Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Çfarë fshihet pas arrestimeve të liderëve të UÇK?

228207754_10223278386221728_8107487939237206291_n

Endrit Topalli, Prokurori shqiptar në Oakland County, Michigan, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mbi arrestimet e liderëve të UÇK, qasjen e administratës Biden ndaj emigrantëve, vlerësimin mbi reformën në drejtësi në Shqipëri, gjykimin e tij për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, integrimin evropian të Shqipërisë dhe nevojën e faktorizimit, bashkimit, integrimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve të Amerikës. Me Endrit Topalli bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ÇFARË FSHIHET PAS ARRESTIMEVE TË LIDERËVE TË UÇK?

Arrestimet në Kosovë janë arrestime të një politike europiane të dështuar dhe një tentativë e kësaj politike që të mbajnë Serbinë në anën e saj. Europa historikisht e ka përdorur Shqipërinë dhe shqiptarët sipas interesave të saj. UÇK-ja ka qenë organizimi më i rëndësishëm dhe më patriotik i popullit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore, veçanërisht mbrojten e njerëzve të pafajshëm nga spastrimi etnik nga paramilitarët Serbë. Është e njohur botërisht se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe ky fakt është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, e cila sulmet e NATO-S mbi trupat serbe i konsideroi se ishin në mbështetje të parimit ndërkombëtar  “E drejta për vetëvendosje”. Vlerësoj se akuzat e ngritura janë të pa mbështetura në prova dhe fakte reale apo të marra në përputhje me ligjin dhe në gjykimin tim këto akuza janë produkt i politikës serbe. Natyrshëm lind pyetja: Si ka mundesi që pas 13 vitesh si shtet i pavarur, lejohet që në Kosovë të vijë një strukturë kriminale në pushtet? Pse pikërisht tani që negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës janë asgjëkundi ngrihen këto akuza? Duket qartazi se janë manovra politike për të detyruar lidershipin e Kosovës për të pranuar kushtet që kërkon të imponojë Serbia.

A DUHET PADITUR SERBIA PËR GENOCIDIN E KRYER NË KOSOVË?

Ligjërisht Shqipëria nuk mundet pasi genocidi nuk është ushtruar në territorin ku ajo ushtron juridiksion. Kosova në bazë të ligjeve ndërkombëtare ka të drejtë absolute për ta bërë këtë gjë. Kosova ka dëme të llogaritshme njerëzore dhe ekonomike që mund të kalkulohen siç janë bërë dhe më përpara në luftëra të tjera. Institucionet e Kosovës që kanë të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara mund t’i përdorin ato si fakte para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për të vërtetuar genocidin e ushtruar dhe personat konkret që e kanë kryer. Pavarësisht se ka kaluar kohë e gjatë dhe një pjesë e provave janë zhdukur, kanë humbur ose asgjesuar, dëshmitarët mund të kenë ndërruar jetë, personat që kanë shkaktuar genocidin mund të kenë ndërruar identitet dhe duket pak e pamundur që të ketë një iniciativë reale në këtë drejtim për të vënë në vend dinjitetin e popullit kosovar. Kosova dhe Shqipëria duhet t’i bashkojnë forcat për të lobuar fuqishëm në SHBA dhe Europë për ti bindur aleatët për të lejuar dhe mbështetur këtë padi të domosdoshme. Serbia nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në asnjë organizatë ndërkombëtare pa pranuar krimet e kryera në Kosovë. Ballkani nuk do të ketë stabilitet derisa masakrat e Serbisë në Kosovë të njihen me rezolutë nga OKB dhe SHBA .

A KA NDRYSHUAR QASJA E ADMINISTRATËS BIDEN NDAJ EMIGRANTËVE?

Administrata Biden nuk ka ndonjë qasje të re ndaj emigrantëve përveç se po lejon hyrjen e emigrantëve ilegal në kufirin jugor. Biden po vazhdon me deportimet me të njëjtin ritëm siç ishte dhe Presidenti Trump. Çështja e emigracionit është një çështje sensitive çdo herë që ka zgjedhje presidenciale në Amerikë. Ndryshimet ligjore nuk janë madhore përveç se individëve që përfitojnë nga DACA. Personat që janë në procese deportimi dhe sidomos ato me background kriminal do të vazhdojnë të deportohen si më parë. Buja mediatike është e madhe përsa i përket administratës Biden kundrejtë emigrantëve, por realiteti është i njëjtë dhe asgjë nuk do ndryshojë. Asnjë qeveri nuk ka interes të mbajë emigrantë me background kriminal dhe as emgrantë që mund të përbëjnë nje rrezik në të ardhmen.

SI E VLERËSONI REFORMËN NË DREJTËSI NË SHQIPËRI?

Në Shqipëri ka lindur nevoja për reformimin e sistemit të drejtësisë për shkak të korrupsionit të madh dhe humbjes së besimit të publikut tek prokuroria dhe gjykatat shqiptare. Megjithatë, pavarësisht bujës së madhe dhe investimit shumë të madh financiar për realizimin e kësaj reforme, mendoj se ajo nuk e ka arritur qëllimin për të cilin u hartua dhe u zbatua. Aktualisht kjo reformë ka sjellë një “kolaps” në sistemin gjyqësor, ku pritet që pas 4 muajsh të jemi totalisht pa gjykata. Si mund të pretendohet për reformë kur Shqipëria ka që nga 2018 pa Gjykatë Kushtetuese? Anëtaret e emëruar nuk janë në numër të plotë dhe shumë çështje kanë mbetur pa u gjykuar.

Gjykata Kushtetuese është garanci për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, është garanci për ligjet dhe aktet nënligjore jo kushtetuese. Ndërkohë në 4 vjet asnjë ligj nuk ka pasur mundësi të kontrollohet nga gjykata nëse plotëson kriteret kushtetuese. Së dyti, Gjykata e Lartë nga 19 anëtarë, aktualisht ka vetëm 9 anëtarë dhe një mal me dosje që janë pa u gjykuar. Njerëzit presin me vite për një vendim përfundimtar dhe kur e realizojnë të drejtën, ajo nuk ka më vlerë. Në gjykatat e Apeleve dhe të Rretheve numri i gjyqtarëve që kanë mbetur është shumë i vogël duke sjellë që praktikisht të mbetemi pothuajse pa gjykata. E njëjta gjë vlen për të gjitha nivelet e Prokurorive. Në vlerësimin tim forma që u përzgjodh për të bërë Vetingun në Shqipëri nuk ka qënë e mirëmenduar, pasi nuk janë llogaritur pasojat e largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë.

Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka resurset e mjaftueshme për të krijuar profesionistë të tjerë që do të mbushin vendet në sistemin gjyqësor. Mbi të gjitha, vlerësoj se reforma nuk ka pasur standarte të qarta e të sakta. Polemikat fillojnë që tek personat që janë zgjedhur si anëtarë të KPK dhe të KPA, të cilët shpeshherë janë akuzuar për lidhje politike dhe që nuk kanë kriteret ligjorë për të vlerësuar gjyqtarët e prokurorët. Reforma në drejtësi është si ajo shprehja popullore “ ca të nënës e ca të njerkes”.Vetingu është kthyer në proces selektiv që bazohet në preferencat e partisë në pushtet dhe Krimit të organizuar. Ka pasur raste kur janë larguar profesionistë për arsye ordinere, e ndërkohë kanë kaluar Vetingun persona që pasuria e tyre nuk justifikohej apo profesionalizmi ka qënë me të meta.

Akuza të forta ka se Vetingu është kthyer si një tregti, ku ai që paguan më shumë kalon Vetingun. Shpeshherë ai po përdoret si mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga politika duke mos lejuar që ata të marrin vendime të drejta, të pavarura dhe profesionalisht të pandikuara. Reforma nuk bëhet nga amerikanët, as nga BE sado të angazhuar të jenë ata.

REFORMA DUHET TË BËHET NGA NJERËZ ME INTEGRITET TË LARTË

Reforma duhet të bëhet nga shqiptaret dhe nga njerëz që kanë kaluar vetë disa filtra për integritetin e tyre. Nëse anëtaret e KPK dhe KPA nuk kontrollohen për pasurinë e tyre apo nuk e justifikojnë atë, si mundet ata të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët që janë pushteti i tretë? Në këtë proces shpeshhere nga nxitimi, nga mungesa e profesonalizmit apo dhe nga justifikimi politik se po krijojmë Drejtësinë e Re, Shqipëria ka përfunduar deri aty sa s’ka fare sistem gjyqësor dhe është shumë herë më keq se ishte në 2016 kur u miratuan ligjet e Reformës. Mendoj se do të duhen të pakten 10 vjet për të parë realisht efektet e kësaj reforme dhe ndikimin e saj tek qytetarët shqiptarë.

Mbetet për tu parë cilët do të jenë hapat në vijim, pasi mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbaron dhe duhet të bëjnë ndryshime ligjore me 3/5 në Parlament, në menyrë që të perfundojë Vetingu për pjesën e mbetur të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pjesa më e madhe e të larguarve nga sistemi janë ankuar në Strasburg, dhe nëse ndonjëri prej tyre do të fitojë çeshtjen, kjo do të ishte një shkelm për të gjithë reformen për mënyren sesi ajo është aplikuar dhe nëse ka garantuar një proces të rregullt ligjor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve apo ka vendosur mbi ta dhe kushte apo barrë joproporcionale për të justifikuar dhe pasuri të krijuara nga familjaret e tyre në një ekonomi informale si ajo në Shqipëri.

GJYKIMI JUAJ PËR INSTITUCIONET E DREJTËSISË NË SHQIPËRI

Shqipëria ka shumë njerëz profesionist dhe të përgatitur në sistemin e drejtësisë. Problemi qëndron tek varësia e drejtësisë tek politika. Nuk mund të kesh drejtësi të pavarur, nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për çështje politike apo që lidhen me organizimin e shtetit dhe që përbejnë parimet e një shteti demokratik, nuk marrin vendime efektive dhe që disiplinojnë çdo qeveri apo organ kushtetues. Një nga çështjet më të diskutuara ka qënë zhvillimi i zgjedhjeve vendore në vitin 2019 pa pjesëmarrjen e opozites dhe nëse u shkelen parimet për zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe sipas parimit të pluralizmit. Në çështje të tilla me rëndësi për demokracinë, gjyqtarët duhet të tregojnë kurajo profesionale, të ndjekin shembujt më të mirë të praktikave botërore dhe të japin vendime pa pasur frikë se i pëlqejnë apo jo qeverisë në pushtet.

Vendimmarrje të tilla mbeten në histori dhe Gjykata Kushtetuese duhet të jetë për forcimin dhe garantimin e shtetit të së drejtës dhe jo për shkatërrimin e tij. Komisioni i Venecias pavarësisht ekspertizes së kualifikuar, jep rekomandime dhe jo vendime detyruese. Për këtë shkak unë vleresoj se jo në çdo rast duhet t’i drejtohemi atij. Në vendimmarrjet e fundit, anëtarët në detyrë të Gjykatës Kushtetuese kanë treguar mungesë guximi për të dhënë vendime të rëndësishme, duke përdorur artifica si marrja e një mendimi paraprak nga Komisioni i Venecias. Zgjatja në kohë e vendimmarrjes e humb aktualitetin dhe nuk sjell efektin e dëshiruar kushtetues.

NGA SE VUAN DREJTËSIA NË SHQIPËRI?

Institucionet e Drejtësisë vuajnë nga pavarësia, pavarësisht mekanizmave që janë përdorur për ta garantuar atë. Si një vend i vogël është e pamundur që të shpëtojnë nga ndikimi i politikës. Gjyqësori ka frikë të japë vendime që nuk janë në interes të qeverisë sepse Vetingu përdoret si mjet për t’ju bërë presion gjyqtarëve. Sistemi gjyqësor duhet të ketë paga më të larta për të evituar korrupsionin dhe stafe suportuese për të ulur ngarkesën e gjyqtarëve. Një gjyqtar në Gjykatën e Tiranës mund të ketë 600-700 dosje në gjykim dhe një ngarkesë e tillë sigurisht që sjell dhe mungesë cilësie në vendimmarrje. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kenë këshilltarë ligjorë dhe staf administrativ që të përmirësohet cilësia e vendimmarrjes, shpejtësia të rritet dhe qytetarët të marrin shërbimin në kohën e duhur.

INTEGRIMI EVROPIAN I SHQIPËRISË NJË PROCES SA POLITIK PO AQ INSTITUCIONAL E LIGJOR…

Do të thoja është më shumë politike sesa ligjore. Shqipëria ka ndërmarrë që prej vitit 2006 me nënshkrimin e MSA-së të gjitha hapat e nevojshme për përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjes së standarteve të BE. Për çdo vit i vendosen kushte të reja dhe përdoren si motiv mosdhënien e statusit. Mendoj se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duan kohë për anëtarësim në BE. Aq më tepër në kushtet aktuale kur vetë BE ka probleme brenda vetes, kur ka shtete që duan të largohen, sidomos pas largimit të Anglisë. Duket se BE nuk ka plan zgjerimi të afërt, pasi nuk po zgjidh dot problemet e tij. Mbi të gjitha do të duhen reforma dhe përmirësime reale në shtetin shqiptar që e afrojnë atë me standartet europiane dhe do të krijonin mundësinë për të qënë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare. Sigurisht ekspertiza ndërkombëtare ka rolin e saj, por mendoj se kjo gjë varet nga vullneti i brendshëm i shtetit shqiptar dhe kjo mbetet që pushtetarët ta marrin seriozisht këtë angazhim në interes të qytetarëve shqiptarë.

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE NEVOJA E FAKTORIZIMIT, BASHKIMIT, INTEGRIMIT DHE PËRFAQËSIMIT…

Shqiptarët e Amerikës kanë qënë, janë dhe do të jenë faktor për Shqipërinë dhe Kosovën. Por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës duket sikur diaspora ka rënë në gjumë dhe nuk është shumë aktive. Ka ardhur koha që shqiptarët e diaspores të përfshihen në politikën amerikane në mënyrë direkte, që do të thotë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të hedhin kanditatura për poste drejtuese në komunitetet ku ato jetojnë përqark Amerikës. Shqiptarët janë integruar më së miri në fusha të ndryshme profesionale këtu në Amerikë por jo në sferen e politikës. Ne duhet të kemi përfaqësuesit tanë në Kongres dhe Senate dhe jo të kemi lobues ose përfaqësues indirekt të shqiptarëve. Duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të lobojmë fuqishëm kundra lobit Serb në Amerikë që për fatin tonë të keq po bën një punë të mirë kundrejt interesave shqiptare. Lobi Serb nuk ka ndalur së punuari në Kongres dhe Senate që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në kohën që ne jetojmë “luftërat” janë diplomatike më shumë se asgjë tjetër. Duhet të kemi një organizim më serioz përsa i përket organizatava shqiptare që jetojnë në Amerikë. Dhe të kemi një lidership me një mandat të caktuar që të avancojë çështjen shqiptare dhe interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe më gjërë. Është koha për tu zgjuar nga gjumi dhe gjenerata e ardhshme e shqiptaro-amerikanëve të jetë prezente në dhomën e Kongresit dhe Senatit. Zoti i bekoftë shqiptarët e Amerikes dhe kudo që ndodhen./Dielli

*Këto janë mendimet e mia personale dhe nuk përfaqësojnë mendimet ose idetë e një organizate ku unë jam i punësuar. 

Related Posts

Leave a comment