Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Zbulohet komploti i frikshëm për të rrëmbyer një gazetare të njohur

rrembim-1-e1570211551473-570x330

Prokurorët amerikanë kanë akuzuar katër iranianë, që mendohet të jenë operativë të zbulimit për Teheranin, për komplotin për të rrëmbyer një gazetare nga Nju Jorku, e cila ishte kritike ndaj Iranit, thuhet në një padi të Departamentit të Drejtësisë që u paraqit të martën.

Ndërsa aktakuza nuk përmend objektivin e komplotit, agjensia e lajmeve Reuters konfirmoi se ajo është gazetarja iraniano-amerikane Masih Alinejad, e cili ka kontribuar në shërbimin në gjuhën persiane të Zërit të Amerikës dhe për raportet mbi çështjet e të drejtave të njeriut në Iran.

I pyetur nga agjensia e lajmeve Reuters për të konfirmuar se zonja Alinejad ishte objektivi i komplotit, Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentonte.

Sipas aktakuzës, të katër iranianët punësuan hetues privatë nën pretekste të rreme për të vëzhguar gazetaren pa emër në Brooklyn, duke regjistruar në video familjen dhe shtëpinë e viktimës si pjesë e një komploti për ta marrë personin jashtë vendit.

Ne foto gazetarja iraniano-amerikane, Masih Alinejad
Ne foto gazetarja iraniano-amerikane, Masih Alinejad

Të katër të pandehurit planifikonin “të merrnin me forcë viktimën e tyre të synuar në Iran, ku fati i viktimës do të kishte qenë i pasigurt në rastin më të mirë”, tha prokurorja për distriktin jugor të Nju Jorkut, Audrey Strauss.

E kontaktuar nëpërmjet telefonit të martën pas bërjes publike të akuzës, zonja Alinejad tha se ajo ishte në gjendje shoku.

Ajo tha se kishte bashkëpunuar me Byronë Federale të Hetimit (FBI) që kur agjencia i paraqiti tetë muaj më parë fotografi të marra nga komplotistët.

“Ata më treguan se Republika Islamike ishte afruar shumë”, tha ajo.

Zonja Alinejad tha se ajo kishte tërhequr zemërimin e Iranit nëpërmjet publikimit të grave në Iran që protestonin kundër ligjeve që kërkojnë mbajtjen e shamisë së kokës, si dhe nëpërmjet rrëfimit të historive të iranianëve të vrarë në demonstratat e vitit 2019.

Prokurorët thanë në një njoftim për shtyp se gazetarja ishte shndërruar në objektiv të Iranit për shkak të “mobilizimit të opinionit publik në Iran dhe në të gjithë botën për të sjellë ndryshime në ligjet dhe praktikat e regjimit”.

Zonja Alinejad tha se agjentët e FBI-së e zhvendosën atë dhe burrin e saj në një seri shtëpish të sigurta ndërsa hetonin rastin.

Ajo tha se ende nuk e kishte marrë veten nga leximi i aktakuzës.”Nuk mund ta besoj që nuk jam e sigurt as në Amerikë”, tha ajo. (VOA)

Leave a comment