Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ata janë banorë të mistikës

238272046_222635976534436_2527459189127198445_n

Nga Aleksandër ÇIPA-

(Ese)

Iluzioni i njeriut për gjithëkohësinë si shtrirje kohore është ndër aspektet më të bukura të mendimtarisë dhe dukurive njerëzore. Në një pikëpamje, të shtyn më tepër tek jetimi i jetës si kohëgjatësi se sa si çast apo përkohësi.
Në këtë iluzion të pashmangshëm apo të pranuar ekzistencialisht, njeriu ka mundësinë të çmojë gjërat që duhet dhe do të bëjë, si dhe të fitojë shpejtësinë e vetvetes në kohë për të shtuar e ndjerë, shijuar e prekur, parë dhe ëndërruar shumë e shumë gjëra të tjera. Brenda këtij raporti, njeriu merr mundësinë dhe kapacitetin peshues të shtimit të gjurmëve të vetvetes dhe të shtytjes për të shumëfishuar trashëgiminë e vet.
Unë e arrita dhe jetova shumë gjatë me gjyshin tim nga Ati. Ai ishte një shenjt i punës dhe rob i të menduarit. Aq shumë mendonte e meditonte sa në imazhin tim ka mbetur pretendueshëm si ikonë e shenjtit të paqënë – shenjtit “të trembëdhjetë”. Por ai mbeti tokësor.
Si në pasazh të Biblës, në kohën e fundme të jetë-frymëmarrjes, ai dergjej me nga një libër në hije të vreshtave në Pilur. Kishte ndërtuar në heshtje një vijaskë të gjatë eterne të meditimit për vreshtat, lisat, malet e Vetëtimave, Detin, që e quante mrekullia e shtrirë nën këmbë të maleve, dhe qiellin, ku ngjiten shpirtrat e njerëzisë. Me këtë të fundit, – qiellin – kishte një marrëdhënie komunikuese dhe akte tejçimesh mistike, të cilat janë gëlltitur tashmë nga bota dhe tejbota; nga ajo që shohim dhe, më së shumti, ajo që nuk shohim.
Në atë materie të humbur mërmërimash, nojmash dhe meditimesh, unë e di mirë se ne, trashëgimtarëve të tij, na kanë humbur mendime të vlerëta. Të thëna vetmevete, ato humbën bashkë me atë Vete.
Një portret të tim gjyshi unë e kam të realizuar në vetëdijen time, si një kryevepër të skalitur nga koha e frymtë. Kjo ikonë nuk jeton si kalimësi në ndërgjegjen apo mendimin tim njerëzor, por si element themelor i vet’hesë. Në kohën e fundme të frymëmarrjes së tij, në atë portret u theksua së tepërmi raporti mes librit, vreshtit dhe thinjave të zbardhura gati plotësisht.
Në librat e shenjta që pat lexuar, si në rrethana të pazakonta kohë-ndalimesh, por dhe më pas, në kohë anarkish, im gjysh kishte nxjerrë prej vetes disa maksima dhe epistolate. Ato u shënuan në fletoret e veta me një bukurshkrim të lindur në kohët e disa burgjeve dhe me gjuhën naimjane të Toskërisë. Njerën prej tyre e vetëzgjodhi dhe e la për amanet tek djali më i vogël i tij, se e donte epitaf mbi mermer të varrit: “Kush vjen nga drita, dritë do të ketë”.
Shumëkush që shkon ndanë atij varri ku prehet me Mëmëzonjën tonë, Lelon (ec e thuaj që nuk janë ende emrat arbërorë në Pilur, Bregdet e Labëri, po deshe!), edhe nëse nuk e ka njohur, reagon i ngacmuar nga pesha domethënëse e epitafit (bibla ka diçka për dritën dhe epitafet…).
Në atë vis, raporti mes horizontit, hapësirës dhe dritës është po aq filozofi-ndjellës sa raporti mes tokës, ujit dhe ajrit. Janë elementet kozmogonike të gjithëkohësisë dhe prezencës njerëzore.
Njeriu është qenia që nuk dihet se si e ka rregulluar raportin shqyrtues mes asaj që i ngjet në thellësi të vet’hesë dhe asaj që ndodh dhe shfaqet aq madhërisht jashtë tij. Njeriu është rob që kryen gjithçka të vetes në makrobotë, por mbetet zot vetëm në mikrobotë. Tek shpirti dhe për shpirtin nuk e njeh hapësirën dhe ka paaftësinë mjeshtërore për matje.
Im gjysh ishte fryma që të jepte mundësinë ta shijoje njerëzishëm imazhin e shenjtit. Para tij, kishte një ngurim Bir-i tij, im At.
Ky i fundit mishëronte rastin e veçantë ku qenia shpirtërore e kaloi përherë në plan të dytë atë të mishtë. Një shpirt që nuk ishte i mësuar të kishte caqe dhe kufij, ai e trajtoi edhe frymimin e parapërcaktuar jetësor si të tillë. Me kalimin e kohës, edhe më shumë m’u bë bindje se ishin tejet të qëlluara fjalët e shkruara në një nga librat e vet, nga poetja Mimoza Ahmeti se: “Shpirti i tij ka përmasat e një horizonti”.
Tashmë ata, At dhe Bir, janë atje ku zhbëhet eshtra dhe shpirti prek padukshëm përjetësinë. Të dy, pavarësisht nga raporti dhe diferenca, pikëtakoheshin pa rend kur ndanë zjarrit në oxhakun e Pilurit nisnin bisedat për çështje dhe detaje mes prekjes fizike dhe padukshmërisë. Bëheshin kuvendues rreth gjithçkaje të kalimësisë në jetën e tyre dhe të të tjerëve përreth. Baba kishte një mundësi shpjeguese të përputhshme me Biblën. Ai e kalonte atë duke mos e hequr prej nënkresës. Edhe gjatë Kohës së ndalimit, kur edhe mendimet imponoheshin.
Në ato segmente kuvendimesh shijoje copëza esesh të humbshme – fatkeqësisht, të pambajtura në asnjë grimë të tyre shënim. Ah sa keq që nuk u ndodh një kujtesë shënuese!
Nëpër bisedat tona tek zjarri i oxhakut, Baba vijimësisht hidhte copëza reçencash për shenjtorët dhe Biblën. Në një ndër ligjërimet e tij, një natë dhjetori, na tha: “shenjtorët, xhan i Babës, e kthejnë në sy për njerëzinë mëkatin dhe vuajtjen e tyre, se ata e dinë që Zoti jo më kot nuk foli kurrë për territorin mes botës ku shkel dhe asaj ku lëviz shpirti kur ikën fryma.”
Ndërsa At-i poet kishte qasje prej kozmogoniku. Kur kërkonte metafora, ai besonte se për mendjen e njeriut e pazakonta është e fshehur tek e padukshmja qiellore. Sa herë sodiste detin, malin, qiellin (aty ku rrojti ai këto tri përmasa janë madhështi e zakontë në të gjitha format e gjendjes njerëzore), vetvetiu skriptualizonte raportin e mendimit të njeriut me brendinë e peisazhit.
E bënte të besueshme, në vargjet që shtonte, ekzistencën e Zeusit tek Çika, apo të mbizërave në Rrapin e Pilurit ose tek Lisat e Pilurit. I jepte dhe i njihte, gati si në një proces budist, natyrës së visit të lartë efektet mistike të ruajtjes së zërit të kulluar dhe të dialogimit me mbinatyrën. Mes të dyve u ngrit dhe u kultivua një marrëveshje, jo si në hierarki të breznisë At-Bir, por si mes dy plotësorëve në hapësirën mendim-jetuese.
Sa herë që në shtëpinë e Babës mbërrinte lajmi për suksesin e radhës së këngës së re të At-it me Grupin e Pilurit, të dy ndaleshin gjatë, jo tek konturimi i lëvdonjësve të këngës, por tek përmbajtja e pashtershme e tekstit. Ai e kishte të natyrshme të shkëpuste nga leximet agjiografike fabula për t’i bërë pjesë të arsyetimit për episode ditore të jetës publike në krahinë.
Kështu, mbaj mend se si elegjia për Naim Frashërin u bë një orë e gjatë bisede një natë mes atyre të dyve dhe xhaxhallarëve. Në atë bisedë, subjekti i Qerbelasë ishte i vetmi sfond spontan i arsyetimeve që shkëmbeheshin, duke theksuar imazhin për “lulen e parë mbi borë”, apo duke u thelluar tek njehsimi i emrit të poetit me emrin e Atdheut – Naim Shqipëria.
Në këto kalimësi bisedimore, herë- herë At-i merrte imazhin e shenjtit Nifon, që kërkon në orën e vështirë të mendimit të vet ortakërinë me shenjtin tjetër bashkëvuajtës dhe mësues të madh shpirtëror, Zaharinë. Edhe Baba edhe At-i ishin të lidhur në këtë përafërsi shpirtërore të tyre me Atdheun, si në rastin e Nifonit me Zaharinë me Askulumin (Shqipërinë).
Në një territor gjeografik e shpirtëror të paprekshëm, në një hapësirë të pakufi të eternitetit të dy në forma vetanake, shtegtonin mendimtarisht përgjatë gjithë kohës së qenësisë së mishtë. E jetuan kohën dhe atdhe-mendimësinë e tyre si në një kalimësi fatlume dhe të padekodifikueshme prej shumë gjalluesve bashkëkohës dhe pasuesve të tyre.
Tashmë kanë ikur, siç themi rëndom, “në atë botë”. Të dy janë në atë jetësi pa frymë, duke u rishfaqur mes nesh, të gjallëve, përmes shenjave që vetëm ata mund t’i mbartin apo zgjojnë, qoftë dhe fragmentarisht. Epitafi i Babës, ” Kush vjen prej dritës, dritë do të ketë”, është shenjë e kësi rizgjimesh, sikurse këngët dhe vargjet e At-it janë kodet e pakohshmërisë së njerëzve matanë kalendarëve. Atij i besojmë përmbysjen, sepse na e la si kumt kur tha: “Jam përmendur i penduar, gjer të nesërmen e shkuar”.
At-i e kishte të qartë se mes tij dhe kohës kishte raporte komplekse. Sot, ai ka gjashtë muaj që nuk merr frymë, por vazhdon të shpërndajë frymën e tij mistike, të prekshme dhe ndikuese si art, për ata që rrojnë dhe ata që do të vinë.
Himarë, 14 gusht 2021
P.S: Për foto: Aty ku mungon shtati yt, mbretëron prezenca jote

Related Posts

Leave a comment