsionit dhe dhenia fund e fenomenit të pandëshkueshëmrisë; shkeputja e lidhjeve midis politikes dhe krimit te organizuar, permes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike, si dhe nxitja e një sistemi drejtesie të pavarur dhe të paanshëm, që i sherben vetem qytetarëve dhe interesit publik.

2. Eshtë zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën qe kishte Kryetari i Partisë në këtë drejtim. Ne kete menyrë, detyrimi për konsultimin e anetaresise eshte perfshire edhe per kandidatet per pushtetin vendor, të cilët pas konsultimit me anetaresine do te propozohen nga: Kryetari i Partise, caktohen nga Kryesia e PDSH-se dhe lista e plote do të miratohet nga Keshilli. Kombëtar. Ne kete menyre eshte perfshire në vendimmarrje, si organ ratifikues i listes, edhe Keshilli Kombetar.

3. Eshtë rikonceptuar Kryesia e Seksionit, e cila do të përbëhet nga Kryetari, Sekretari dhe Nenkryetari i Seksionit Kryetari i Seksionit zgjidhet nga anëtarët e seksionit sipas parimit “Nje anetar, Nje vote Sekretari i Seksionit emërohet nga Kryetari i Degés. Nenkryetari i Seksionit emerohet nga Kryetari i Grupseksionit.

4. Eshte shtuar si strukture vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga Drejtues Politik i Qarkut, që emerohet nga Kryetari i Partisë. Kjo do të jetë një strukture e perhershme me pergjegjesi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH ne nivel qarku.

5. Eshtë zgjeruar Kryesia e Degës së Partisë, ku do të përfshihen edhe anëtarët e Këshillit Kombetar të PDSH që kanë vendbanimin në Degë apo janë caktuar të mbulojne Degën; si dhe vetëm për Degët qendër qarku, 7 (shtate) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Deges

6. Eshtë rikonceptuar mënyra e funksionimit të Këshillit Kombëtar, duke parashikuar që anëtaret e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në Departamente te Keshillit Kombëtar, që funksionojnë si strukture këshillimore e Kryesisë dhe kryetarit të PDSH-se, për çeshtje tematike. Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat sherbejne për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së

7. Eshtë zgjeruar Kryesia e Partisë, duke përfshirë si anetare të saj per shkak të funksionit edhe Kryetarin e Keshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit Financiar, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit. Integritetit dhe Etikes. Gjithashtu është shtuar rregulli që jo me pak se 30% e anetarë të zgjedhur te Kryesise t’i perkasi gjinise me pak te përfaqësuar.

8. Eshtë rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partise, duke hequr numrin limit të sekretareve funksional ne perberje të tij Ky rregull eshte shtrire edhe per Degët e Partise

9. Eshtë bashkuar ne nje komision të vetëm Komisioni i Apelimit dhe Komisioni i Integritetit dhe Etikes, duke njohur kompetencen per vleresimin e kandidatëve dhe zbatimit te rregullave per dekriminalizimin dhe integritetin vetem Komisionit te Vleresimit të Kandidatéve

10. Eshte riformatuar Komisioni i Përhershëm i Statutit, i cili eshte pergjegjes edhe per interpretimin e dispozitave të Statutit, Komisioni i Perhershëm i Statutit do te perbehet nga 7 anetare titullare dhe dy anetare ndihmes, ge caktohen nga Kryesia e Partise

11. Eshtë harmonizuar dhe thjeshtuar përmbajtja e Statutit aktual, duke rregulluar pasaktesite apo duke hequr parashikimet qe perseriten ne teksin e tij, por pa prekur thelbin e parashikimeve statutore

Propozimet e Fatbardh Kadillit:

1- Vendosja e primareve, parimit “një anëtar një vote”, si mekanizëm i vetëm për zgjedhjen e drejtuesve partiak në çdo nivel, si dhe për zgjedhjen e kandidaturave për parlament dhe bashki, është një nga ndryshimet kryesore që propozohet.

Ky ndryshim e heq peshën e vendimmarrjes nga Vula e Kryetarit dhe e çon tek Vota e Anëtarit.

2- Garantimi i karierës është një ndryshim po aq thelbësor që demokratizon partinë. Çdo anëtari i garantohet e drejta absolute që të garojë për çdo funksion. Nuk do të jetë më Kryetari që seleksionon kush mund të kandidojë dhe kush jo.

3- Ndarja e rolit të Kryetarit të Partisë nga Administrimi i Partisë. Kryetari Udhëheq vetëm një projekt politik. Partia ka vazhdimësi. Njerëzit ikin partia mbetet.

Administrimi i partisë i kalon Këshillit të të Urtëve. Ky këshill është përgjegjës për organizimin, për burimet njerëzore, për zgjedhjet në parti, për financat partiake dhe për demokracinë e brendshme, statutin dhe etikën.

Propozime për ndryshime Statutore

1- Kryetari i Partisë

Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve;

Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës.

2- Drejtimi i Partisë

2.1- Drejtimi Politik i Partisë

Kryetari është drejtuesi Politik i Partisë;

Kryetari krijon Kabinetin Qeveritar / në opozitë Kabinetin në hije;

Kryetari emëron drejtuesit / përfaqësuesit e Partisë në Komisionet Parlamentare;

Kryetari emëron drejtuesit e Grupit Parlamentar;

Kryetari emëron kabinetin e këshilltarëve të tij, si dhe ngre zyra politike që ndihmojnë atë në kryerjen e funksioneve të drejtimit të partisë;

2.2- Kryesia e Partisë

Kryesia e Partisë përbëhet nga: Kabineti Qeveritar hije, nga Kryesia e Grupit Parlamentar dhe nga Drejtuesit / Përfaqësuesit në Komisionet e përhershme parlamentare; (e gjithë kryesia është e zgjedhur automatikisht nga Kryetari dhe secili kryen funksionet që i janë caktuar).

Kryetari mund të shkarkojë për shkak të performancës politike anëtarët e Kryesisë (njëherësh nga funksioni individual);

Çdo Ministër Hije (Zëdhënës) ngre departamentet e nevojshme për të mbuluar fushën që ka në kompetencë dhe emëron ekipet politike qendrore dhe lokale të fushës së tij të kompetencës / veprimit politik;

Drejtuesit e Grupit Parlamentar dhe Drejtuesit e Komisioneve të Përhershme parlamentare krijojnë ekipet e nevojshme të këshilltarëve për të ndihmuar dhe asistuar me ekspertizë deputetët;

2.3- Drejtimi Administrativ i Partisë

Drejtimi Administrativ i Partisë bëhet nga Këshilli i të Urtëve.

Këshilli i të Urtëve përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen nga Këshilli Kombëtar

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve nuk duhet të kenë jetë aktive politike dhe nuk mund të kandidojnë për asnjë funksion tjetër në parti dhe as të zgjidhen si përfaqësues të partisë në asnjë funksion tjetër publik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve duhet të zgjidhen si rregull nga senioriteti i partisë që është tërhequr nga aktivizmi politik.

Anëtarët e Këshillit të të Urtëve kanë mandat 6 vjeçar me mundësi rizgjedhje;

Ata janë garant të administrimit të partisë dhe të respektimit të të drejtave statutore të anëtarësisë

Këshilli i të Urtëve është përgjegjës:

– për regjistrimin dhe administrimin e regjistrit të anëtarësisë;

– për regjistrimin e strukturave partiake në përputhje me statutin;

– për respektimin e të drejtës për tu zgjedhur të çdo anëtari që plotëson kriteret ligjore dhe standardet etike të shpallura;

– për organizimin e primareve për zgjedhjet e çdo drejtuesi të çdo forumi partiak (Kryetar Seksioni, Kryetar Grupseksioni, Kryetar Forumi, Kryetar Dege, Kryetar/kandidat për deputet në ZAZ, Kandidat për Kryetar Bashkie)

Këshilli i të Urtëve emëron dhe mbikëqyr funksionimin e trupës administrative të partisë.

Këshilli i të Urtëve emëron:

– Administratorin e Përgjithshëm, me funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm;

– Sekretariatin për Etikën;

– Sekretariatin për Zgjedhjet në Parti;

– Sekretarin për Organizim dhe Burime Njerëzore;

– Sekretariatin për Çështjet e Statutit;

– Sekretariatin për Administrimin e financave të partisë;

Funksionarët kanë mandat 6 vjeçar me të drejtë rizgjedhje. Këta funksionarë janë të përjashtuar nga gara për funksione të tjera partiake dhe nga kandidimet për përfaqësim të partisë në çdo nivel;

3- Organizimi i strukturës së partisë

3.1- Drejtuesit / Kandidatët

Drejtuesit e seksioneve, grupseksioneve dhe forumeve zgjidhen me parimin “një anëtar-një vote”, ose me vetëdeklarim të konfirmuar të mbështetjes nga anëtarët në përbërje të seksionit, grupseksionit, forumit.

Kryetari/kandidati për deputet i ZAZ, Kryetari i Degës, Kandidati për Kryetar Bashkie zgjidhen me primare nga vota e gjithë anëtarësisë. Modalitetet e primareve rregullohen në statut; ato i mundësojnë garuesve kushte të njëjta dhe anëtarësisë mundësi të barabartë njohje.

Anëtarësia që ftohet të votojë regjistrohet brenda një afati të arsyeshëm. Lista konfirmohet nga Këshilli i të Urtëve / Sekretariati për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në një periudhë kohe që parashikohet në statut;

Askujt nuk i pengohet e drejta e kandidimit. Çdo kandidat regjistrohet nga KU / Sekretariati për Zgjedhje në Parti;

Për çdo ZAZ zgjidhet një kandidat nga vota e anëtarësisë që ndodhet në juridiksionin territorial të ZAZ-së;

Për çdo bashki zgjidhet një kandidat nga anëtarësia e strukturës që ndodhet në juridiksionin territorial të bashkisë;

Kandidaturat e tjera për deputetë që nevojiten për të plotësuar numrin e vendeve në parlament të një Qarku zgjidhen nga anëtarësia e degëve të gjithë Qarkut;

Kandidaturat në nivel Qarku propozohen nga Kryetari i Partisë;

Renditja e kandidaturave për deputet është tagër ekskluziv i Kryetarit të Partisë;

3.2- Organizimi i seksioneve dhe organeve të tjera të partisë

Seksionet ngrihen në nivel territorial me një numër minimal prej 5 anëtarësh

Çdo anëtar partie që siguron mbështetjen e të paktën 5 personave mund të ngrejë seksionin e tij. Seksionet regjistrohen në administratën e partisë (Sekretariat për Organizimin dhe Burimet Njerëzore). Seksionet dhe grupseksionet kanë vetëm Kryetar.

Kushdo brenda ose jashtë organizimit të seksionit ose grupseksionit mund të krijojë organizime strukturore / forume me natyrë përkatësie (profesioni, aktiviteti ekonomik, krahine, gjinie, moshe, gjuhe, kauze, interesi, si dhe çdo elementi tjetër përbashkues); rregulli është i njëjtë, minimum 5 anëtarë.

3.3- Kuvendi Kombëtar

Kuvendi Kombëtar përbëhet nga tërësia e kryetarëve të seksioneve, grupseksioneve, forumeve të regjistruara, nga Kryetarët e degëve, si dhe nga kandidatët për Deputet, për Bashki dhe kabineti qeveritar hije.

3.4- Këshilli Kombëtar

Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

– Kryetarët e Degëve;

– Deputetët e zgjedhur dhe kandidatët për deputet të çdo ZAZ;

– Kryetarët e Bashkive dhe Kandidatët për Kryetar të çdo bashkie;

– Anëtarët e Kabineti Qeveritar / ose në Hije;

– Këshilli i të Urtëve dhe Sekretariati i emëruar prej tyre;

– Drejtuesit e Organizatave partnere;

Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe vendos për çështje të rëndësishme politike të partisë.

4- Financimi i Partisë

Financimi publik i përfituar nga partia ndahet në këtë mënyrë:

– ½ (gjysma) e masës i shpërndahet degëve proporcionalisht me numrin e votave sipas rezultatit elektoral të arritur në zgjedhjet e fundit;

– ¼ (një çerek) për funksionimin e administratës së partisë;

– ¼ (një çerek) për funksionimin e ekipit të kryetarit të partisë;

Degët nxiten të rrisin të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë.

 

Propozimet e Edith Harxhit:

1. Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qëndror dhe vendor për arsye të vendimarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë. Si është e mundur që prej vitit 2013, janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë me qindra kryetarë degësh, qindra anëtarë të Këshillit Kombëtar, dhjetra anëtarë të Kryesisë së PDSH-së dhe disa Sekretarë të Përgjithshëm, e ndërkohë që Kryetari i Partisë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për dështimet e PDSH-së dhe për premtimet e pambajtura?

2. Ne duhet ti kthejmë Partinë anëtarëve të saj, pasi sot kjo parti ka vetëm një vendimarrje dhe kjo është e Kryetarit dhe në pak raste e Kryesisë së zgjedhur prej tij. Për këtë arsye ne duhet të sanksionojmë në Statut se vendimarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Megjithëse kjo pikë u arrit të vendosej në Statutin e vitit 2017, përsëri nuk u zbatua asnjëherë, pasi disa marrëveshje të rëndësishme politike dhe koalicione para dhe pas zgjedhore u vendosën pa miratimin e Këshillit Kombëtar të PDSH-së dhe madje edhe të Kryesisë së Partisë.

3. Zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ishin të panumërta rastet kur u shkel në mënyrë flagrante statuti i partisë, madje edhe premtimet e bëra më parë nga vetë Kryetari i Partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Lista e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, megjithëse me një proçes të anatemuar pasi ishtë proçes denigrues dhe përjashtues dhe jo vlerësues, nuk u morr parasysh. Madje në shumë raste edhe vota e demokratëve për vlerësimin e kandidaturave u shpërfill dhe u tjetërsua nga vendimarrja e Kryetarit të Partisë. Zëri i demokratëve të thjeshtë, punëtorëve të partisë prej vitesh duhet të dëgjohet dhe ai duhet të jetë i vetmi pushtet në Partinë tonë, pasi anëtarësia e Partisë, dega, grup seksioni dhe seksioni janë ata që njohin më mirë problemet reale të Partisë dhe të qeverisjes sot dhe pikërisht duhet të jenë ata që duhet të vendosin për kandidaturat që vlerësohen nga anëtarësia dhe shoqëria. Kryetarët e degëve dhe strukturat lokale të partisë nuk mund të neglizhohen në asnjë mënyrë në procesin e vendimarrjes dhe nuk mund të sfidohen nga besnikë të kryetarit të partisë, që emërohen në periudha parazgjedhore si koordinatorë politik në qarqe.

4. Këshilli Kombëtar duhet të jetë forumi më i lartë vendimarrës i partisë sonë. Ai duhet të jetë përfaqësues, i kufizuar në numër, dhe i përbërë nga 120 anëtarë në përgjithësi, nga të cilët 90 prej tyre të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar, me propozim të degëve të PDSH-së dhe jo të Kryetarit. Çdo degë e PDSH-së duhet të ketë peshën e saj reale, në vartësi të arritjeve zgjedhore, në Këshill Kombëtar dhe në Kryesinë e Partisë dhe të përfaqësohet në këto dy forume me personalitete të përzgjedhura nga degët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëgjohet zëri i vërtetë i anëtarëve të saj. Aktualisht Kryesia e Partisë dhe Këshilli Kombëtar nuk përfaqësojnë në mënyrë të vërtetë degët e saj. Çdo propozim për të bërë anëtarë të përhershëm të Këshillit Kombëtar deputetët e zgjedhur të listës së Kryetarit, dhe kolegjin e kryetarëve, e zhbën zërin e vërtetë të anëtarësisë dhe vazhdon ta mbajë Partinë në forum të Kryetarit të saj.

5. Këshilli Kombëtar duhet të ketë në përbërjen e tij edhe anëtarë të diasporës shqiptare në botë të cilët mund ti propozohen Kuvendit Kombëtar me një numër të kufizuar nga degët e PDSH-së në Diasporë. Kjo siguron hapjen e partisë dhe konsultimin me personalitete të diasporës shqiptare të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmojnë në shpalosjen e programit të PDSH-së dhe politikave të saj në botë.

6. Forumet drejtuese të Këshillit Kombëtar, duhet të kenë mandat katër vjeçar dhe të jenë të pavarura nga Kryesia e Partisë dhe Kryetari i Partisë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë atë që quhet kontroll dhe balancim të pushtetit dhe do të sigurojmë vendimarrje të pavarur dhe kolegjiale. Këshilli Kombëtar nuk mund të jetë organ këshillmor i Kryetarit dhe Kryesisë së Partisë, por autoriteti më i lartë vendimarrës në PDSH. Pavarësia e organeve drejtuese të Këshillit Kombëtar dhe thirrja e mbledhjeve të Këshillit duhet të jetë e drejtë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar.

7. Partia jonë duhet të kalojë në një proçes të menjëhershëm të verifikimit të anëtarësisë së saj pasi ne ndryshojmë listat e anëtarësisë në zgjedhjet për Kryetar Partie, apo zgjedhje të tjera të brendëshme në parti, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, të Kushtetutës së vendit dhe Statutit të Partisë sonë, “e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”. Vetëm në procesin e fundit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike janë hequr nga listat e anëtarësisë së PDSH-së me mijra demokratë dhe anëtarë të hershëm, më shumë se 28 mijë anëtarë të anëtarësisë së saj reale që prej vitit 1990, kur edhe është themeluar partia. Anëtarë të hershëm dhe të tashëm të Partisë Demokratike, themelues e qëndrestarë, janë hequr nga listat e anëtarësisë jo pa qëllim dhe kjo ka deformuar partinë tonë në strukturë, përmbajtje, thelb dhe formë.

8. Mosbërja publike e listave të Partisë Demokratike është një shkelje tjetër e parimeve themelore të së djathtës dhe demokracisë në parti. Kjo duhet të sanksionohet me një nen të posaçëm në Statutin e partisë dhe jo të fshihemi pas Ligjit për të Dhënat Personale, pasi ne nuk jemi parti të dhënash por parti individësh të lirë, të cilët kanë vendosur me dëshirën e tyre të lirë të jenë pjesë e kësaj organizate politike dhe kjo divizë është e sanksionuar që në statutin e parë të PDSH-së në vitin 1991.

9. Komisioni i Apelimit në Partinë Demokratike duhet të jetë një organ më vete dhe plotësisht funksional. Me anë të këtij komisioni duhet ti garantohet e drejta çdo anëtari të PDSH-së që të apelojë vendimet në rast shkeljesh. Ky Komision duhet të jetë funksional gjatë çdo mandati të Kuvendit Kombëtar dhe të propozohet nga Këshilli Kombëtari PDSH-së.

10. Partia Demokratike duhet të ketë një Rregullore të Brendëshme për funksionalizimin e Statutit të saj dhe kjo rregullore duhet të miratohet në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar, pas konstituimit të tij. Përvoja e deritanishme ka treguar se PDSH-ja, në kundërshtim me Statutin e saj, është drejtuar pa rregullore të brendëshme dhe me rregullore ad-hoc të përgatitura nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, apo Kryesia e Partisë, sa here që Kryetari apo Kryesia është vendosur para përgjegjësisë së mos kryerjes së funksioneve të tyre.

Leave a comment