Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kantieret e ndërtimit në Tiranë janë kthyer në kurthe vdekjeje

TR ndertime

Të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, tregojnë se gjatë vitit 2020, vetëm në qytetin e Tiranës janë dhënë më shumë se 1.1 milionë metra katrorë leje ndërtimi…

Nga Ola MITRE * –

Më 3 shtator 2020, rreth orës 5 pa 10 minuta, një punëtor ndërtimi 56-vjeçar me origjinë nga Erseka po punonte për përgatitjen e brezit beton arme në një pallat në Tiranë.

Ndërsa muratori po vendoste dërrasën për të kornizuar brezin e betonit, bashkë me një punëtor tjetër, ai u pengua, humbi ekuilibrin dhe u rrëzua nga lartësia, duke marrë me vete dhe murin ndarës të papërfunduar. Pasi goditi me kokë dyshemenë, 56-vjeçari ndërroi jetë.

Sipas një raporti të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, të përpiluar disa javë në pas, aksidenti ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë në kantier. Ndryshe nga punëtori, kompania ndërtuese ia ka hedhur lehtë, pasi Inspektoriati është mjaftuar me një paralajmërim dhe një listë detyrash për rritjen e sigurisë në punë.

Vdekja e 56-vjeçarit nuk është një rast i izoluar në kryeqytet, i cili po përjeton një bum në sektorin e ndërtimit gjatë viteve të fundit. Të dhënat e marra nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se nga janari 2020 deri qershor 2021, në Tiranë u regjistruan 18 aksidente në punë, nga të cilat 14 në sektorin e ndërtimit dhe 3 prej tyre me pasojë vdekjen.

Në rang kombëtar gjatë vitit 2020 u regjistruan 39 aksidente në punë në sektorin e ndërtimit, nga të cilat 10 ishin fatale, duke e bërë punësimin në kantiere një nga profesionet më të rrezikshme në vend.

Sipas ekspertëve dhe aktivistëve për të drejtat e punëtorëve, niveli i lartë i aksidenteve dhe viktimave në këtë sektor vjen si pasojë e një numri faktorësh, përfshirë mungesën e kulturës së respektimit të rregullave të sigurisë në punë nga punëdhënënësit dhe punëmarrësit, nxitjen e kompanive ndërtuese për të shkurtuar kostot dhe mungesën efikasitetit të Inspektoriatit të Punës.

Të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT, tregojnë se gjatë vitit 2020, vetëm në qytetin e Tiranës janë dhënë më shumë se 1.1 milionë metra katrorë leje ndërtimi. Bumi i pallateve shumëkatëshe në kryeqytet ka sjellë edhe rritjen e numrit të aksidenteve në kantiere.

Sipas Eneida Mjeshtrit nga Qendra për të Drejtat në Punë, mospërmbushja nga ana e punëdhënësve e detyrimeve ligjore për garantimin e masave të sigurimit teknik dhe mjeteve mbrojtëse individuale dhe kolektive, si dhe ndërgjegjësimi i ulët në këtë drejtim është shkaku kryesor i aksidenteve në sektorin e ndërtimit.

Kantier ndërtimi i hapur për ndërtimin e një godine pranë Rrugës Mine Peza, në Tirane. | Foto : LSA

“Punëdhënësit e ushtrojnë pak detyrimin e tyre për informimin dhe trajnimin teknik të punëmarrësve të tyre, ç’ka përkthehet në  inkompetencë teknike të këtyre të fundit, duke ndikuar në një kulturë të ulët të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës personale në punë, si dhe në ngulitjen e zakoneve të dëmshme të punës,” shpjegoi Mjeshtri.

“Ndërgjegjësimi i punëdhënësve është ende i ulët lidhur me investimin shumë të lartë që duhet të kryejnë në drejtim të garantimit të kushteve të mira teknike dhe të sigurisë,” shtoi ajo.

Ndërkohë, Bislim Lakna, aktivist me Organizatën Politike, një grupim i majtë që lufton për të avancuar të drejtat e punëtorëve dhe grupeve të margjinalizuara, rendit edhe mbingarkesën në punë si një nga shkaqet e aksidenteve të shumta në kantiere.

“Kjo ndodh duke mbajtur sa më pak punëtorë në punë, të cilët duhet të bëjnë sa më shumë punë për njësi kohë sa më të shkurtër,” tha Lakna.

“Kjo ul koston e punëdhënësit dhe rrit intensitetin e punës për punëtorin, kështu puna fizike bëhet më e rëndë dhe intensive, gjë e cila çon në pakujdesi, gabime e mungesë sigurie,” shtoi ai.

Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, i cili përfaqëson interesat e ndërtuesve, pranon se ekzisojnë probleme në lidhje me zbatimin e masave të sigurimit teknik apo trajnimit të punonëjsve, por ai nënvizon se shumica e firmave janë serioze.

“Unë kam gati 50 vjet që punoj në zbatim dhe mund të them që firmat e ndërtimit që kanë staf inxhinierik, teknik, drejtues të rregullt janë të konsoliduara dhe për mendimin tim, e kanë në qendër të vëmendjes, më përpara sesa çdo gjë tjetër sigurinë,” tha Aleksi.

“Pastaj, ka edhe që ndërtojnë pa kriter, ka që nuk janë firma, ka që nuk kanë drejtues teknikë të rregullt dhe abuzimet mund të ekzistojnë,” shtoi ai.

Lakna thotë se kundrejt rrezikshmërisë së lartë që paraqet sektori, inspektimet e punës janë në masë të ulët, duke ndikuar edhe në një performancë të tillë negative të bizneseve të sektorit në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Përveçse nuk janë të mjaftueshme, edhe më shqetësuese është cilësia e këtyrë inspektimeve,” theksoi ai.

Ndërkohë, Eneida Mjeshtri thekson se nga shkeljet që ISHPSHSH evidenton gjatë inspektimeve, mungojnë krejtësisht të dhëna për shkelje që lidhen me aplikimin nga punëdhënësi të rregullave të sigurisë teknike, si dhe sjelljen e punëmarrësve lidhur me garantimin e sigurisë dhe jetës së tyre në punë.

“Pra, duket sikur ende siguria dhe shëndeti nuk është shndërruar ende në një pjesë integrale të sistemit të inspektimit në punë,” tha ajo.

Mjeshtri thekson se ISHPSHSH duhet të bëjë më shumë lidhur me zbatimin e detyrimit ligjor për ngritjen dhe funksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Vinça të kompanive të ndërtimit gjatë punës për ndërtimin e një godine në fillimin e rrugës së Kavajës, në Tiranë. | Foto: LSA

“Funksionimi konform ligjit i këtyre Këshillave, në vendimmarrjen e së cilëve merr pjesë edhe një përfaqësi e punëmarrësve, do të zbuste dhe reduktonte ndjeshëm numrin e aksidenteve në punë, sepse do të garantonte informim më të mirë të punëmarrësve, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe dialog social mes tyre dhe punëdhënësit në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë,” tha ajo.

Edhe aktivisti Lakna bie dakord se forcimi i regjimit të inspektimeve, masave administrative dhe raportimet e rregullta do ndihmonin në uljen e rasteve të aksidenteve.

“Por që kjo të ndodhë, duhet që të ketë një vullnet politik nga lart dhe një shtrëngim masash nga shteti karshi pronarëve të etur për fitime të shpejta dhe të shumta”, tha ai.

“Bashkimi i punonjësve në sindikata të forta e të pavaruar nga qeveria do ndihmonte në uljen e nivelit të shfrytëzimit pa hesap në vendin e punës, do rriste presionin në institucionet përkatëse, do krijonte kushte për uljen e informalitetit dhe sigurisë duke i bërë punëtorët më vështirë të zëvendësueshëm e për pasojë edhe më të lirë për të kërkuar më shumë të drejta,” shtoi Lakna.

Ndryshe e shikon situatën kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, i cili e vendos theksin në një rol më të madh të Institutit të Ndërtimit në monitorimin e sektorit.

“Po të ishte Instituti i Ndërtimit siç u themelua në fillim, nuk do ishim në këtë situatë,” tha Aleksi, ndërsa shtoi se “inspektorët janë policë dhe shteti nuk zhvillohet me policë.”/Reporter.al – Titulli vjen i redaktuar nga Arberianews/

* Autorja është gazetare pranë televizionit Scan TV. 

Related Posts

Leave a comment