Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Shtylla të avantazhit strategjik për Kinën

cipa-780x405

Nga Aleksandër ÇIPA –

 

Strategjia e Kinës për të mbajtur në epiqendër të projekteve zhvilluese të ekonomisë inovacionin dhe ndryshimet infrastrukturore, sipas vëzhguesve dhe analistëve, vlerësohet si një prioritet që po i sjell Pekinit një avantazh global. Në gati dy dekadat e fundit, ky vend po bazohet më së tepërmi në metodologjitë pragmatiste të interesit ekonomik dhe ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike bazuar mbi këtë interes. Duke e pasur në plan të parë ekonominë, politikëbërësit kinezë kanë piketuar të ashtuquajturat shtylla të avantazhit strategjik të vendit të tyre në raport me vendet e tjera. Këto shtylla janë të lidhura me lëmitë më të rëndësishme të veprimtarisë ekonomike.

Nisur nga ky këndvështrim, projektet e detajuara rigorozisht në planet periodike të Pekinit zyrtar mbartin elemente të theksuara strategjike për ndryshimet infrastrukturore. Megjithatë, ato nuk janë të vetme, por janë të mbështetura nga një veprimtari e gjerë shumë-frontëshe. Në vijim të zhvillimeve të rëndësishme, si brenda Kinës, por, mbi të gjitha, në rrafshin ndërkombëtar dhe të konfigurimit të skenës botërore, Kina po i mëshon disa shtyllave ku mund të gëzojë një avantazh strategjik ekonomik. Pikërisht këto fusha vlejnë për t’u shqyrtuar me vëmendje.

Fillimisht, në të gjitha llojet e transporteve dhe kapaciteteve teknologjike, Kina mbetet në objektiva një lojtar thelbësor global. Projektimi për determinim të kapilarëve kryesorë ndërkombëtarë të trafikut rrugor dhe të krijimit të shkurtimeve apo kohëfitimeve transportuese nëpër distancat kontinentale dhe rajonale ka sjellë si produkt rritjen e gjurmës së Kinës në rajone të rëndësishme të globit. Në këto marrëdhënie, Pekini argumenton se ofron në tavolinë shtimin dhe përfitimin tregtar, rritjen sasiore të shkëmbimit dhe qarkullimit të mallrave, si dhe zgjerimin e investimeve të drejtpërdrejta kineze.

Në këtë kuptim, strategjia për dominim prej zhvillimit infrastrukturor, ka shtuar mundësinë për një avantazh diplomatik tregtar dhe ekonomik në tërësi. Koha e realizimit dhe vënies në funksion të projekteve të mëdha, sidomos atyre që lidhen me partneritete bilaterale, është një tjetër avantazh i konsideruar prej investitorëve dhe zbatuesve kinezë. Fuqia e tyre realizuese, suporti i madh teknologjik dhe industrial, si dhe kapacitetet në rritje po i japin këtij vendi gjithnjë e më tepër një autoritet në gara apo përballje të tilla zhvillimore.

Linjat hekurudhore, ato detare, shtimi numerik i lidhjeve dhe linjave ajrore, përtej vështirësive të shkaktuara nga COVID-19, janë përditshmërisht një dimension sfidant i Kinës. Duke përqafuar masa përparuese në të tëra këto linja, Kina ka hedhur një hap të mëtejshëm për të mundësuar një prezencë të shtuar.

Kina e ka bërë një hap përpara edhe në fushën e komunikimit dhe të navigimit satelitor. Sistemi global i navigimit satelitor Beidou-3 duket sikur po hap perspektiva të reja zhvillimore dhe ndërveprimi ekonomik me vende të tjera. Në fakt, Drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Sistemit të Navigacionit Satelitor të Kinës, Ran Chengqi deklaroi rishtazi se produktet industriale të lidhura me Beidou janë eksportuar në më shumë se 120 vende tashmë. Për më tepër, ai bëri të qartë se objektivi i qeverisë kineze ishte që shërbimet e pozicionimit të nivelit të centimetrit Beidou të jenë në dispozicion në të gjithë botën brenda vitit 2025.

Kronika e deklarimeve dhe përfaqësimeve të dendura kineze në ngjarje apo veprimtari dhe institucione globale janë shprehje e plotë e mësymjes së saj ekonomike dhe sidomos hapjes së kapitalit kinez në hapësirat e tregut ndërkombëtar. Perspektiva e kësaj hapjeje të tregut të kapitaleve të saj është e dukshme dhe qartazi po u drejtohet kanaleve për investitorët e huaj. Strategjia kineze e mishëruar në programe dhe plane të strukturuara për vijimin e hapjes së tregjeve, industrive dhe produkteve për investitorët e huaj, duke rritur njëkohësisht edhe mbikëqyrjen ndaj rreziqeve paraprake, po imponohet jo vetëm si qasje, por edhe si prezencë.

Në tre-katër vitet e fundit, këtyre shtyllave u është shtuar edhe një aspekt tjetër me peshë dhe pretendim tregu: shtrirja e rrjetit të universiteteve lindore apo arsimit kinez. Në këtë kuadër, ishte gatishmëria e kryeministrit hungarez Victor Orban për të hapur në Budapest një kampus të universitetit të njohur kinez Fudan që tregoi se edhe vendet e Bashkimit Europian janë subjekte të mundshme të këtyre zhvillimeve. Planifikimet dhe investimet e qeverisë kineze në fushën e edukimit janë një tjetër element që meriton vëmendje.

Janë këto disa prej shtyllave themelore të fuqizimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të Kinës, si vend që po synon të ribëjë arkitekturën globale dhe të dominojë tregjet në rajone të ndryshme të globit. Këto politika ekonomike të saj kanë ndërlidhje të forta me strategjinë dhe synimet prej superfuqie, prandaj ekziston dhe rreziku të ketë reagime dhe përballje gjithmonë e më të theksuara të natyrës ekonomike ndërmjet vendeve perëndimore dhe Kinës.

Në mbështetje shëndoshëse të sektorëve ekonomikë dhe të zgjerimit të gjurmës ekonomike në botë do të jetë përcaktuese jo vetëm diplomacia tregtare, por edhe aftësia e navigimit të gjeopolitikës dhe të konkurrencës së egër që pritet të materializohet gjithmonë e më shumë.

 

Related Posts

Leave a comment