Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Denoncimi i botuesve: Librat piratohen, jemi të pambrojtur nga shteti

-800-0-60f908996cf55

Pirateria e librave, fotokopjet pa kriter dhe zbatimi i ligjit ishin në qendër të takimit, që bëri bashkë botues dhe drejtues të institucioneve. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bashkë me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë organizuan tryezë diskutimi me temë “Libri përballë informalitetit”, ku ishin të pranishëm disa prej botuesve më të rëndësishëm shqiptarë, kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri, drejtori i Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut Neritan Frashëri dhe drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli. Në këtë takim u diskutuan problemet që botuesit shqiptarë hasin për sa i përket tregut të librit, i cili gjendet i pambrojtur përballë piraterisë, si edhe problemet e të drejtave të autorit që nuk respektohen. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri ndër të tjera shprehu shqetësimin për problemin e fotokopjimit pa kriter të librave. “Është industri fotokopjimi nëpër fakultete. Dhe askush nuk do t’ia dijë për këtë.

Duhet të bëjmë një front për të pasur më shumë ndjeshmëri dhe nuk është normale, që dhjetë vjet më parë kjo kuptohej shumë mirë dhe arritëm në një stabilitet për këtë çështje dhe tani këto punë kanë shpërthyer”, tha Ymeri. Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli ndër të tjera tha se qendra që ajo drejton është e angazhuar për të punuar, që t’i japë më shumë vizion dhe dinjitet autorit. “Ky takim sot, por edhe takimet e mëparshme, na kanë bërë të reflektojmë mbi këto problematika, duke e parë partneritetin mes përfaqësuesve direkt të kësaj çështjeje, si botuesit, autorët, Zyra e së Drejtës së Autorit, Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, si thelbësor për ndërgjegjësim, duke vënë në zbatim ligjin për të drejtën e autorit, por edhe duke menduar për një rishikim të problematikave, të cilat mund të reflektoheshin më fort në ligj”, u shpreh Bardhyli.

Kontrollet nga shteti

I pranishëm në takim edhe botuesi Agron Morava theksoi ndihmën, që duhet të japin institucionet përballë problemit të piraterisë dhe fotokopjimit. Morava tha se shteti duhet të ndërhyjë. “I marrin dhe i fotokopjojnë librat, shteti duhet të bëjë kontrolle herë pas here, ku ndodh kjo, si bëhet, ku bëhet, etj”, tha ai. Për botuesen Irena Toçi pirateria e librave është problem. Sipas saj, duhet një bashkëpunim dhe me bashkitë. “Librat tanë më të mirë janë piratuar dhe vazhdojnë të shiten dhe në rajon pa të drejtë autori. Një problem që duhet parë, madje duhet bashkëpunuar dhe me bashkitë. Tirana është e mbushur me tezga cep më cep, që shesin libra pa të drejtë autori.

Tregtohet pa të drejtë. Fotokopjet në universitete janë një tjetër problem, si këtu dhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut fotokopjet po bëjnë kërdinë. Gjendemi të pambrojtur nga shteti në këtë drejtim”, tha Toçi. Edhe për botues të tjerë Shqipëria hyn në vendet ku pronësia intelektuale është ende e rrezikuar dhe prej vitesh tregu i librit është i prekur nga informaliteti.

Leave a comment