Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ermonela Jaho, pjesë e dokumentarit “Zjarri i shenjtë”

-800-0-611213f3c3e34

Sopranoja  Ermonela Jaho do të jetë pjesë e filmit dokumentar me titull “Zjarri i shenjtë”. Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare shprehet se ndjehet e vlerësuar, që do të jetë në filmin, që del në kinema në muajin tetor të këtij viti. ““E përulur që të jem pjesë e filmit të fundit të Jan Schmidt-Garre, “Fuoco Sacro”, i cili del në kinema këtë tetor. Filmimi ishte një eksperiencë katarktike dhe besoj se e ruan atë fuqi edhe sot. Ja kalove vetes Jan, urime për këtë kryevepër të ndjerë”, shkruan sopranoja Ermonela Jaho në faqen e saj në Facebook. Ky realizim, i cili do të shfaqet në kinema në muajin tetor 2021, paraqet tre artiste të operës: Ermonela Jaho, Barbara Hanigan dhe Asmik Grigorian.

Dokumentari, eksploron si e kalojnë ato kohën para një nate hapjeje, si duken dhomat e tyre të zhveshjes dhe çfarë ndodh para një shfaqjeje. Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho po vijon aktivitetin e saj me vlerësime të ndryshme edhe gjatë këtij viti. Në datën 27 qershor u zhvillua ceremonia gala e dhënies së Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA). Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho fitoi çmimin e muzikës vokale për vitin 2021 me albumin e saj “Anima Rara”. Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020. “Anima Rara”, albumi recital debutues nga Ermonela Jaho, eksploron muzikën e kënduar nga Rosina Storchio, një nga sopranot lirike më ekspresive të epokës së verismo-s.

Sopranoja Ermonela Jaho këndon ariet e disa nga operave që e kanë bërë të famshme si “Madama Butterfly” e Puccini-t, “La Bohmeme” e Leoncavallo-s, “Siberia” e Giordano-s, “Lodoletta” e Mascagni-t dhe “La Traviata” e Verdi-t, e shoqëruar nga “Orquestra de la Comunitat Valenciana”, nën drejtimin e dirigjentit Andrea Battistoni.  Ermonela Jaho është përshkruar si sopranoja më e vlerësuar në botë nga “The Economist”, dhe një nga interpretueset e shkëlqyera të verismo-s te “The Guardian”.

Leave a comment