Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Përmirësimi i ekonomisë rrit të ardhurat buxhetore, ja sa miliardë lekë më shumë u mblodhën gjatë 7 muajve të parë të vitit 2021

rishikim-buxhet

Treguesit fiskalë të muajve janar – korrik 2021 tregojnë se në buxhetin e shtetit janë mbledhur 47.7 miliardë lekë më shumë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 7-mujore (Janar – Korrik 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 102 % të planit të 7-mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 7-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 96.4 % të planit të periudhës.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e shtatë të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë.

Këto të dhëna tregojnë që ekonomia po ringrihet gjatë këtij viti. Ndërkohë janë institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare, si FMN apo Agjencia S&P që në vlerësimin e tyre të fillimit të gushtit konfirmuan për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Rimëkëmbja e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës, ku sipas të dhënave, numri i të punësuarve në Qershor 2021 arriti në 710,464 persona, nga 667,761 persona që ishte në Qershor 2020.

Performanca Paraprake 7-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 281.4 miliardë ose 102 % të planit të 7-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 47.7 miliardë lekë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 101.8 miliardë lekë, 19.4 miliardë lekë ose 23.5% më shumë se 7-mujori 2020, si dhe 6.7 miliardë lekë ose 7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 7-mujorin e vitit 2021.

Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 49.9% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 5 produkte dhe përkatësisht: karburant importi 23.8%; cigaret 13.1%; metalet bazë dhe artikujt prej tyre 5.9%; automjetet e përdorura me 4.4%; plastika dhe artikujt 2.8% të të ardhurave.

Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i karburante, automjetet e përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, cigaret, veshje dhe tekstile dhe materialet e ndërtimit, me efekt +11.3 miliardë lekë si rezultat i rritjes së sasisë së importuar dhe ndryshimit të çmimit.

Të ardhurat nga TVSH në import për 7-mujorin rezultojnë 68.3 miliardë lekë, 14.3 miliardë lekë ose 26.4% më shumë se një vit më parë, si dhe 4.9 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 7 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë 7 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë karburante importi, automjetet e përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile,  dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +6.9 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, sheqeri, fruta –perime dhe telefona celularë, me një efekt -0.6 miliardë lekë.

Gjatë 7- mujorit 2021, ka patur një rritje të lehtë të sasisë së importuar të energjisë elektrike me +818 megaëatorë, krahasuar me vitin 2020, por përsëri efekti ka qënë negativ, -268.3 milionë lekë në të ardhurat për tvsh, megjithëse efekti në të ardhurat totale si rezultat I ndryshimit të çmimit ishte +272.3 milionë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 28 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë ose 17.3% më shumë se viti 2020, si dhe 1.4 miliardë lekë ose 5.1% më shumë se plani i akcizës për 7 mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm pozitiv në të ardhurat nga akciza kanë pasur produktet:

Karburant importi, me një rritje 50.5 mijë ton, (+19.4%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhurat e akcizës +24 miliard lekë, ose 19.8%.

Cigare me një rritje 100 ton, (+6.8%) më shumë se viti i kaluar, me efekt në të ardhurat e akcizës +1.4 miliard lekë, ose 16.7%.

Ndër produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ ishin: Birrë prodhim vendi, me një rënie prej 1.2 mijë ton (-5.3%) krahasuar me një vit më parë, me efekt negative në akcizë me -137 milionë lekë; Gaz i lëngët me një rënie prej 24.1 mijë ton (-31.5%), krahasuar me një vit më parë, me efekt negative në akcizë me -8 milionë lekë.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, 132.7% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 104.2% kundrejt planit, ose 57 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.2 miliardë lekë, 360.5 milionë ose 43.7% më  shumë se renta e 7 mujorit të vitit 2020. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 7- mujorin 2021 është 9.1% më shumë se viti i kaluar me efekt +32.1 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +285.1 milionë lekë. Gjatë 7-mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.35 lekë/ton në 3.09 lekë/ton.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 24.1 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me 7.8% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 me efekt +86 milionë lekë njëkohësisht dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +6.2 milionë lekë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 4 miliardë lekë, 642 milionë lekë ose 18.9% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 305 milionë lekë ose 8.2% më shumë se plani i 7- mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket, si cigaret (11.2%), fruta – perimet (9.1%), mish importi (9.3%), veshjet e këmbës (9.2%).

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 7- mujorin 2021 u realizuan në masën 141.5 miliardë lekë, 19.7 miliardë ose 16.2% më shumë se 7- mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.1 miliardë lekë, ose 1.5% më shumë se plani i 7- mujorit 2021.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 31.7 miliardë lekë, 7.2 miliardë ose 29.1% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 2.8 miliardë ose 9.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit. Rimbursimet për periudhën 7- mujore 2021 arritën 16.1 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë ose 184.1% më shumë se 7 mujori 2020, si dhe 5 miliardë lekë ose 45.3% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 7- mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 19.6 miliardë lekë 4.2 miliardë lekë, ose 27.3% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 271 milionë lekë ose 1.4% më pak se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 34% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 23.4 miliardë lekë, 4.3 miliardë lekë ose 22.3% më shumë se 7 mujori 2020, si dhe 511 milionë ose 2.2% më shumë se plani 7- mujor i 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur: të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 151% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020; të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet  me rritje 125% krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020; Taksat nacionale, për peridhën Janar-Korrik 2021 u realizuan në masën 20.9 miliardë lekë, 3.8 miliardë lekë ose 22.1% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 0.8 miliardë lekë ose 4% më shumë se plani i përcaktuar për 7 mujorin 2021. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 51.1% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 7 mujorit 2021 ka pësuar rritje me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 61.9 miliardë lekë, 7.6 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe realizim 105.7% të planit për 7- mujorin 2021. Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin Qershor 2021 rezulton rritje me 30,314 vende pune ose 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, në 7- mujorin e vitit 2021, arritën në rreth 311.3 miliard LEK me një realizim në masën 96.4% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 10% më i lartë ose rreth 28.2 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7- mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 52.5 përqind të planit vjetor fillestar dhe 51% e planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021 (AN nr.26).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 7-mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 99.6% dhe 63.3% e planit të periudhës.

Niveli i deficitit për periudhën 7- mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë, ose rreth 19.5 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 7- mujore niveli i deficitit rezulton 64.4% e planit të periudhës prej rreth 46.4 miliardë lekë./Monitor

Leave a comment