Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Vincent van Gogh/ Fragment nga letërkëmbimi me të vëllain, Theo van Gogh

229759519_316056126934074_124262601160356967_n
…Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se mund të bëjë diçka që vlen, e ndjen thellë se ka diçka që do të donte të bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, sepse nuk e di se ç’është ajo. Nuk i kujtohet mirë, ka mendime të vagullta, ndaj thotë: “Të tjerët ndërtojnë fole, nxjerrin jashtë të vegjlit e tyre dhe i ushqejnë”. Paskëtaj fillon të përplasë kokën e tij të vockël pas telave të kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes.
“Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një zog tjetër, që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me gjëra të falura”.
E megjithatë, zogu i burgosur vazhdon të qëndrojë, nuk vdes. Jashtë nuk sheh asgjë prej atyre gjërave që ai ka brenda vetes. Gëzon shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i hareshëm nën rrezet e diellit.
Mandej vjen koha e dashurive. Dallgë të tëra dëshpërimi. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet këtij zogu?”- thonë fëmijët që kujdesen për të dhe për kafazin e tij. E ai rri pa lëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli, ku vërehet afrimi kërcënues i një shtrëngate, dhe brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit të tij. “Po, unë rri në kafaz, unë rri në kafaz dhe nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet!
Por ama, ju lutem, jepmëni lirinë, lërmëni të jem një zog si gjithë të tjerët!”.
Kështu, ngandonjëherë, njeriu që nuk bën asgjë i ngjan një zogu që nuk bën asgjë….

Leave a comment