Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Relacioni i ambasadorit nga Roma: Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kërkon të vijë në Shqipëri për të takuar ish-priftin katolik Nikolla Troshanin

233907545_316178216921865_875872790332476596_n
Publikohen disa dokumenta të panjohura të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një korrespodenca e ambasadës shqiptare në Romë, me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku ambasadori shqiptar, Dashnor Dervishi, informon ministrin Reiz Malile dhe eprorët e tjerë të tij në Tiranë, lidhur me letrën e dërguar pranë asaj përfaqësie diplomatike nga ana e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit, Angelo Sordano, i cili shprehte dëshirën për të ardhur vetë në Shqipëri, me qëllim për të takuar ish – priftin katolik, Monsinjor Nikolla Troshanin, i cili pasi kishte kaluar vite të tëra në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në atë kohë punonte në bujqësi në fshatrat e rrethin të Lezhës.
Korrespodenca e plotë në mes ambasadës shqiptare në Romë dhe titullarëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ku përveç interesimit të madh të shfaqur nga Vatikani për ish – Peshkopin, Nikolla Troshani me të cilin ata kishin humbur çdo lidhje që nga koha e burgosjes së tij dhe nuk dinin nëse ai jetonte ende, si dhe përgëzimet ndaj qeverisë shqiptare për pritjen që i bëri Nënë Terezës, ambasadori Dervish i bën me dije eprorëve të tij, se dy profesorët e Teologjisë në Universitetin e Romës, Andrea Rikardo dhe Damako në Universitetin e Barit, i kishin thënë se: Vatikani po shfaqte interesim të madh për zhvillimet në Shqipëri dhe veprimtarinë e saj në arenën ndërkombëtare, ku në mënyrë të veçantë Selia e Shenjtë, po shprehte interes për integrimin e Shqipërisë në KSBE dhe po ndërhynte pranë qeverive të Europës Perëndimore, që të mbështesë hyrjen e saj në KSBE, para se të mblidhej konferenca e Helsinkit, etj., e deri tek përpjekjet e ambasadorit shëtitës të Vatikanit në vëndet e Europës Lindore, Kolosuono, i cili i kishte konfirmuar se Vatikani kishte përgatitur dyzet peshkopë shqiptarë nga Kosova, në shkollat e Romës dhe po bëhej gati të krijonte diogjenezën me qëndër në Prishtinë, që do të varej direkt nga Roma.
Nisur nga kalvari i gjatë gati 45 vjeçar i Klerit Katolik në Shqipëri nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, ku me dhjetra klerikë u pushkatuan (me dhe pa gjyq), u burgosën dhe internuan, si dhe ndryshimit të klimës politike në pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore pas rrëzimit të murit të Berlinit, ku si rezultat edhe Tirana zyrtare në majin e vitit 1990 dekretoi ligjin mbi lirinë e besimeve fetare, Selia e Shenjtë e Vatikanit me në krye Papa Gjon Palin e Dytë, nëpërmjet e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit, Angelo Sodano, si dhe diplomatavë të saj të akredituara në vënde të ndryshme të botës, menjëherë filloi “të lëvizë gurët” që të hynte në bisedime me qeverinë e Tiranës, të cilës fillimisht i kërkonte informacione për ish-priftin katolik, Monsinjor Nikolla Troshani, pasi ata kishin humbur çdo lidhje me të që nga koha e dënimit e burgosjes së tij dhe nuk e dinin nëse ai jetonte ende! Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një sërë dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ku ndodhet një dosje voluminoze me korrespodencën e ambasadës shqiptare në Romë me eprorët e tij në Tiranë, të cilën Memorie.al e publikon për herë të parë për lexuesit e saj, në disa numra të rubrikës historike dossier.
Letra e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit, Angelo Sodano, dërguar më datën 15 dhjetor të vitit 1990, priftit katolik, Monsinjor Nikolla Troshanit, i cili punonte në bujqësi në rrethin e Lezhës
Shkëlqesisë së Tij të Nderuar
Monsignor NIKOLLA TROSHANI
Peshkopi i titulluar i Cisamos
Administrator Apostolik i Durrësit e Lezhës
Shqipëri
SEKRETARIA E SHTETIT
Nr.7956/90/RS Nga Vatikani, 15 dhjetor, 1990
Shumë i Nderuari shkëlqesi,
Me përvjetorin e shpejtë solemn të Lindjes të Zotit tonë, Jezu, kam rastin e lumtur që t’i drejtohem Shkëlqesisë Suaj me këtë letër. Ai që Ju shkruan, është pro-sekretari i ri i Shtetit, arqipeshkopi Angelo Sodano, i thirrur pak ditë më parë nga besimi i Atit të Shenjtë Papa Gjiovani II-të, për të zëvendësuar Lartësinë e Tij, Kardinalin Agustino Kazaroli.
Lartësia e Tij Papa, më ka besuar mua detyrën e nderuar t’Ju transmetoj Juve, shprehjen atërore e të përzemërt të përshëndetjeve të Tij të zjarrta, për misionin pastoral të Shkëlqesisë Tuaj. Është kjo një detyrë që, në fillimet e shërbimit tim, e kryej me zell të madh, jo pa përgjërim kur mendoj se një pjesë e madhe e ekzistencës Suaj, ka kaluar përmes vuajtjesh, poshtërimesh të panumërta, por të përballuara me kurajo të madhe, në sajë të dashurisë për Krishtin dhe për Kishën Tuaj të Shenjtë.
Në rrjedhën e këtyre viteve të një prove të rëndë, Ati i Shenjtë, më se njëherë ka ngritur zërin që të dëgjohet nga të gjithë bijtë Tuaj të Shqipërisë, pjesmarrja e plotë në vuajtjet e tyre të dhimbshme dhe “tronditja e vazhdueshme” e Tij, (Roma, 27 prill 1987) për ndodhitë e asaj (…) Kishe heroike (….), të munduar nga një persekutim i gjatë e i rëndë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj: peshkopë, priftërinj, fetarë, fetare, besimtarë (…) (Otranto, 5 tetor 1980), pa pushuar së kërkuari Zotit të Mbifuqishëm, qetësi e paqe edhe për të gjithë kombin shqiptar.
Edhe në fjalët e mija, Shkëlqesi, mund të gjeni një shenjë tjetër të kujtesës, mirënjohjes të kësaj Selie Apostolike, për ata që si ju, pa nguruar për të ndjekur gjurmët dhe shembullin e Krishtit të përvuajtur, (1. Pt.2,21), kanë bërë të mundur që drita e besimit, të mos shuhet në truallin shqiptar.
Do të jem shumë mirënjohës, Shkëlqesi e Nderuar, në se në dhënien e përgjigjes së kësaj letre, do të keni mirësinë të përdorni të njëjtin kanal, që përdora unë për të hyrë në kontakt me Shkëlqesinë Tuaj. Ky është kanali personal i Zotit Ambasador të Tiranës, në Romë, i cili është ofruar bujarisht që të Ju përcjellë Juve, këtë letër dhe që të transmetojë mua sa më parë përgjigjen e Shkëlqesisë Suaj.
Shenjtëria e Tij, Papa, pret jo pa merak të madh, që të ketë sigurime të qarta mbi gjendjen e shëndetit të Shkëlqesisë Tuaj dhe të kushteve të jetës Suaj dhe dëshiron që të dijë drejtpërsëdrejti nga Ju, se çfarë evolucioni të favorshëm eventual mund të përvijohet, me shpresë të motivuar, për të ardhmen e Kishës në Shqipëri.
Gjithashtu di të jenë të dobishme informatat dhe njoftimet që Ju do t’i dërgoni Selisë së Shenjtë, për Bashkëvëllezërit Tuaj priftërinj, të cilët vazhdojnë të bashkëpunojnë me Shkëlqesinë Tuej, në përmbushjen e misionit Tuaj, me shërbim të komunitetit katolik në atë Komb.
Ati i Shenjtë, mendon gjithashtu që t’i ripërsërisë Shkëlqesisë Suaj, urimin e Tij, tashmë të shprehur dhe që Ju është dërguar Juve, me rastin e 50-vjetorit të Crdinacionit Priftëror, duke Ju dërguar dhe një herë bekimet e Tij apostolike.
Me një gëzim të thellë e intim edhe unë, Ju dërgoj i Nderuari Shkëlqesi, urimet më të ngrohta, që Dita e Krishtëlindjeve t’Ju japë Juve dritë e qetësi dhe i besoj Virgjëreshës së Shkodrës, Padrone e Shqipërisë, shpresën që në vitin e bekuar 1991, të vijë dita që ajo Kishë të mund të gjejë lirinë e shumëpritur.
Duke Ju përsëritur urimet më të ngrohta dhe gjithë të mirat kam nderin që t’i konfirmoj.
Shkëlqesisë Tuaj shumë të Nderuar
Devotshmërinë time në Krishtin
Angelo Sodano Kryepeshkop
Relacioni i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për letrën që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopit Angelo Sodano, kërkonte t’ja dërgonte priftit katolik, Monsinjor Nikolla Trashanit, ish-Peshkopit që në atë kohë jetonte në fshatrat e rrethit të Lezhës
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
Ambasada – Romë Romë, me 22.12.1990
Nr.847
Lënda: Letër e MPJ të Vatikanit për Nikolla Troshanin
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME
(Drejtorisë së parë)
Tiranë
Bashkalidhur ju përcjellim letrën e Angelo Sodanos, Ministër i Jashtëm i Vatikanit, drejtuar Peshkopit Nikollë Troshani.
Letrën e solli në ambasadë profesori i teologjisë në Universitetin e Romës, Andrea Riccardi.
Bashkë me vlerësimet e rastit për proçesin e demokratizimit të jetës në Shqipëri, Andrea Riccardi, theksoi faktin që Vatikani nuk dëshiron të krijojë lidhje sekrete me besimtarët katolik në Shqipëri, prandaj ashtu siç po dërgon këtë letër, propozon që edhe më tej, korrespondenca të vazhdohet nëpërmjet rrugëve diplomatike.
AMBASADORI
Dashnor Dervishi
Shënim
Bashkëlidhur është fotokopja e letrës që ministri Jashtëm i Vatikanit, Angelo Sodano, i dërgon Nikolla Troshanit.
Letra i është dorëzuar ambasadës sonë në Romë, nga profesori i Teologjisë i Universitetit të Romës, Andrea Riccardi.
Ky i fundit ju tha shokëve tanë se “Vatikani nuk dëshiron të krijojë lidhje sekrete me besimtarët katolikë në Shqipëri, prandaj ashtu siç po dërgon këtë letër, propozon që edhe më tej korrespondenca të vazhdohet nëpërmjet rrugëve diplomatike”
Tiranë, me 24 dhjetor 1990
Relacioni i ambasadorit shqiptar, Dashnor Dervishi në Romë, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me mesazhin me rastin e Vitit të Ri, dërguar nga Papa Gjon Pal i Dytë, nëpërmjet të përfaqësuesit të tij në FAO
AMBASADA E REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE
TË SHQIPËRISË NË ROMË
Romë më 12 Janar 1990
Nr.23
Lënda: Mesazhi i Vitit të Ri të Papa Pauli II
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
(Drejtorisë së Parë)
TIRANË
Bashkëlidhur ju dërgojmë, sipas porosisë suaj për materiale të tilla, mesazhin e Vitit të Ri të Papa Paulit II, që i dërgon përfaqësuesi i përhershëm në FAO, përfaqësuesit tonë të përhershëm në këtë organizatë.
AMBASADORI
(Dashnor Dervishi)
Telegram i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për interesin e treguar nga Vatikani lidhur me ndryshimet në legjislacionin dhe Kodin Penal në Shqipëri edhe ndaj besimet fetare, të cilët kërkonin që ajo gjë të sanksionohej edhe në Kushtetutë
DËSHIFRIM
Nr. 17807 Nga: Roma
Nr. 944 Data: e gjashta
Në Turqi e Bullgari, si dhe në Bosnje të cilët ngushtojnë terrenin e tij në Ballkan. Në këtë drejtim është vlerësuar dhe relacioni i ish nuncit në Beograd, kur Xhovani Kalantuno, i cili para largimit nga Beogradi, në vizitën e tij në Prishtinë shkruante se midis shqipëtarve, gjeti një mikpritje bujare pavarësisht nga fetë që…..
(vijon)
DËSHIFRIM
Nr. 17808 Nga: Roma
Nr. 945 Data: e shtata
…..përfaqësonin dhe kërkonte mbështetjen e tyre, për rrezikun e forcës ç’kombëtarizuese të Serbisë, në drejtim të kishës së saj. Sipas gazetarit shqiptar në radion italiane, Albert Akshija, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar përsa thuhet më sipër, Vatikani, ka vlerësuar heqjen e nenit për fenë nga kodi penal. Por ditët e fundit, forca të ndryshme……
(vijon)
DËSHIFRIM
Nr. 17809 Nga: Roma
Nr. 946 Data: e teta
….kanë shfaqur dyshime për këtë veprim. Burime të ndryshme kanë informuar se në Shkodër, pas ekseseve që pati në fillim të vitit, janë dënuar me pretekstin për agjitacion e propagandë fetare. Prandaj në rrugë të ndryshme nga Shqipëria do të kërkohet….
(vijon)
DËSHIFRIM
Nr. 17810 Nga: Roma
Nr.947 Data: e nënta
….që veprimi që u bë në Kodin Penal për fenë, të reflektohet dhe në kushtetutë. Njëkohësisht do të kërkohet një prift që të jetë për shërbesat fetare dhe trupi diplomatik pa ndërhyrje në punët e brëndshme, do të informojë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
(vijon)
DËSHIFRIM
Nr. 17811 Nga: Roma
Nr. 948 Data: e fundit
Në qëndrimin e Vatikanit ndaj Shqipërisë, një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe monsinjor Fortino, ish – Nunci në Beograd, Xhovani Kalantino, që është krahu i djathë i Papës, për problemet e Europës Lindore dhe që aktualisht është Nunci i Vatikanit në Moskë.
Dashi
Telegrami i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, lidhur me kërkesën e ambasadorit Italian në Shqipëri, De Andreis, për t’a takuar Nikolla Troshanin dhe për t’i dhënë letrën me autografin e Papa Gjon Palit të Dytë
SHIFRIM
Nr. 2293 Datë: 23.6.1990
Adresa: Ambasadës në Romë
Koncepti: Sot, ambasadori italian De Andreis, kërkoi takim në ministri dhe theksoi se ishte ngarkuar për të kërkuar leje nga pala shqiptare, që ai ose ndonjë punonjës tjetër i ambasadës, të takohej me priftin katolik, Troshani, që banon në një fshat të Lezhës. Atij, duhet t’i dorëzonin një autograf benedicioni nga ana e Papës, për moshën e tij të avancuar. Ambasadorit i’u përgjigjëm që nuk e kuptojmë pse ai merr përsipër një gjë të tillë.
SHIFRIM
Nr. 2294 Data: 23.6.1990
Adresa: Ambasadës Romë
Koncepti: Lejen që ka kërkuar ambasadori italian, për të takuar priftin, Troshani, për t’i dhënë një autograf të Papës, do ta lëmë në heshtje. Por nëse ambasadori italian kërkon përgjigje, do t’i themi që nëse Vatikani ka gjë me të, le t’ia transmetojë nëpërmjet ambasadës sonë në Romë. Po ju transmetuan gjë nga Vatikani, merreni dhe mbani shënime.
SHIFRIM
Nr.2331 Data 27/6/1990
Adresa: Ambasadës Romë
Koncepti: Siç ju kemi njoftuar, ambasadori Italian kërkon të takojë priftin Troshana, për t’i dhënë një autograft ë tij. Këtë kërkesë do ta lëmë në heshtje, por nëse ambasadori Italian kërkon përgjegje, do t’i themi që, në qoftë se Vatikani ka gjë, të na i transmetoni nëpërmjet ambasadës sonë në Romë.
Po ju trasmetuan gjë nga Vatikani, e merrni dhe përgjegjuni se po mbajmë shënime.
26. 6. 1990 Reiz Malile
SHIFRIM
Nr.2402 Data: 27/6/1990
Adresa: Ambasadës Romë
Koncepti: Ambasadori italian De Andreis, kërkoi përsëri leje për të takuar priftin Troshani, për ti dhënë autografin dhe bekimin e Papës. Ambasadorit, i thamë se Vatikani po të ketë gjë me të, t’ia komunikojë nëpërmjet ambasadës tonë në Romë.
Nr. 2787/2788 Data: 31.7.1990
Adresa: Ambasadës Romë
Koncepti: Tuajit nr. 2225
Lidhur me përpjekjet e Vatikanit dhe reaksionit arbëresh për të lidhur rreth vetes emigracionin kosovar për interesat e tyre, nga ana juaj, të bëhet një informacion i plotë ku të shihet që deri në çfarë mase shtrihet ndikimi i qarqeve të mësipërme në këtë emigracion, çfarë platforme apo qëndre kanë. /Memorie.al

Leave a comment