Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KOMPLOTE NJERËZ TEORI

00C7F2C4-449F-4E52-8A9E-F35D70AD433B

Nga Ardian VEHBIU-

Teoritë e komplotit në lidhje me COVID-19 dhe vaksinat kundër tij kanë zënë vend mirë në mediat shqip, si në televizion, Internet dhe në shtyp; me gjasë, kjo lidhet edhe me klikimet dhe interesin e publikut.

Kjo edhe i ka sjellë në plan të parë të ashtuquajturit KONSPIRATIVISTË (konspiracistë) ose TEORICIENË KOMPLOTI, të cilët i ofrojnë shpjegimet e tyre alternative ndaj gjërave që shqetësojnë njerëzit.

Por termi vetë, KONSPIRATIVIST, emërton edhe atë që del në televizion të flasë për mikroçipin në vaksinë, edhe atë që thjesht i beson një ose shumë teorive të tilla, por pa qenë instrument i përhapjes dhe divulgimit të tyre.

Kështu, shoku yt në kafe që mundohet të të bindë se çdo ndeshje futbolli është e shitur vjen e barazohet me atë që, pa pasur ndonjë titull profesional, del në ekran dhe u bën thirrje njerëzve ta refuzojnë vaksinën.

Unë do të quaja KONSPIRATIVIST vetëm atë që i beson ose gjysmë-i-beson një teorie komploti dhe e bën të vetën, ndërsa TEORICIEN KOMPLOTI atë tjetrin, që seriozisht e formulon dhe e argumenton teorinë përkatëse në publik.

Kështu, Bill Kaysing, i cili formuloi teorinë e komplotit se të gjashta misionet Apollo që çuan astronautë në Hënë ishin të rreme (të sajuara), mund të quhet, me plot gojën, TEORICIEN KOMPLOTI; ndërsa ata miliona të tjerë që e besojnë teorinë e tij janë thjesht konspirativistë.

Dhe kjo, sepse Kaysing është autori i asaj teorie ose i atij shpjegimi alternativ për misionet e NASA-s në Hënë; për çfarë e meriton të quhet “teoricien”. Për të njëjtën arsye, është qesharake ta quash “teoricien” një hidraulik no-vax – sa kohë që ky thjesht krijon një bindje të vetën, pasi ka parë dy video në YouTube.

Personazhet mediatike, që dalin në televizion dhe në Internet, për të shpjeguar pse COVID-19 nuk ekziston, ose pse vaksinat po përdoren për të na shfarosur, janë një KATEGORI E TRETË. Veçanërisht në Shqipëri, shpesh bëhet fjalë për persona që i gjejnë këto teori komploti TË GATSHME dhe, mbase ngaqë i besojnë vërtet ose ngaqë i gjykojnë si të dobishme për biznesin e tyre ose për çfarëdo arsyeje tjetër, vendosin t’ua shpjegojnë të tjerëve publikisht.

Nuk është për t’u përjashtuar a priori se ndonjë prej tyre e ofron shpjegimin konspirativ si shërbim publik, ose ngaqë vërtet i dhimset fati i atyre që ende nuk janë “iluminuar”; edhe pse është vështirë të pranojë njeriu se këta shkoqitës të komploteve mund të quhen vërtet “alternativistë”, ose persona të titulluar për të sfiduar versionet zyrtare të ngjarjeve.

Mund ta kuptoj një inxhinier ndërtimi që nuk e beson se kullat binjake u shembën thjesht ngaqë u goditën prej avionëve; siç mund ta kuptoj një mikrobiolog që ka frikë se vaksinat me mRNA mund të krijojnë kaos në sistemin imunitar dhe ta bëjnë trupin të kthehet kundër vetes. Këta janë teoricienë komplotesh të mirëfilltë, madje disa pa tjetër bona fide; nuk u besojnë shpjegimeve zyrtare, por njëkohësisht i kuptojnë mirë problemet me të cilat angazhohen.

Por ai person që i përqafon teoritë e komplotit in toto, dhe ua zbulon të tjerëve me tone prej profeti të alternativizmit në dije, nuk mund ta ketë ekspertizën e nevojshme për t’iu kundërvënë të gjitha këtyre të vërtetave zyrtare. Profesioni i tij MORAL do të ishte, e shumta, anti-konformizmi, ose mosbesimi ndaj autoritetit të dijes zyrtare – në rastin më të mirë.

Edhe pse zakonisht bëhet fjalë për njerëz që lexojnë poshtë e lart online, shohin video në YouTube, dhe pastaj i divulgojnë këto për publikun shqip; për çfarë mbase duhen quajtur popullarizues të komploteve; ashtu edhe u ngjajnë disi gazetarëve të shkencës, por të veshur mbrapsht, si mbathjet ndonjëherë në errësirë.

Ka pastaj edhe teori komploti, të panumërta, që gjëllijnë brenda universit shqiptar – dhe që shpjegojnë zakonisht tradhtitë e liderëve politikë, të djeshëm dhe të sotëm; punën e tyre me pagesë në shërbim të armikut; shitjen ose nënshtrimin e tyre ndaj elitave kozmopolite.

Sikurse ka teori komploti që i sillen publikut nga mëngjesi në darkë, për të shpjeguar – por pa fakte, ose duke i marrë këto si të nënkuptuara – “shkaqet” dhe “autorët” e ngjarjeve të ndryshme kriminale; vrasjet politike të mbetura pa shpjegim; dhe në përgjithësi gjithçka që ndodh në politikë; korrupsionin e elitave dhe gjithçka tjetër të mistershme në punët e politikës shqiptare.

Autorët e këtyre teorive, që i dëgon rëndom deri edhe në Parlament, në intervistat e politikanëve, në muhabetet në talk shows dhe në statuset e disa personave publikë dhe të disa gazetarëve në Facebook, e meritojnë të quhen “teoricienë komploti”, sepse luajnë rol aktiv në formulimin dhe pastaj edhe divulgimin e teorive përkatëse.

Kjo nuk e përjashton ekzistencën e komploteve të mirëfillta, të cilat nuk janë veçse plane pak a shumë sekrete, për përfitim privat, nga një grup njerëzish që janë gati të shkelin ligjin për t’i realizuar synimet e tyre. Këta KONSPIRATORË do ta etiketojnë pastaj si “teori komploti” çdo përpjekje nga mediat investigative për t’i demaskuar.

Një teori komploti nuk është detyrimisht e gabuar; por shpesh, ngaqë “i djeg” etapat dhe nuk i mbështet dot mirë tezat që ka përqafuar, përfundon së shërbyeri asaj të keqeje, që mëton ta luftojë. Kjo i vë para një përgjegjësie morale edhe ata që i kanë vënë vetes misionin t’u japin masave të vërtetën “ndryshe”./ Peizazhe te fjales

 

Related Posts

Leave a comment