Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Jahtet e shqiptarëve dhe shpenzimet luksoze, çmimet dhe tendencat

auto_06wealth-01-mediumSquareAt3X1629005156

Shqiptarët mbeten të interesuar për jahtet, por blerja kufizohet nga mungesa e infrastrukturës dhe stilit të jetesës. Preferenca e “pasanikëve” shqiptarë në këto raste mbetet qiramarrja. Përgjithësisht, ata që duan një jaht për pushime janë familjarët, por nuk mungojnë as grupet dhe çiftet. Së fundmi, edhe sipërmarrësit po e shohin si një variant diskutimin në det e larg syve kureshtarë e zhurmës së projekteve, kurse bizneset po i përdorin për “staff retreat”.

Çmimet për velierat apo jahtet me qira nisin nga 400-3200 euro/dita sipas specifikave të mjetit. Vendasit i zgjedhin si alternativë për të thyer rutinën në një ditë apo fundjavë, diaspora e Shqipërisë dhe Kosovës për më gjatë, kurse të huajt deri në një javë. Turistët më korrektë në këtë segment janë gjermanët, kurse “sheikët” e Arabisë po vlerësojnë hyrjen në tregun shqiptar.

Zhvillimet që duken pozitive, kanë nevojë të shoqërohen me ndërhyrje në marina e shërbime, të cilat mungojnë dhe kufizojnë interesin për turizmin e jahteve luksozë, shkruan Monitor.

Pushimet është koha më e shumëpritur e vitit dhe secili mundohet që sipas buxhetit të zgjedhë “paketën” që i përshtatet. Vitet e fundit, shqiptarët (ata me mundësi më të madhe ekonomike) kanë zgjedhur edhe vendet ekzotike, duke rritur kërkesën për destinacione që nuk janë edhe aq të lira, paçka se një pjesë të madhe të kostos e zë bileta e udhëtimit.

Pamje nga Maldive, Punta Cana, Tajlanda ishin bërë të zakonshme dhe së fundmi, kësaj liste iu shtua edhe Dubai. Shqiptarët nuk kanë hezituar të provojnë pak nga jeta prej “sheiku” që ofrohet në këtë destinacion, i cili njihet për “luksin” në çdo detaj.

Por pandemia, e cila kufizoi plotësisht lëvizjet për më shumë se një vit dhe sërish po ndikon te planet e pushimeve në këtë verë, ka orientuar një pjesë të turistëve drejt segmentit të jahteve. As ky segment nuk ishte imun në vitin e pandemisë, por falë mundësisë që ofronte për të qenë i distancuar nga turmat në plazhe dhe organizimit mes shumë pak personave, u zgjodh si alternativë. Përfaqësues të tregut që ofrojnë konsulencë për blerjen e një jahti ashtu edhe charter (dhënie më qira) të këtyre mjeteve lundruese pohojnë se kjo verë do të jetë më e mirë.

Gjatë verës së kaluar, pushuesit e jahteve ishin shqiptarët e diasporës, si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës, por nuk munguan as vendasit. Këta të fundit ishin ai grup që kanë mundësi financiare dhe udhëtimet periodike që bënin jashtë në Paris, ishujt grekë, apo në Spanjë, i zëvendësuan me barka apo jahte për shkak të mbylljes. Këtë vit, rezervimet janë bërë në fillim të vitit dhe sezoni po jep sinjale pozitive.

Tregu i Arabisë Saudite, i interesuar për segmentin e jahteve në Shqipëri

Lumi i shqiptarëve që i janë drejtuar Dubait pas hapjes së një linje direkte me dy vendeve është një mundësi që edhe tregu i turistëve nga Arabia Saudite të vizitojë vendin tonë. Në fakt, interesi i këtij grupi ka qenë i qartë dhe në një udhëtim prej 7 ditësh, u provua dhe dokumentua se e gjithë përvoja turistike që ofron Shqipëria pritet të japë efektet e saj. Smerald Bozaxhiu, administrator i “Albania Yacht Charter”, nënvizon se përfaqësuesit nga Arabia Saudite që vizituan vendin tonë mbetën të befasuar.

“Këtë vit, zhvillim shumë interesant është ai që lidhet me Arabinë Saudite. Këtu ka hyrë me chartera ‘Flynas’ që nga 15 qershori. Kompania ajrore solli përfaqësues të saj të marketingut që bënë një ‘fame trip’ në 7 ditë. Filmuan gjithçka, provuan restorante të ndryshme dhe mbetën shumë të kënaqur.

Komenti i tyre ishte që, nëse klientët tanë do të ndiejnë këtë që ndiejmë ne këtu, do të ketë një turizëm të jashtëzakonshëm. Ky grup ka interes për turizmin e jahteve, pasi i kanë dhe mundësitë. Në krahasim me atë çfarë janë mësuar ata të paguajnë, ne jemi shumë të lirë si treg” – pohon Bozaxhiu.

Nga takimet e biznesit te propozimet në jahte, por cilët janë klientët kryesorë

Përtej kalimit të një dite ndryshe pushimesh, apo të një fundjave në intimitet, larg grumbullimeve, jahtet e barkat me apo pa vela, po përdorën gjithmonë e më shumë edhe për raste të veçanta si propozime, festa beqarie.

“Kur themi fjalën jaht, nuk mund të mos mendojmë për shkëlqimin e një feste ditëlindjeje, për intimitetin e një propozimi, luksin e një feste beqarie, evente që përvoja në një jaht i bën të paharrueshme. Këto janë rastet karakteristike për të cilat marrim rezervime të herëpashershme, por nuk qëndrojnë pas kërkesat për relaks e pushime ekskluzive” – shprehet Elvira Kiço, administratore e “Albamar YachtCharter”.

Këto nuk janë të vetmet arsye, edhe pse në një numër më të vogël, edhe takimet e biznesit kanë nisur të zhvillohen në jahte, minijahte apo barka larg nga kureshtarët dhe në qetësinë e detit. Diçka e tillë ndodh gjatë gjithë vitit, gjithmonë nëse koha dhe situata e detit e lejon daljen. Klientët e rregullt të qiramarrjes së jahteve janë sipërmarrësit, CEO të kompanive të rëndësishme apo bankierët.

“Kryesorët janë sipërmarrësit. VIP-at janë kategori që i trajtojmë veç sepse pas kërkesës, pyetja e dytë e tyre është a mund ta bëjmë klering (mall me mall). Klientët bazë janë, e theksoj, sipërmarrësit, bankierët, CEO të kompanive të rëndësishme. Kemi dhe klientë dhe kompani që e përdorin si shërbim për ‘staff retreat’ (organizim jashtë pune i stafit) ose për bonuse.

Ne ofrojmë edhe shërbime ‘business meeting’ (takime biznesi) kur dy persona duan të diskutojnë një projekt larg çdokujt marrin barkën (kjo është ajo kategoria e atyre që duan të zhduken) dhe e përdorin për të qenë larg. ‘Business meeting’ ne i ofrojmë gjatë gjithë vitit, mjaft që deti të jetë i qetë. Nuk është ende diçka e zakonshme por përdoret” – shprehet Bozaxhiu.

Çmime nga 400-3200 euro/dita, në varësi të mjetit dhe shërbimeve, itineraret e preferuara

Për standardin që ofron, mungesës së theksuar të infrastrukturës dhe numrit të kufizuar të jahteve apo barkave, Shqipëria është larg fqinjëve si Mali i Zi dhe Greqia. Vjetërsia mesatare e mjeteve lundruese është më e madhe se në këto vende dhe tregu funksionon si “second hand” (shitblerje e të përdorurave). Një pjesë e mjeteve, nga ana tjetër, mbahen me flamurë të huaj dhe thuajse nuk prekin fare bregdetin shqiptar.

Operatorët e tregut pohojnë se blerja e një jahti nuk shihet si një formë investimi dhe për këtë arsye, flota do të mbetet e vogël, ndërkohë që për Shqipërinë, nuk është as stil jetese, siç është në Greqi, apo në Rivierën Franceze. Për këtë arsye, qiramarrja mbetet alternativa e vetme e kësaj përvoje e cila në disa raste mund të çojë edhe drejt blerjes. Por ku luhaten çmimet e këtij shërbimi që cilësohet luksoz.

“Klientët mund të zgjedhin mes tre jahteve që ne disponojmë, të cilat kanë gjatësi nga 13 metra deri në 33 metra. Çmimet tona variojnë nga 1000 euro/dita. Jemi munduar të qëndrojmë brenda një çmimi standard gjatë gjithë viteve të aktivitetit” – sqaron znj. Kiço.

Por jo gjithmonë zgjedhja është një jaht, mund të jetë edhe një barkë me vela apo dhe opsione të tjera më ekonomike. Z. Bozaxhiu thotë se mes 16 mjeteve që janë në flotën e tij, çmimet përfshijnë opsionet nga më ekonomike tek ato më luksoze.

“Në minimum, mund të fillojë nga 400-500 euro në 8 orë me ‘speed boat’. Një velierë mund të shkojë 500-600 euro, varet nga numri i ditëve. Jahtet variojnë dhe maksimumi mund të arrijë në 3000-3200 euro/dita. Këta të fundit kanë më shumë staf, më shumë kapacitet, janë më luksozë, më të bukur. Nëse flasim për minihajte dhe jahte, variojnë 1700-1800 euro/dita. Karburanti është gjithmonë ekstra” – shprehet ai.

Sa u takon itinerareve më të pëlqyera, z. Bozaxhi thotë se kjo varet nga klienti. Një pjesë zgjedhin bregun e zhurmshëm që përkufizohet në zonën e Palasës, Drimadhes, Dhërmiut dhe Jalit. Një pjesë tjetër sa më larg zonave të mbipopulluara me turistë.

“Itineraret më të bukura janë nga Porto Palermo, por Saranda ka itinerare të bukura, për shembull Plazhi i Manastirit, Pasqyrat, Kepi Merli, Gjirin e Hartës. Bëjmë një ndalesë në Gjirin e Butrintit, ku me gomone shkojmë deri te kalaja, sepse ka barka që nuk futen deri aty. Bëjmë Kepin e Stillos dhe Ishullin e Tongos. Ky ishull është kufiri final mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të mos thënë që e kalon pak kufirin tonë, por ata janë dashamirës, nuk para sjellin probleme.

Unë i ndaj klientët në dy kategori, ata që duan ‘të duken’ dhe ata që duan ‘të zhduken’. Ata që duan të duken, kanë itinerarin e tyre, që është zona e Dhërmiut, Drimadhes, Jalit. Pjesa tjetër janë ata të plazheve të Karaburunit, gjire ku nuk shkon dot me asgjë, përveçse me mjete lundruese” – shprehet ai.

Anijet turistike në Jug po bëhen në trend, turet më të pëlqyera

Teksa jahtet janë segmenti luksoz i detit, viteve të fundit po zgjerohet gjithmonë e më shumë edhe me anije turistike. Durrësi solli dy vite më parë përvojën e tureve me anije për turistët, kurse Vlora ishte më e hershme dhe më e konsoliduar në itinerare.

Së fundmi, edhe Saranda po shton numrin e anijeve. Enrik Mehmeti, gazetar i cili mbulon mes të tjerave edhe çështjet e turizmit në zonën e Jugut, njëkohësisht edhe sipërmarrës në industrinë turistike detare, thotë se po bëhen investime në këtë sektor, ndërkohë që çmimet mbeten më ekonomike sesa kur mjetet e zgjedhura janë ekskluzive.

“Është rritur numri i anijeve dhe në njëfarë mënyre ka dhe mbingarkesë në raportin e kërkesës në Vlorë, ndërsa Saranda është një treg, ku ky lloj biznesi po hyn te risitë me dy anije të reja që janë shtuar, një e re e prodhuar në Vlorë dhe një e ardhur nga Turqia. Për sa u përket anijeve që udhëtojnë nga Vlora për në Karaburun dhe Sazan, bileta në anijet e mëdha është rreth 2000 lekë të reja për të rritur, ndërsa mjetet e vogla ujore kanë destinacion kryesisht plazhet e Karaburunit, për vlerën e rreth 3000 lekëve të reja për person.

Në Vlorë, destinacioni më i pëlqyer është ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit, kryesisht për anijet e mëdha. Ata që dëshirojnë të shkojnë në pjesën e pasme të gadishullit, zgjedhin gomonet apo mjetet e vogla ujore, dhe prekin Gjirin e Gramës. Edhe Dhërmiu apo Himara, guidat i realizon me mjete të vogla në gjire” – pohon ai./Nertila Maho, Monitor

Leave a comment