Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shakaja me tenderat e infrastrukturës

jihkjkh
Nga Klodian TOMORRI-
Kryeministri Edi Rama ishte i ashpër me trupën moniste të kryebashkiakëve, teksa i kritikoi pse vjedhin me tenderat publikë. Me te drejtë, zoti Rama përmendi se shumica e tenderave të bashkive janë me negocim të drejtëpërdrejtë ose dhe me një ofertues të vetëm duke penalizuar qytetarët, të cilët paguajnë çmime më të larta për punët publike. Por kulmi i “kryqëzatës” antikorrupsion u shënua kur shefi i qeverisë shënoi modelin e suksesit. Ato ishin tenderat e qeverisë qendrore, e veçanërisht në sektorin e Infrastrukturës, ku sipas kryeministrit janë zhdukur një herë e mirë procedurat me negocim të drejtëpërdrejtë dhe tenderat fiktivë me një ofertë.
“Është absolutisht domethënëse që edhe në kontrata të mëdha me sfida të mëdha dhe pengesa që shfaqen si pasojë e mëndësisë së të shkuarës, dhe këtu kam parasysh për shembull disa kontrata të Ministrisë së Infrastrukturës, kur ka vullnet nuk ka asnjë diskutim që fiton shteti,” tha kryeministri.
Sipas zotit Rama, këto rezultate model në qeveri ishin arritur falë angazhimit personal të vetë ministrave, veçanërisht ministres së Infrastrukturës. Por për cilët tendera të suksesshëm e ka patur fjalën kryeministri? Le t’i marrim me radhë.
Më i madhi është koncesioni i Aeroportit të Vlorës. Vlera totale e kontratës 104.3 milionë euro. Në këtë tender u zhvillua garë e ashpër me vetëm një ofertë, ajo e bashkimit të tre shoqërive të drejtuara nga Mabco e Behgjet Pacollit.
Tenderi i dytë i madh është koncesioni i portit të jahteve Marina Rodon me vlerë mbi 7 milionë euro. Edhe në këtë garë u paraqit vetëm një ofertë, e cila më pas u shpall fituese.
Lista është e gjatë. Koncesion i portit Marina Limion me vlerë 11 milionë euro dhe me një ofertë, ai i Vlorës dhe shumë shpejt do jetë edhe ai i portit të Durrësit. Këto janë tenderat e zhvilluar vet nga Ministria e Infrastrukturës. Pastaj vijnë agjencitë e varësisë.
Në tetor të vitit të kaluar, ARRSH çeli tenderat për ndërtimin e katër rrugëve të mëdha. Lidhja e Autostratës Milot Morinë me Aeroportin e Kukësit, rruga Duka Sinanaj Tepelënë, rruga Palasë-Dhërmi dhe mbikalimi i TEG. Në asnjë rast nuk fitoi oferta më e ulët. Madje nëse mbledh diferencat mes ofertave fituese dhe ofertave më të ulëta, për të katërt tenderat, janë plot 12 milionë euro. Që do të thotë se nëse do të kishin fituar ofertat më të ulëta, qytetarët do të kishin paguar 12 milionë euro më pak për ndërtimin e këtyre veprave. Dhe në këto gara ka patur dhe çudira, ku kompania që ofronte çmimin më të ulët në një tender skualifikohej aty dhe shpallej fituese tek tenderi, ku kishte ofertën më të lartë.
Kaq për rrugët. Por infrastruktura është e gjerë. Në janar të këtij viti, Autoriteti Portual i Durrësit privatizoi operimin e terminalit të kontenierëve për 5 vjet në një tender me vetëm një ofertë. Plot 26 milionë euro të devijuara në llogarinë private të një kompanie nga Malta, ndërsa tani vetë Autoriteti hap tender 4 milionë euro për të blerë makineritë shkarkuese të kontenierëve sepse privati nuk ka detyrim për investime.
Të listosh tenderat e infrastrukturës si këta më sipër do të duhej një libër i tërë e ndoshta nuk do të mjaftonte. Por padyshim që libri do të duhet të mbyllej me qershinë mbi tortë. Ai është tenderi 15 milionë euro i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve për mbylljen e landfillit të Porto Romanos. Pa garë, pa njoftim, me negocim të drejtëpërdrejtë në tavolinë. Madje ky është tender me skenar nga pas, për të sjellë mbetjet e Durrësit në Tiranë.
Që këta tenderat më sipër janë një model suksesi, kjo është e qartë. Çështja tani mbetet; cili prej tyre e meriton medaljen e artë? Shaka e dhimbshme. Por në këtë vend ka kohë që jemi bërë të gjithë qesharakë. Kryeministrit thjesht i ka rënë barra e rëndë të drejtojë estradën.

Related Posts

Leave a comment