Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rishikimi i titujve akademik/ Rektorët plagjaturist refuzuan procesin

The person examines copyright sign
 Ka disa universitete në Shqipëri që drejtohen nga rektorë që kanë fituar tituj me plagjaturë. Arsye kjo që rektorët e refuzuan procesin e rishikimit të titujve dhe gradave, pasi disa prej tyre nuk mund ta kalonin kontrollin…

Ish-ministrja e Arsimit në qeverinë e socialistëve, Besa Shahini, deklaroi të hënën në një koment në Facebook se në Shqipëri një pjesë e rektorëve të universiteteve bëhen pengesë për luftën kundër plagjaturës pasi janë vetë të pajisur me tituj akademikë të fituar përmes studimeve të plagjiarizuara. Shahini, 39 vjeç, drejtoi ministrinë e Arsimit nga janari i vitit 2019 deri në shtator 2020, kohë gjatë së cilës, zyrtarë të ndryshëm të qeverisë shqiptare, përfshirë edhe deputete socialiste, u përballën me akuza publike se kanë bërë plagjaturë në studimet e tyre pasuniversitare apo në doktoraturë. Kjo e nxiti qeverinë të propozojë rishikim të titujve akademikë ndërkohë që zyrtarët e akuzuar për plagjaturë thjeshtë mohuan akuzat dhe vijuan të mbajnë të njëjtat pozicione partiake.

Por Shahini thotë se propozimi i qeverisë për rishikim të titujve mbeti vetëm propozim për shkak se rektorët e refuzuan procesin.

“Rektorët refuzuan këtë proces pasi disa nuk mund ta kalonin kontrollin, ndërsa të tjerët e kishin më të rëndësishëm kolegjialitetin me kolegët se sa zhdukjen e kësaj sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë përbrenda,” deklaroi Shahini.

“Qeveria nuk kishte mundësi ligjore t’i detyronte, duke qenë se ligji i arsimit të lartë i jep autonomi të plotë akademike universiteteve dhe nuk lejon ndërhyrje nga jashtë. Si rezultat, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara,” shtoi ajo. Shahini gjithsesi nuk përmendi emra konkret të rektorëve të dyshuar për tituj të fituar me plagjaturë.

Plagjatura, ose kopjimi i studimeve të të tjerëve dhe prezantimi si studim i plagjiarizuesit, besohet se është fenomen i gjithëpërhapur në qarqet akademike shqiptare ku shpesh, përkthimet e studimeve të huaja janë prezantuar si studime origjinale. Në universitetet e ndryshme nëpër botë, studimet apo esetë që studentët dorëzojnë te profesorët për vlerësim, i nënshtrohen fillimisht një kontrolli automatik për plagjaturë, kontroll që kryhet me programe kompjuterike, të cilat krahasojnë punën e prezantuar me një bazë të dhënash nga studimet ekzistuese.

Shahini thotë që qeveria shqiptare e ka krijuar sakaq një program të tillë edhe për të kontrolluar studimet në gjuhën shqipe por sipas saj, kjo platformë dixhitale ka skaduar tashmë prej disa muajsh.

Shahini propozoi që socialistët të kryejnë ndryshime ligjore në mënyrë që të detyrojnë universitetet shqiptare të nisin procesin e rishikimit të titujve akademikë dhe kontrollit të tyre për plagjaturë.

“…Kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura,” deklaroi Shahini.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ndryshoi ligjin për arsimin e lartë në vitin 2015 duke premtuar rritje të cilësisë. Strukturat e reja të krijuara, si bordi i administrimit, gjithsesi u kritikuan në vijimësi si struktura të mbushura me militantë socialistë, interesi i të cilëve ishte dukshëm politika e emërimeve dhe shkarkimeve nga puna të stafeve ndihmëse./Reporter.al – Titulli është ndryshuar nga Arberia News/

Related Posts

Leave a comment