Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Arrestohet një burrë me armë pranë Kapitolit

KAPITOL USA

Policia e Kapitolit tha se arrestoi një burrë nga Kalifornia të hënën herët pranë selisë së Komitetit Kombëtar Demokrat në Uashington dhe se në kamionin e tij gjetën thika të shumta, një bajonetë dhe një hanxhar.

Oficerët e policisë thanë se rreth mesnatës të së dielës ata vunë re kamionin, me një shenjë të nazizmit dhe simbole të tjera supremaciste të pikturuara mbi të. Në vend të targës, policia tha se kamioni kishte një fotografi të një flamuri amerikan.

Është e paligjshme të mbash bajonetë apo hanxhar në Uashington. Personi i arrestuar, Donald Craighead, 44 vjeç, nga Oceanside i Kalifornisë, tha se ishte “në patrullë”, tha policia. Craighead u akuzua për mbajtjen e armëve të ndaluara.

Policia tha se po vazhdon hetimet për të dyshuarin.

Siguria mbetet e lartë pranë Kapitolit, jo shumë larg selisë së partisë demokrate, pas sulmit në ndërtesën e Kapitolit më 6 janar nga qindra mbështetës të ish -presidentit Donald Trump. Incidenti ndodhi pasi ligjvënësit po çertifikonin se ai kishte humbur garën e tij për rizgjedhje nëntorin e kaluar nga demokrati Joe Biden, i cili mori detyrën si president më 20 janar.

Persona që mbështesin më shumë se 600 protestues të arrestuar tetë muaj më parë po planifikojnë një tubim të titulluar, “Drejtësi për 6 Janarin”, në Uashington këtë të shtunë. Rreth 50 persona janë deklaruar fajtorë për një sërë akuzash, ndërsa pjesa tjetër e çështjeve gjyqësore janë në pritje, me disa të dyshuar që kanë mbetur në burg, duke pritur gjykimet.

Policia e Kapitolit tha në një deklaratë të hënën se ishte në dijeni të “bisedave në internet” në lidhje me demonstratën e planifikuar për të shtunën.

“Unë i bëj thirrje kujtdo që po mendon të shkaktojë probleme të qëndrojë në shtëpi. Ne do të zbatojmë ligjin dhe nuk do të tolerojmë dhunën”, tha shefi i forcës së sigurisë, Tom Manger.

Policia miratoi një plan të hënën për të rivendosur përkohësisht një gardh rreth ndërtesës së Kapitolit në pritje të demonstratës të së shtunës./VOA/

Related Posts

Leave a comment