Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kuvendi shpall dy vendet vakante në KLGJ, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët

kuvendi

NJOFTIM PËR SHPALLJEN E VENDIT VAKANT PËR ANËTAR TË KËSHILLIT TË LARTË GJYQËSOR

Sipas përcaktimeve të nenit 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 36, 37 dhe 39 të ligjit nr. 115/2016, datë 03.11.2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë me vendimin nr. 2, datë 22.07.2021, vendosi “Shpalljen e dy vendeve vakante për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës”.

Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, individët që:

  1. a) janë shtetas shqiptarë
  2. b) kanë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist.
  3. c) në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;
  4. d) janë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
  5. e) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës;
  6. f)  nuk kanë masë disiplinore në fuqi;
  7. g) nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
  8. h) nuk kanë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
  9. i) nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
  10. j) nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
  11. k)në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar sipas përcaktimeve të nenit 136 dhe 139 të ligjit nr.115/2016, datë 03.11.2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.

Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:

  1. jetëshkrimin e përditësuar të nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;
  2. librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 15 vitesh përvojë profesionale si jurist si dhe vërtetimin që në kohën e kandidimit, të jenë pedagogë me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë (IAL) ose pedagogë të brendshëm ose të jashtëm jomagjistratë në Shkollën e Magjistraturës;
  3. vërtetim që është personel akademik i kategorisë “profesor” ose “lektor”;
  4. vërtetim që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  5. deklaratë e Konfliktit të Interesit që gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
  6. vërtetim i gjendjes gjyqësore;
  7. një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
  8. formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;
  9. formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
  10. çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 36 të këtij ligji.

Institucionet e arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre si njësi kryesore fakultete të drejtësisë, të akredituara sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, si dhe Shkolla e Magjistraturës, të fillojnë procedurat për shpalljen e thirrjeve të interesit, për depozitimin e kandidaturave dhe të dokumentacionit përkatës, si dhe për verifikimin e plotësimit  të kritereve ligjore të kandidatëve, sipas parashikimeve të neneve 36, 37, 39, 40 e në vazhdim, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Leave a comment