Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KLSH i ndërpreu pushimet shefit të emergjencave, kalon në skaner tenderët…

auto_a21628147444

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur auditin e tenderëve të zhvilluar nga Emergjencat Civile për blerjen e pajisjeve dhe fondet e përdorura prej tyre.

Mungesa e kreut të emergjencave, Haki Çako kishte “ngrirë” auditin e KLSH-së për dokumentacionin e kërkuar për këtë qëllim, ndërsa vetë Çako e cilësoi të panevojshme thirrjen publike të kreut të KLSH-së për t’u kthyer në detyrë dhe të ndërpresë pushimet.

KLSH-ja më 30 korrik, nisi kontrollin ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve, por duket se kjo është refuzuar nga Emergjencat Civile.

Vetë KLSH-ja shprehet se ka marrë nga Emergjencat Civile përgjigjen se “Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako është me pushime deri në datën 9 gusht dhe KLSH-ja nuk mund të auditojnë në institucion pa u kthyer drejtori i Përgjithshëm”.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, i ka bërë thirrje Haki Çakos që të kthehet në detyrë për shuarjen e vatrave të zjarreve, sepse situata është problematike si dhe të mos bllokojë kontrollin në institucionin e tij.

Dy ditë më parë, Çako pohoi se janë të pakta mjetet në dispozicion të Emergjencave Civile për shuarjen e zjarreve. Ai u kërkoi punonjësve të Emergjencave në Vlorë që të përdorin “lopata, sopata, sharra e motosharra dhe çdo mjet tjetër për të krijuar një kordon që do ndërpriste përhapjen e flakëve mbi Karaburun”.

Ndihma

Drejt Shqipërisë do të vijnë shumë shpejt 3 helikopterë për të mbështetur operacionet për fikjen e zjarreve, një nga Çekia dhe dy nga Holanda në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.

Ndërkohë që nga autoritetet holandeze është njoftuar se do të vijnë dhe 47 ushtarakë.

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të dërguar ndihmë, ndërsa zjarret janë ndezur në të gjithë Europën. Falënderoj Qipron, Çekinë, Francën, Slloveninë dhe Holandën që vendosën me shpejtësi aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish për të mbështetur vendet e prekura shumë nga zjarret në pyje. Ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të BE-së në kohë nevoje”, është shprehur Komisioneri për Menaxhimin e Krizave në BE, Janez Lenarçiç.

Holanda konfirmoi dje ardhjen e 2 helikopterëve nga ky vend në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve.

Helikopterët mbërrijnë të premten, ndërsa operacionet fillojnë të shtunën.

“Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE-së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë. Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë ‘Chinook’.

‘Chinook’-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira. Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet shqiptare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike.

Helikopterët “Chinook”, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë”, thuhet në mesazhin e ambasadës./Syri

 

Leave a comment