Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

ASFALTI I RRUGËS SË RE PO NXIN, BORXHI I FIRMËS NDAJ SENICIOTËVE NUK PO ZBARDHET

223433461_385470613171152_1656115203972498282_n

Nga Thoma NIKA –

Rruga Shënjan-Skërficë po nxin nga shtresa e re asfaltike. Madje as vijëzimet nuk mungojnë në pjesën plotësisht të përfunduar.
Mbrëmë “Jeep”-i i Arqile Çavos rrëshkiste mbi të dhe ne morëm ndjesinë se ishim mbi një pistë zhvillimi të paparë e as të ëndërruar ndonjëherë, të zonës dhe të fshatit tonë.
Në kilometrat e fundit u përshëndetëm me inxhinjerë, teknikë e punëtorë të firmës, që mbrëmja i kishte zënë mbi mjetet që sillnin, hidhnin apo ngjishnin asfaltobetonin që nxirrte avuj.
Vetëm kilometri i fundit që ndante nga gryka e Tunelit të Skërficës, ishte ende një trase e paplotë dhe e pakalueshme. Për të shkuar te tuneli, duhej të mbaje degëzimin e rrugës së vjetër, që të çon për Fushëbardhë.

Na thanë se Tunelit, i giatë diçka më tepër se 1300 metra, po i afron ora që të çahet tejpërtej, pasi për hapjen e tij punohej në 30 metrat e fundit. Na siguruan se, për punë ditësh, pra, do të “ketë dritë në fund të tunelit” dhe do të mund të shikohet me sy të lirë Ura e Kardhiqit.
Me siguri, java e re, do të sjellë lajme të reja, që lidhen me bërjen të kalueshme të rrugës Kardhiq-Sarandë.

Vetëm Senica mbetet ende një nyje e pazgjidhur, përderisa lidhja e këtij fshati me aksin kryesor, bëhet përmes një të përpjete thikë. Atë nuk e zbuti as shtrimi me material betoni të fortë, që erdhi si reagim pas protestës së banorëve, apo u dha siç jepet një “fast food”, për të thyer urinë, por që ushqen keq. Vendi i zgjedhur për të bërë daljen nga rruga kryesore dhe futjen për në fshat, nuk të përgatit për këtë devijim. Duke mos patur asnjë “xhep” e as zgjerim paraprak rruge, futesh drejt e në një malore të thiktë, që vetëm makinat 4 x 4 mund ta marrin. E kjo, në kushtet e fluksit të lëvizjes, mendohet se është baraz me aksident. Bërja e një mbikalimi, do të ishte zgjidhja ideale për Senicën, e cila, me vite përpara investimit, e kishte bërë rrugën që i duhej, me “kuletën” e vetë fshatit e sidomos të emigrantëve seniciotë. Investimi kaloi mbi pasuri të fshatit, që askush nuk ka kërkuar e as ka marrë ndonjë qindarkë dëmshpërblim.

Ama, prej firmës nuk mund të mos kërkohet , si kompensim, investimi për së mbari për lidhjen e fshatit të dëmtuar e të padëgjuar, me rrugën kryesore, në gjatësinë jo më shumë se 250 metra. Nëse ngritja e një mbikalimi quhet si “thelë mbi bisht”, pasi atje nuk është “Zogu i Zi”, le të gjendet një zgjidhje më pak e kushtueshme, por më shumë e pranueshme.

Veç të mirës së madhe publike që i vjen nga rruga e re tërë krahinës, përfshi Senicën, ende pa e shijuar këtë të mirë, seniciotëve u erdhi e keqja e tharjes për ujë. Ekskavatorët e fadromat vunë përpara si gjë pa vlerë edhe tubacionin e ujësjellësit që çonte ujë në çesmat e fshatit. Deri edhe Rrapi historik i Kodrës së Burrave të fshatit, ka nisur t’i thajë fletët nga mungesa e ujit.

Zhbërja e rrugës ekzistuese, e bërë me qindra mijë euro të hedhura nga komuniteti dhe lënia deri tani, pa lidhje me projektin e ri të rrugës Kardhiq-Delvinë, është borxhi i parë i firmës ndaj këtij fshati me të djeshme dhe të sotme e sidomos të nesërme. “Borxhi” i dytë i firmës për këtë fshat, është rikthimi i furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Nuk është pretendim në erë, që edhe Senica të shihet e trajtohet si pjesë e projektit të investimit serioz, që u bë për këtë zonë e për gjithë rajonin, që do marrë frymë e do t’i hapet një e ardhme zhvillimore, me alternativa turistike.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Edit

Leave a comment