Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PUSHIMET E VERËS NË FUSHËN E MALIT TË DAJTIT

a47c7c93-f9f7-4fc2-8f92-7d9271576338

Nga Frederik STAMATI-

Baba më ka treguar për kohën kur ishte i ri…
Vera e viteve të tridhjeta, pra njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e ca, ishte shumë e nxehtë. Por ata të atëhershmit, nuk e kishin provuar verën e tanishme në Tiranën pa pemë e gjithë beton, që të kuptonin relativen edhe në nxehtësinë e diellit.
Sidoqoftë do të mbetemi në të drejtën e përceptimit të tyre dhe do të vazhdojmë pa ngut rrjedhën e kujtimeve nostalgjike.
Në atë kohë baba punonte në Postën e Tiranës. Ata bëheshin një grup shokësh për nga mosha, mendimi dhe dëshira për jetën e lirë dhe të mbushur me aventura. Dhe për të shpëtuar nga vapa e padurueshme shkonin për verim në fushën e Dajtit. Atje ngrinin një çadër në vendin më të mirë. Dhe ky vend ishte në buzë të greminës, tek ata gurët e rrëzuar nga mali, e që nuk dihet se kush i ka venë atje. Dhe aty ngrinin çadrën. Dhe që andej dukej e pastër Tirana, pa tymra dhe pluhura si sot, të cilat nuk munden t’i depërtojnë as dylbitë e artilerisë.
Ditën e kalonin si të mundnin. Në mëngjes zbritnin në Shërmi, është ai fshati i vogël mbi Linzë, e atje blenin qumësht, vezë, bukë fshati të butë e të ngrohtë, ndonjë pulë, qingj, dhe zarzavate.
Njëri nga shokët kishte marrë me vete edhe çiften, apo pushkën e gjuetisë dhe dilte për të vrarë ndonjë derr. Në atë kohë në malin e Dajtit kishte edhe derra të egjër, përveç arijve dhe ujqërve. Dhe vriste ndonjë.
Në darkë shtrohej gostia aty në buzë të greminës. Ndiznin një zjarr të madh mbi të cilin rrotullohej helli. Gotat e verës së kuqe shoqëronin gostinë rinore. Njëri i binte kitarës, e të tjerët këndonin. Këndonin nga ato këngët aq të bukura të Tiranës dhe të Shqipërisë së mesmë, që drithërojnë dashurinë…
Nga zjarri i shpuprisur ngriheshin lart e përziheshin me yjet shkendija ledhatare. Ah, magjia e romantikës! Gëzuar rini! E ftohta e natës së malit thekej në zjarrin e pakursyer…Gëzuar rini! Gëzuar larg qytetit! Gëzuar në natyrën e pastër dhe freskinë deri në ftohtësi të malit! Gëzuar deri në mesnatë!
Dhe kështu kalonin një muaj në fushën e Dajtit…
* * *
Baba im quhej Micenko. Ky është një emër i padëgjuar ndër shqiptarë, i çuditshëm dhe enigmatik.
Kur lindi në Durrës, i a vunë emrin Mihal. Ishte lufta ruso-turke. Gjenerali rus, që e vuri përpara ushtrinë turke e kishte emrin Licenko, a diçka të përafërt. Atëherë, siç ndodh ndonjëherë në të tilla raste të mbushura me entuziazëm, ata , familiarët, morën shkronjën e parë M të emrit Mihal dhe zëvendësuan me të shkronjën L të emrit të gjeneralit rus dhe kështu doli emrin Micenko. Shkurt e thërrisnin: –Ceka.

Related Posts

Leave a comment