Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“NJË TRYEZË E MUNGUAR E FAKTORIT SHQIPTAR”

sebastian zonja

Nga Sebastian ZONJA –

J. Bideni, asokohe zëvendëspresident, e parashikoi në 2015-ën këtë që po ndodh sot, në samitin e Brdo-Brijunit, por me Kroacinë në rol udhëheqës.

Për dekada të tëra nën komunizëm u morëm me luftën imagjinare ndaj imperializmit amerikan dhe atij sovjetik, e më pas kundër revizionizmit kinez. E gjitha ishte një komedi e madhe që luhej në kurriz të shqiptarëve, teksa pushteti komunist i asaj kohe, ndërmarrje e përbashkët mes Sigurimit dhe UDB-së, nuk lëvizte një gisht kundër shtypjes së shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. E trishta në këtë mes është se propaganda e atij sistemi ka lënë shenja të thella në mënyrën se si operon sot mendimi politik – atëbotë ishte më e rëndësishme një ngjarje në Vietnam se ajo në minierën e Bulqizës. Edhe sot, ndaj s’ka reagim për Fierin që helmohet, apo jo?

E më thellë, kjo mendësi tregon Frikën e rrënjosur nga pushteti komunist, ndoshta edhe më herët, ku fajin e kishte imperializmi amerikan për mosmbushjen e gavetës së supës, jo abuzimi i eprorit dhe skemat e këqija ekonomike të shokëve të udhëheqjes komuniste.
Po të shohësh natyrën e ligjërimeve kërcënuese që kishte pushteti komunist, ishte e gjitha në adresë të Amerikës së largët, por pa folur për shovinizmat fqinje, apo për të ndërmarrë ndonjë veprim ndaj tyre, edhe pse çuditërisht mburreshim për ushtrinë dhe gjithë popullin ushtar. Enveri kishte frikë nga shovinizmat fqinje dhe këtë mendësi frike ua përçoi edhe shqiptarëve.

Sot, me trishtim vërejmë se enveristët djeshëm kanë ndërruar perandori dhe kanë veshur petkat e proamerikanit, e në krahun tjetër, në medie e rrjete sociale ka shpërthyer një fushatë kundër imperialistëve të djeshëm, thuajse me të njëjtën gjuhë si atëherë, amerikanëve.
E gjitha ndodh se palët duket sikur po ndahen në sovranistë dhe tradhëtarë të sovranitetit. Por me gjithë këtë zhurmë, ku s’po gjejmë argumente e plane konkrete, pak po merret vesh.
Në themel të tronditjes së rendit politik që po ndodh në Shqipëri, ngjan se është ajo që parashikoi Presidenti amerikan Biden, atëherë zv-president, gjatë fjalimit të tij në samitin e Brdo-Brijunit, nëntor 2015. Presidenti amerikan do të fliste kundër elitave të korruptuara politike dhe biznesore në Ballkanin perëndimor.

Kjo është njëra anë, ku nën ombrellën e sovranitetit, si e thotë shprehja – nacionalizmi streha e fundit e maskarenjve, – duan të mbrohen elitat politiko-tregëtare të mbytura në korrpusion, e tjetra është të deshifrojmë se cc’po ndodh në rendin gjeopolitik?
Që në krye të herës, intelektualët shqiptarë do të shkruanin për katastrofën ekonomike dhe politike që solli afrimi i Shqipërisë me ish – Jugosllavinë.
Edhe sot, ndërsa Shqipëria është bërë pjesë e marrëeshjes “Open Balkans”, intelektualë të shumtë kanë artikuluar për humbjet apo përfitimet e kësaj marrëveshjeje.
Interesat strategjike të fqinjëve tanë nuk ndyshojnë kollaj. Për të bërë një pasqyrim të shkurtër, po bëjmë një radhitje të shpejtë:

Italia – Interesi kryesor i saj është për të ndaluar çdo fuqi të huaj që të dominojë në Adriatik, dhe në mënyrë indirekte të kontrollojë bregdetin e Adriatikut. Për këtë arsye, Italia mbështeti krijimin e shtetit të pavarur shqiptar në vitin 1912; në vitin 1914 pushtoi ishullin e Sazanit dhe në vitin vitin 1921 Konferenca e Ambasadorëve nënshkroi një marrëveshje duke i dhënë Italisë rolin e protektoratit mbi Shqipërinë. Sot fqinji ynë nuk ka ndonjë interes te Shqipëria, kjo duke parë investimet e pakëta dhe duke na lënë përjetë kandidatë në dyert e Bashkimit Europian. Nga sa informohemi prej medieve të ndryshme, Italia ka filluar të ketë shqetësim për rritjen në Shqipëri të ndikimit turk dhe po mundohet që ta bllokojë atë, por pa investuar sikundër Turqia në sektorë të ndryshëm në vend, veçse me retorikë.
Greqia – Fqinji ynë ka qenë gjithnjë i interesuar për një ruajtje të status quosë në vend, ndërsa në bisedimet për copëtimin e Shqipërisë mes Jugosllavisë apo Italisë, gjithnjë në tryezë dilte i ashtuquajtur Epiri i veriut nga pala greke. Për ta mirëmbajtur komunizmin në Shqipëri, dhe që vendi të kishte gjithnjë një status quo, i mbyllur me botën, ishin të interesuar të gjithë fqinjët.

Nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes edhe një aktor të rëndësishëm ndërkombëtar si Bashkimi Sovjetik që kishte interesa në Shqipëri, dhe ne ishim satelit i tij ideologjik i tij.
Bashkimi Sovjetik – Për Bashkimin Sovjetik, Shqipëria paraqiste një bazë të avancuar, me zhvillime të qëndrueshme, dhe që mund të përdorej nga forcat ajrore sovjetike dhe ato detare për të kontrolluar Mesdheun. Sot Rusia ka ndryshuar aleat të sajin dhe ka Serbinë. Baza ruse është në Nish të Serbisë, ndërsa Shqipëria ka ndryshuar kurs duke u anëtarësuar në NATO.

Serbia – Që nga viti 1948 Tito, udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, filloi bënte politikë pro sovranitetit të Shqipërisë në 28 mijë kilometra katrorë, por pa lënë anash edhe projektet për ndarje duke përkrahur propozimet e Greqisë për një ndarje të Shqipërisë midis saj dhe Jugosllavisë. Pati probleme me grupin e shqiptarëve që emigruan në Itali prej komunizmit dhe që kërkonin krijimin e një Shqipërie etnike dhe për të goditur këtë linjë ai instrumentalizoi Lidhjen e Refugjatëve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi, në maj të vitit 1951, ku synonte goditjen e stalinizmit në Shqipëri dhe kthimin kah titizmi.

Sot ish-Jugosllavia është shpërbërë me luftë dhe Serbia është pa dalje në det dhe me zhgënjimin të fortë nga Bashkimi Europian. Lavdia e dikurshme ka rënë dhe vendi po përballet me probleme të mëdha me korrupsionin dhe qeverisjen gjithnjë e më autokratike. Përkundrejt lojës së dyfishtë që ka bërë gjithnjë diplomacia serbe, laku sa po vjen e po ngushtohet, ku modeli qeverisës që ende ka valencë është ai demokratik amerikan, por politika srbe krkon që lidhjet t’i ketë më të mira me rusët dhe kinezët.
Sa i përket vendit tonë, ne jemi bërë pjesë e një projekti të pagëzuar këtë javë “Ballkani i hapur”. Ngjan se projekti është me mbështetje amerikane. Dikur gjermanët nisën Procesin e Berlinit, por ka gjasë se për ndonjë projekt të vetin, amerikanët duan primacinë në këtë pjesë të kontinentit europian.
Amerikanët sot në kuadër të NATO-s apo vetë, kanë bazën e tyre ajërore në Kuçovë dhe një bazë tjetër në Ferizaj. Pra, nga ana e strategjisë ushtarake, amerikanët e kanë blinduar fakorin shqiptar për të mos lëvizur me rusët apo me kinezët.

Ajo që ngelet për t’u marrë në konsideratë është së cili është interesi ynë, e më pas ai euroatlantik, për një “Ballkan të Hapur”?
Kosova doli me luftë nga vasaliteti që ishte nën ish-Jugosllavi, e sot duket se e ka të vështirë që të bëj përpara në ekonomi e politikë, se aq të thella ishin fijet e pushtuesit.
Shqipëria po i bashkohet një procesi që vendet e mëhershme të ish-Jugosllavisë, Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi, druhen që t’i bashkohen.

Në njërën anë kemi një refuzim të BE-së për të çelur negociatat, në krahun tjetër kemi izolime, secili vend më vete në Ballkan, ndërsa shtyhet përpara një propozim për “Open Balkans”.
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të krijojë tryeza me intelektualë, politikanë, ekspertë e diplomatë, për të zgedhur se çfarë do të bëjmë. Veprimet e një kryeministri, kushdo qoftë ai, mund të zhbëhen nëse palët që ulen në tavolinë krijojnë konsensus për rrugën që do të zgjedhim. Këtë bëjnë kroatët, këtë bëjnë edhe amerikanët.

Pas një shekulli e pak shtet, shto edhe një shtet të ri shqiptar në Ballkan, pa lënë anash faktorët vendorë shqiptarë në Mal të Zi, Maqedoni apo Serbi, sigurisht edhe emigracioni te fqinjët grekë apo Italianë, shqiptarët dinë si të ndërtojnë plane të mirëfillta ku e shohim veten pas 30 vjetësh.
Sepse, në të kundërt, thirrjet kundër aleatëve strategjikë, të paguara apo jo, lënë një shije shumë të hidhur, për të mos thënë ndërhyrjen e propagandave të tjera në politikën e një vendi të vogël si Shqipëria.

Për të mos dalë në përfundime të shpejta dhe të pamatura, desha të sjell në vëmendje edhe një shkrim të presidentit amerikan Biden, atëherë zv\president, në “Financial Times”, më 2 korrik 2013, ku thoshte se Kroacia duhet që t’i prijë Ballkanit për në Bashkimin Europian.
Këto fakte, sigurisht dhe të tjera, besoj se intelektualët dhe diplomatët shqiptarë i dinë më mirë, dhe mund të na shërbejnë që të kuptojmë më qartë, pa zhurmat e propagandave dhe të sherreve të stisura, se çfarë do të bëjmë e cila është më e mira për shqiptarët!

Leave a comment