Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KUPTIMI PRAKTIK I “KOMEDISË HYJNORE” TË DANTE ALIGIERIT

241923469_1816563168551927_2638862341006976958_n

Nga Robert MARTIKO-

Zakonisht lexohen libra thjesht për të mësuar një ndodhi të caktuar. Nuk kërkohet nga lexuesi diçka shumë herë më e thellë dhe më çudibërëse për vetë jetën e tij. Të hyjë në dialog me librin. Një nga këto vepra që njeriu mund të mësojë shumë është pa dyshim edhe KOMEDIA HYJNORE e Dante Aligierit me tri pjesët e saj të famshme: FERRI, PURGATORI dhe PARAJSA.
Nëse peripecitë e Odiseut të Homerit mund të shihen si udhëtime me karakter horizontal, vetë udhëtimi i Dantes, fillimisht, në Ferr, për të arritur në Parajsë, ka karakter vertikal. Odiseu i Dantes thotë fjalët monumentale të drejtuara për Njeriun: “Shikoni farën tuaj: ju nuk u bëtë të jetoni si brutalë, por të ndiqni virtytin e dijen”. -Këto janë fjalët e një mëkatari. Odiseu është për Danten një Aristotel gjysmak, shkencëtar pa etikë, edhe pse mjaft i zgjuar e i mençur për kohën e tij, me një shoqëri përreth në gjendje të primitive, të egër.
Konkretisht, njeriut, sidomos atij që jeton në shoqëri të parilindura e për pasojë mjaft problematike, i duhet të mendojë në thellësi Danten. Fillimisht, autori i librit ndodhet në një pyll të errët në Ferr dhe mendon se si të dalë prej tij. I duhet të bëjë pikërisht atë që nuk bëri kurrë Odiseu: të ngrejë sytë lart për lartësimin e tij vertikal, shpirtëror. Kjo pikërisht është profecia e Dantes. Ishte koha kur në Mesjetë, njeriu evropian, ende nuk kishte mundur të shpëtonte nga Ferri i vetvetes.
Ajo që ka rëndësi të madhe të vihet në dukje është se Dantja nuk sheh Zotin si magjistar në qiell, që nuk prodhon veç se një shoqëri në kaos e luftë civile. E sheh siç e pa Rilindja Evropiane. Është një Zot i përfytyruar me Logjikë dhe i mbuluar me hir, siç është hir i zemrës së individit me mendje të çelur, kur zbulon dashurinë për vetë njeriun. Ndërsa arsyeja e verbër, fanatizmi i çdo ngjyre nuk mban njeriun veçse në Ferr.
Udhëtimi i Dantes në Ferr është fantazi por praktikisht bëhet fjalë për të vërteta më shumë nga vetë e vërteta. Udhëtimi nga skllavëria në liri, nga mëkati në kulmin e lirisë, është eksperiencë që mund të bëjë vetë njerëzimi. Mëkati është skllavëri. Prandaj Ferri i Dantes thotë: “Lini çdo shpresë ju që hyni!” -Nuk mund të konceptohet kurrë vende si Shqipëria, të shohin një ditë të bardhë, në shekuj, pa krijuar ndërgjegjen dhe kujdesin për Njeriun në radhë të parë. Kuptimi i FERRIT është se të gjithë njerëzit mund të ngrihen lart duke u kujdesur për korrigjimin e vetvetes. Është diçka që njeriut të shoqërive të parilindura nuk i shkon kurrë në mend. Nga ligësia e padituria, që e shoqëron pa e kuptuar, konsideron veten si qendra e botës.
Dantja është sikur i thotë njeriut se ti vërtet e ke origjinën nga xhungla e mishngrënies e gjakderdhjes, por duhet të dish se ke edhe një veti qiellore, të pazbuluar, të fshehur në vetvete: të krijosh mrekulli të vërteta shpirtërore, civilizimet më madhështore në botë. Pikërisht me idenë e Njeriut-Mrekulli mund të projektohet e ardhmja.
Shkruaj sa më sipër edhe për faktin se Letërsia dhe Artet nuk janë për të krijuar gjëra të pathelluara, apo të kthejnë Kohën shekuj pas, siç ndodhi me artet e Diktaturës, që mësuan vëllavrasjen dhe shumëfishuan armiqësinë shekullore, por të mundin të krijojnë një Botë e Civilizim të ri të denjë për të jetuar pasardhësit tanë.

Leave a comment