Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“E kërkon ai miku lart”/ Përgjimet që çuan pas hekurave biznesmenin dhe juristin e Kadastrës

pergjimet

Çuditë nuk kanë të mbaruar në administratën shqiptare. Këtë herë skandali, ka ndodhur në hipotekën e Durrësit, ku juristi i këtij institucioni ka legalizuar dhe më pas hipotekuar një objekt që nuk ekzistonte fare në terren.

Mikel Zaho, me profesion jurist i Hipotekës së Durrësit, rezulton që në datën 12 prill 2019, të ketë hipotekuar një objekt që nuk ishte ndërtuar.

Dhe për të rënduar akoma dhe më tepër këtë skandal, juristi ka hipotekuar ndërtesën dhe truallin 2 mijë metra, duke marrë si tipologji dokumentacionin e një dosje tjetër hipotekore me Nr.220620, që është një shtëpi në fshatin Vrinë, të njësisë administrative Rrashbull.

E gjithë procedura është kryer me dokumenta të falsifikuara, duke filluar nga leja e legalizimit, një mandat bankar në Durrës dhe një çertifikatë hipotekore.

Praktikisht zyrtari i Hipotekës dhe tre persona të tjerë me në krye biznesmenin nga Fieri, Ilias Fisheku, kanë hipotekuar ajrin se ndërtesën nuk e kishin ngritur akoma.

Nga këqyrja e imazheve të ortofotove 2015-2018-2019 është vërtetuar se aty nuk ka patur asnjëherë objekt të ndërtuar, sipas certifikatës që kanë përfituar Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu.

Pasi kanë marrë dokumentacionin fals, atëherë biznesmeni i dënuar më parë, Ilias Fisheku dhe dy punëtorët e tij, Erion Valiko dhe Rakip Haxhiu, kanë ngritur një lokal të quajtur “Station” në Durrës. Ndërtimi ka filluar në muajin prill 2021,pas miratimit nga ana e bashkisë Durrës, të deklaratës paraprake për kryerje punimesh, duke vendosur një çati pa themele, me materiale të çmontueshme dhe pa mure.

Ndërkohë sipas informacioneve të marra është konstatuar se shkrimet dhe nënshkrimet e drejtorit të ALUZNI-t, Flamur Gjuzi, përgjegjësit të Sektorit të Legalizimit, Mario Semini, shefit të hartografisë Ilirjan Keci dhe drejtorit të ZVRPP, Florjan Almadhi, janë të perdorura me anë të programit të  fotoshopit.

Zbulimi i këtij skandali që ditën e djeshme çoi në burg zyrtarin e Hipotekës, biznesmenin Fisheku dhe dy personat e tjerë Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu, është zbuluar pas një letre anonime të dërguar me postë në Drejtorinë e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Sipas dosjes hetimore, thuhet se në Drejtorinë për Krimet Ekonomike e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, është dërguar një informacion së bashku me dokumentet bashkëlidhur, të cilat tregojnë për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme prej 2000 m2, tokë truall të përfituar me falsifikim të dokumenteve në fshatin Vrinë, Njësia Administrative Rrashbull, Durrës.

Pasuria në fjalë, thotë denoncuesi, është regjistruar në bazë të lejës së legalizimit me nr.220620 datë 25 korrik 2016 në emër të Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu dhe dokumentacioni për regjistrimin e kësaj pasurie ndodhet i fotokopjuar dhe jo origjinal.

Çështja e këtij denoncimi anonim i është përcjellë në Durrës prokurorit Madrid Kullolli, i cili pasi filloi të marrë në pyetje personat protagonistë të kësaj dosje, njëherësh filloi dhe ti përgjojë bisedat e tyre telefonike.

Mes bisedave të përgjuara Erion Aliko bisedon me juristin e Hipotekës dhe të dy së bashku zhvillojnë këtë bisedë si më poshtë:

Juristi: Erion ti e ke me leje faktikisht eee?

Erioni: Po.

Juristi:Thjesht vendi eeee, po çfarë të kushton shtrenjtë për ta spostu, është punë e madhe?

Erioni: I bie 10 metër më mbrapa.

Juristi: Të kuptoj, 10 metër nga mbrapa nuk të prish asnjë punë ty sepse të del oborri shkëlqyer ty, bile duhet ta kishe bërë vetë ti atë, është më e bukur ku të thonë ato, por a është e sigurt kjo që është gabim në vendosje?

Erioni: Po e sigurt.

Juristi: Po pse se ka parë inxhinieri në fillim kur e ka bërë lokalin?

Erioni: Ik o Domenikë, të lutem mos më kërko llogari, u bë si u bë, në rrethana e përshtata, kur i pamë letrat nuk ishte atje.

Juristi: Jo po them a e ke parë me inxhinierë, se inxhinierët i kuptojnë gjërat.

Erioni: He Ladi.

Fisheku: He mor djalë çfarë bëhet?

Erioni: Asgjë, ja kështu.

Fisheku: A je më i qetë?

Erioni: Hajt mor mirë, mirë.

Fisheku: Çfarë thanë ndonjë gjë?

Erioni: Po hiç, po presim të na marrin në telefon.

Fisheku: Ajo……..  avokatja.

Erioni: Po.

Fisheku: Çfarë të ketë më thuaj, se do e marr dhe vetë në telefon nga darka.

Në orët e darkës Erioni telefonohet nga biznesmeni Fisheku, dhe mes tyre zhvillohet kjo bisedë si më poshtë vijon:

Erioni: Hë Ladi.

Fisheku: Pate problem me ato?

Erioni: Jo Jo.

Fisheku: Për mirë apo për keq, e mbylle faqen të paktën?

Erioni: I thashë mbarom punë ti kam, mbarova punën.

Fisheku: U ndave në rregull?

Erioni: Në rregull ndahem kur të kem letrat në dorë, si puna jote më jep dokumentin në dorë dhe jam në rregull.

Nga transkripti i përgjimeve telefonike të kryer nga numri i Rakip Haxhiut dhe biznesmenit Ilias Fisheku, mes këtij të fundit dhe një personi me emrin Shyqo, zhvillohet biseda si më poshtë vijon:

Haxhiu: Ja fol me Shyqon.

Fisheku: Isha me një mik dhe do e kap nga brirët gjëja dhe ja shpjegova pak a shumë gjërat, 1, 2, 3, 50, dhe më tha më jep vetëm një kopje të asaj letrës së prokurorisë dhe jo tjera.

Shyqo: Një kopje të….

Fisheku: Që është harta e falsifikuar.

Shyqo: A don vendimin ti ee?

Fisheku: Po shkoj bëj një fotokopje dhe ja jep.

Shyqo: Vendimin që ka bërë hetimin eeeee?

Fisheku: Po po, të prokurorisë sepse e kërkon ai miku lart.

Shyqo: Për akt ekspertimi ska nevojë eeee?

Fisheku: Çfarë letrash të kesh jepja që ti shikojë ai miku lart.

Lidhur me këtë çështje hetimore ditën e sotme gjykata e Durrësit pritet të zhvillojë seancën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, për biznesmenin Iliaz Fisheku, dy punonjësit e tij, Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu, që janë përdorur nga Fisheku për të shënuar emrin në dokumenta, si dhe juristin e Hipotekës Mikel Zaho, për të cilin prokuroria ka kërkuar masën e “arrestit në burg”.

/Ora News/

Leave a comment