Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mozaiku i Tiranës, rinisin gërmimet arkeologjike për zbulimin e plotë

-800-0-611213c4a9072

Në Mozaikun e Tiranës kanë rinisur gërmimet arkeologjike. Gërmimet në këtë zonë po kryhen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës. Ndërhyrjet më të fundit më Mozaikun e Tiranës sipas Ministrisë së Kulturës ishin kryer në vitet 2006-2008, nga profesor Skënder Muçaj. Ministrja Elva Margariti shprehet se po del në dritë e plotë vila romake e Tiranës, apo e njohur ndryshe si Mozaiku i Tiranës. Margariti ndër të tjera në një status të saj shprehet se punimet që po kryhen te Mozaiku i Tiranës, po ndjekin rrugën e mjeshtrave të arkeologjisë shqiptare. “Ky projekt, që ka për qëllim jo vetëm zbulimin e plotë të vilës, që daton në shek. II-III pas Krishtit, por edhe promovimin e saj si një nga hapësirat më tërheqëse për turistët vendës e të huaj, po ndjek rrugën e mjeshtrave të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore si prof.

Skënder Anamali, prof. Aleksandër Meksi e prof. Skënder Muçaj”, shkruan Margariti. Sipas ministres së Kulturë studentët pjesëmarrës do të pajisen me një certifikatë trajnimi dhe kualifikimi për gërmimin arkeologjik. Mozaiku i Tiranës është monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.

Mozaiku i Tiranës, pikë e rëndësishme referimi

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor. Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit. Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.

Leave a comment