Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Afera që e shndërroi Tiranën në një gropë të madhe septike

inceneratori-i-tiranes
Nga Klodian TOMORRI –
Gushti ka nisur i padurueshëm. Këto ditë, Tirana i ngjan më shumë Ferrit që përshkruhet në Bibël se sa një qyteti. Nga dritarja e zyrës, në rrugën përballë shoh njerëzit që nxitojnë të shpëtojnë nga vapa mbytëse. Por ndërsa njerezit përpiqen dëshpërimisht të gjejnë hije ku të munden, në kokë më lind një pyetje. Nga kush duhet të ketë më shumë frikë njeriu; nga natyra apo nga qeveria?
Zemërimet e natyrës i kemi parë të gjithë që janë të tmerrshme. Por edhe qeveria nuk bën shaka. T’i përvëlon të ndenjurat edhe më keq se vapa e padurueshme e gushtit. Dhe sapo e bëri, në fakt.
Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për t’i dhënë para Bashkisë së Durrësit si mbështetje financiare për menaxhimin e mbetjeve. Një kopje e vendimit është publikuar nga disa media. Por ajo që nuk është publikuar është aneksi i tmerrshëm bashkëngjitur. Sipas tij, qeveria do të japë çdo vit rreth 3 milionë euro fonde nga buxheti i shtetit për Bashkinë e Durrësit, që kjo e fundit të paguajë inceneratorin e Tiranës për të sjellë mbetjet këtu.
Tani ndaluni pak.
Mbështetja buxhetore për njësitë vendore jepet vetëm me ligj. Nuk jepet as me firmën e plotfuqishme të Edi Ramës dhe as me atë më pak të fuqishme të Erjonit. E megjithatë nuk është ky marifeti i madh. Hileja më tinëzare qëndron në faktin se aneksi i jep të drejtë Bashkisë së Durrësit që mbështetjen buxhetore mund ta përdorë për të bërë marrëveshje 10 vjeçare me inceneratorin.
Pra 30 milionë euro pa asnjë procedurë, por me një shkresë pacavure. Të ngrejë dorën kush ka akoma dyshime se qeveria nuk t’i skuq të ndjenjurat me keq se vapa. Dhe këta nuk pyesin për asgjë.
Inceneratori i Tiranës funksionon mbi bazën e një marrëveshje koncesioni me Bashkinë e Tiranës. Çdo shtesë mund të bëhet vetëm me ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit. Kjo është dhe pyetja e parë që duhet të shtrojnë prokurorët e SPAK. A mund të hyjë Durrësi në një koncesion 30 vjeçar me një VKM, pa procedurë?
Por më tej pyetjet mund të vazhdojnë si më poshtë:
2-Mbi çfarë sasie mbetjesh është përgatitur studimi i fizibilitetit për koncesionin e inceneratorit të Tiranës, kur u përcaktua tarifa 29 euro për ton?
3-A ndryshojnë llogaritë e tarifës tani që koncesionit do t’i shtohen edhe mbetjet e Durrësit? Eh, ekonomiksi i shkallës bën mrekullira.
4-Në këtë situatë, a duhet të kishte një studim të ri fizibiliteti për konçesionin?
5-Ku e gjen bazën ligjore qeveria të marrë angazhim 10 vjeçar me VKM?
6- A mund të jepen të paktën 150 milionë euro kontratë publike pa procedurë prokurimi? Se nuk është vetëm qyteti i Durrësit, që do të sjellë mbetjet në Tiranë, por edhe Shijaku edhe Kruja edhe Rrogozhina edhe Kavaja.
Këto janë pyetje që me shpresë një ditë do të marrin përgjigje. Dhe pisllëku në këtë rast është aq i madh sa që dikush do të duhet të mbytet. Por ka dhe një pyetje të fundit, jo më pak të rëndësishme. Ku e gjen autoritetin qeveria që të detyrojë qytetarët e Tiranës të thithin edhe gazrat e mbeturinave që prodhojnë qytetarët e Durrësit dhe qyteteve të tjera më sipër?
Ndoshta anëtarët e qeverisë nuk e kuptojnë se çfarë kanë votuar. Që ta kuptojnë mirë mbase duhet një shembull i thjeshtë. Fort të nderuar ministra, kjo që keni bërë është njësoj sikur në banjot e shtëpive tuaja luksoze të vijë komshiu dhe të kryejë nevojën familjarisht, çdo ditë për 10 vitet e ardhshme. Me një ndryshim të vogël. Kur dh*et komshiu nuk ka lekë. Por kur vijnë mbetjet e Durrësit tek inceneratori i Tiranës lëvizin 150 milionë euro.
Tani i takon SPAK-ut t’i gjejë se kush po i merr. Pyetjet i ka gati.

Related Posts

Leave a comment