Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Për ju, bijtë e funksionarëve të lartë, që kam njohur vetë

125519469_361666958427465_4313651009946268354_n

Nga Rexhep HIDA –

Ju mbaj mend që si bij funksionarësh të lartë siç kanë qenë prindërit tuaj në atë kohë, ju shokët tanë të shkollës, mos harroni se keni patur një fëmijëri mjaft të këndshme. Vilat dykatëshe me oborr përpara u bënë tuajat dhe ju e dinit, apo mbase edhe nuk e diinit, nuk jam i sigurt, sepse keni qenë të vegjel, por di që ju kënaqeshit duke luajtur atje me moshatarët tuaj, të gjithë sigurisht me prindër nga paria.

Pra, të privilegjuar keni qënë edhe në shkollë, por sidomos nga drejtori, i cili sa herë që hynte në klasë, do të interesohej të pyeste për ju, por edhe për shëndetin e baballarëve tuaj. Kaq kishit nevojë ju, që të quheshit pastaj më të përkëdhelurit nga ne të gjithë, jo nga shkalla e inteligjencës, se nga kjo pikëpamje ju ishit disa shkallë poshtë nesh, por nga pozicioni i prindërve. Ju vinit në mësim me vonesë dhe kurdo që t’iu dilte gjumi, ju dilnit gjithmonë pa faj në ndonjë zënkë me nxënësit e tjerë, madje ju kishit edhe guxim që të kundërshtonit mësuesit tanë me të mirë, kur ata nuk jua plotësonin ndonjëherë tekat tuaja.

Edhe pse ishim ende fëmijë, nuk na vinte sigurisht mirë për këtë diferencim të dukshëm që bëhesh ndaj jush, por ju e kishit fituar këtë gjë me “statusin e kohës” dhe s’guxonte njeri që ta ndryshonte.

Edhe sot i mbaj mend se ju ishit nxënësit më të dobët në mësime në shkollën tonë,-kuptohet, ju anonit nga ky grup,- emri juaj nuk mungonte asnjëherë pa u vënë në tabelë nderi. Një rast më kujtohet kur një mësuese e re matematike e porsa ardhur, kapi njerin prej jush duke bërë kopje në provim, i cili sigurisht nuk e pranoi këtë gjë, doli pa leje nga klasa dhe i revoltuar shkoi te drejtori për t’u ankuar. Të nesërmen, për ta sqaruar këtë “incident”, tek ne erdhi jo vetëm drejtori, por edhe babai yt që e patëm parë nga larg vetëm për ditë festash kur dilte në tribunë, ndërsa atë ditë që na u ndodh aty afër, më bëri përshtypje, sepse m’u duk jo vetëm më i shkurtër, por edhe sa shumë që ngjanit ju të dy! Vetëkuptohet që mësuesja e gjorë e mori vetë përsipër “fajin” e atij incidenti dhe e detyrua bile me sy të përlotur, që të kërkojë falje.

Kur ne shumica e moshatarëve tuaj, pushimet e verës i kalonim buzë ndonje lumi, për ju merrnim vesh se si nxënës te përzgjedhur, ishit caktuar si më të mirët për degët më të mira.

Pasi mbaruat fakultetin jashtë, u pajisët edhe me një diplome tjetër, atë të juridikut, sepse aty mund t’i shërbenit më mirë kastës që iu fabrikoi.

U emëruat prokurorë, gjykatës dhe qysh nga ajo ditë, ju nisët një rrugë që e kishit patur të trashëguar dhe të pëlqyer njëkohësisht prej kohësh, pasi, mëe kujtohet, në sytë tanë, kishit krijuar një opinion vërtet të dyshimtë.

Drejtuat, me sa merrnim vesh, gjyqe; jepnit dënime të rënda, burg e interrnime të pa fund dhe me mendjen tuaj gjysmake, po gjykoje se po të ngrinte shumë lart, ndërsa për ne, ju, ish shokë të shkollës, po bëheshit tashmë jo vetem gjithmonë e më shumë figura të dyshimtë, por edhe te urryera.

Po ja që një ditë shtjellimet e ngjarjeve, siç ndodhte zakonisht në atë sistem, u rrokullisën dhe ju papritmas morët drejtimin, këtë radhë për teposhtë. I akuzuar nga “Bosi i Madh” që kishit ju të gjithë mbi kokë, se kishit punuar gjoja për të minuar sukseset e arritura të Pushtetit tonë Popullor, të futën edhe ty në atë “Gojë të madhe Kuçedre”, e cila me motivin për ta lënë Partinë sa më të pastër, kishte filluar të kollofiste, bile edhe me ngutje, nga që dukej sikur nuk i mjaftonte as koha, nga tre apo katër njëherësh nga ju më fanatikët që kishit sakrifikuar aq shumë për ta mbajtur sa më agresive atë diktaturë.

Nuk e di se çfarë ndjenë shokët e tjerë të shkollës, tani më të shumtit të shpërndarë, kur e morën vesh, por unë, të them të drejtën, ndjeva njëfarë keqardhjeje dhe mendova se nuk do të mbaja mëri edhe nëse një ditë do të na binte rasti që të takoheshim.

Dhe sot, unë ju shoh përsëri të përkëdhelur se, kuptohet, “dini shumë”, jeni “shumë të talentuar” si atëhere në matematikë, prandaj vazhdoni, ju lutem, të na drejtoni se “i keni të gjitha aftësitë”, tamam siç e pati thënë atëhere drejtori ynë i shkollës

Leave a comment