Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Vaksinim i detyrueshëm apo testim?

vaksinimi-780x405
Nga Erion DASHO * – 
Në Shqipëri, si në gjithë botën filluan protestat kundër vaksinimit të detyruar kundër COVID-it. Në parim, protestuesit kanë të drejtë! Askush nuk duhet të detyrohet për t’ju nënshtruar një procedure mjeksore.
Jo më pak se disa javë të shkuara, shembulli i Izraelit tregoi se edhe personat e vaksinuar mund të preken nga COVID-i dhe ta transmetojnë infeksionin.
Para disa ditësh në një kongres çdo pjesëmarrësi i kërkohej testimi i përditshëm, ndonëse pothuajse secili prej tyre ishte i vaksinuar. Organizatorët e kongresit ishin të ndërgjegjshëm se të qenët i vaksinuar nuk garanton që personi është “i paprekshëm” nga COVID-i.
ATËHERË A DUHET TË VAKSINOHET NJË PERSON?
Njohuritë e deritanishme dhe përvoja e vendeve nga të cilat vijnë informacione të besueshme flasin se vaksinimi ul ndjeshëm rrezikun për komplikacione dhe vdekje. Risku i komplikacioneve dhe vdekjes është shumë herë më i ulët tek të vaksinuarit në raport me të pavaksinuarit.
Një person që e dëgjon dhe e beson këtë deklaratë që vjen nga mjekë, shkencëtarë dhe autoritete rregullatore prestigjioze, duhet të vaksinohet sepse në këtë mënyrë mbron shëndetin dhe jetën e vet. Nëse nuk dëshiron të vaksinohet, ky person merr parasysh pasojat dhe sigurisht rrezikun që vjen nga infektimi i mundshëm prej SARS-CoV-2.
Por nuk duhet harruar se javët e fundit nxorrën në pah dy probleme jo të vogla. Së pari, jo të gjithë personat e vaksinuar (qoftë edhe me vaksinat cilësore) përfitojnë mbrojtje. Së dyti, përvoj izraelite tregoi se shkalla e mbrojtjes që ofron vaksina ulet me kalimin e kohës, një rënie që sot vlerësohet 6% në muaj.
Këto dy probleme vendosin në pikëpyetje faktin nëse vaksina mund të përdoret me efektivitet si masë e vetme për të parandaluar përjapjen e virusit dhe përgjigjja deri tani është “Fatkeqësisht, jo!”
Gjithmonë e më shumë vende e kanë kuptuar se përveç vaksinimit duhet vazhduar të merren edhe masa të tjera parandaluese në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik.
PO TESTIMI?
Metodat e testimit për SARS-CoV-2 po bëhen gjithmonë e më të besueshme dhe më të lira. Sot një test i shpejtë antigjenin në Europë kushton më pak se një euro dhe aftësia për të diagnostikuar një person të prekur (sensitiviteti) është shumë e lartë.
Nëse vaksina nuk arrin të ofrojë 100% mbrojtje, kurse metoda të caktuara testimi kanë një saktësi që i afrohet 100%-it, kjo do të thotë se testimi do të ishte një masë më efektive se vaksina për të parandaluar transmetimin e infeksionit dhe për të mbrojtur shëndetin publik. Pikërisht, kjo ishte arsyeja se përse organizatorët e kongresit kërkonin nga pjesëmarrësit jo thjesht certifikatën e vaksinimit, por edhe testim të përditshëm!
Si përfundim, vaksina mbetet sot mjeti më efektiv që kemi në dispozicion për të ulur rrezikun individual në raport me COVID-in. Një person me mend, sot nuk dëgjon teoritë e Anti-Vax-ëve dhe konspiracionistëve, por vaksinohet pa humbur kohë.
Nga ana tjetër, detyrimi për t’u vaksinuar nuk i shërben fushatave të vaksinimit dhe roli i tij në mbrojtje të shëndetit publik duket i dyshimtë.
Nëse synimi është për të parandaluar përhapjen e COVID-it në një auditor, një klasë apo një kolektiv pune, ndoshta testimi dy ose tre herë në javë dhe izolimi i personave të infektuar do të ishte një masë shumë më efektive.
Të paktën, bazuar në informacionet që disponojmë deri sot…
*  Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë

Related Posts

Leave a comment