Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shokët e Grenellit

Enver-Robelli-750x406

Nga Enver ROBELLI –

Jetën e natës në Beograd Richard Grenelli e kishte shijuar i shoqëruar nga Sinisha Mali, ministër i Financave i Serbisë. Si prefekt i Beogradit Mali, sipas mediave të pavarura serbe, ka blerë 24 banesa në bregdetin bullgar. Vlera e banesave: 5 milionë euro. Banesat i kishte blerë nga drejtori i kompanisë ruse “Lukoil”, të cilës Mali më 2003 i kishte ndihmuar të privatizojë pikat e karburantit “Beopetrol”.

Mali është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit serb. Mali është njëri nga kampionët e skandaleve në Serbi. Universiteti i Beogradit ia ka marrë titullin “doktor shkence” për shkak të plagjiaturës. Akuzohet për përvetësim të 10 hektarëve pronë publike. Kur ka punuar në Agjencinë e Privatizimeve Mali i ka ndihmuar babait të tij për të privatizuar fabrikën e vagonëve “Bratstvo”. Ekzistojnë dyshime se Mali është marrë me spastrim parash. Përmes një kompanie “offshore” ka blerë një veturë Mercedes dhe kështu iu ka shmangur tatimeve. Ish-gruaja e tij Marija Mali ka treguar se Sinisha M. ka dy banesa në Kopaonik dhe një banesë luksoze në Beograd, për të cilat nuk e ka njoftuar Agjencinë kundër Korrupsionit. Mali ka bashkëpunuar me Stanko Subotiqin, njërin prej kontrabandistëve më të mëdhenj të cigareve në Ballkan.

Mbrëmjen me Grenellin Sinisha Mali e kaloi në klubin “Lafajet” në Beograd. Menaxher dhe njëri nga pronarët e klubit është Aleksandar Kajmakoviq, i quajtur Aca Bosanac, i cili është arrestuar së fundi në Beograd. Kajmakoviq dyshohet për lidhje me një grup mafioz serb që ka masakruar njerëz për të realizuar synimet për dominim në nëntokë. Ky grup duket se ka pasur përkrahjen e shtetit.

Kjo është bota në të cilën sillet e vërtitet Richard Grenelli. Thuhet se ka plane të ndërmjetësojë në biznese patundshmërish në Beograd. Në Berlin, ku ka qenë ambasador i Donald Trumpit, atë nuk e pret askush. Është e paimagjinueshme që ai të pritet nga ndonjë ministër gjerman. Ndryshe në Beograd. Dhe në Tiranë. Edhe atje i takoi të gjithë pushtetarët – kryeministrin, presidentin… Në Beograd Grenelli nuk ia përmendi Vuçiqit shkeljen e premtimit për të hapur ambasadën serbe në Jerusalem. As nuk u përmendën ato miliardat që Grenell i kishte premtuar pas nënshkrimit të marrëveshjes së Washingtonit. Sa propaganda mediale qe bërë në Kosovë lidhur me ato miliarda…

Related Posts

Leave a comment