Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Rama për ‘Handelsblad’: Unë s’jam politikan, por artist në politikë

F6CDA8C0-59AB-4E7A-B5CA-0A7089D141D4

Nuk mund të ketë gjë më simbolike, kur objekti i parë që vizitorët shikojnë në ”Rafaelo Resort” në Shëngjin është Statuja e Lirisë, shkruan Mark Duurusma për gazetën e njohur holandeze ”Handelsblad”.

”Statuja qëndron para hyrjes së një hoteli me pesë yje. Gratë dhe fëmijët luajnë me top në një lëndinë. Rreth pishinës njerëzit ulen në shezlongë, bashkë me telefonat e tyre. Pavarësisht nga vapa, ata veshin shumë rroba dhe shumë gra i mbulojnë flokët. Ata janë refugjatë afganë, në rrugën drejt një jete të re në SHBA.

Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, është destinacioni befasues për qindra afganë që mundën të largoheshin nga vendi i tyre, pas marrjes së Kabulit nga talebanët, më 15 gusht.

Më 27 gusht, grupi i parë mbërriti në Tiranë. Qëndrimi i tyre në Shqipëri është i përkohshëm. SHBA-së i duhet kohë për të kontrolluar të gjithë të evakuuarit, përfshirë ata në vendet e tjera dhe për të vlerësuar nëse një leje qëndrimi në SHBA është e justifikuar. Kjo pritet të zgjasë 12 deri në 14 muaj.

Me kërkesë të SHBA, vendet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, madje edhe Uganda,  po strehojnë gjithashtu përkohësisht refugjatë.

Shqipëria tha se do të strehonte 4 000 persona, por ky numër nuk do të arrihet për shkak të evakuimeve praktikisht të ndaluara nga Kabuli. Aktualisht janë 662 refugjatë, të shpërndarë në dy vende përgjatë bregdetit adriatik.

Refugjatët shëtisin të shqetësuar nëpër ”Rafaelo Resort”, ku ata zënë një të katërtën e më shumë se 600 dhomave. Djemtë e vegjël duken të përmalluar në pishinë.

Atyre u lejohet të notojnë vetëm pasdite për t’u dhënë turistëve më shumë hapësirë ​​në mëngjes. Qyteti i vogël bregdetar ka pak për të ofruar, ai ndodhet pranë Lezhës që është krenare për mauzoleun e Skënderbeut. Faqja e udhëtimit TripAdvisor e vlerëson ”Rafaelo Resort” si të moderuar. Hoteli ”Kullat Binjake”, përkundrazi, vlerësohet më shumë.

“Një artist në politikë”

Plazhi me çadra, menjëherë pranë vendpushimit, nuk është për Neginën, një artiste 23-vjeçare. Ajo dëshiron të flasë në një tryezë pranë pishinës, por mendon se një fotografi me portretin e saj është shumë e rrezikshme për shkak të familjes së saj, që ka lënë në Afganistan.

Në Kabul, Negina ishte pjesë e ArtLords, një grup që fokusohet në artin e rrugës, të përkushtuar për të drejtat e grave. Dhjetë nga 54 anëtarët e grupit janë në ”Rafaelo Resort”. Prindërit, motra dhe dy vëllezërit e Neginës janë ende në Kabul.

“Është e vështirë të mbash kontakte, por besoj se ata janë mirë”, thotë ajo.

Një nga vëllezërit e saj është përkthyes për ushtrinë amerikane. Më 19 gusht ajo fluturoi nga Kabuli në Dubai, katër ditë më vonë në Tiranë. “Ne dëgjuam në Dubai se do të shkonim në Shqipëri. E dija që ishte në Evropë, por asgjë tjetër. Por, nuk më intereson. Ne mund të marrim frymë lirisht këtu”, shton Negina.

Në mes të Tiranës, në një ndërtesë të kohës kur Shqipëria u pushtua nga Musolini, na pret kryeministri Edi Rama. Muret e zyrës janë të mbuluara me pikturat e tij, tavolina është e mbushur me lapustilë dhe lapsa.

“Unë nuk jam politikan, unë jam artist në politikë”, thotë ai.

Kjo mund të jetë e vërtetë, por Rama ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga viti 2005 dhe sapo ka filluar një mandat të tretë si kryeministër.

”Strehimi në një kamp me tenda nuk ishte një opsion për refugjatët afganë”, thotë Rama.

“Kampet të dehumanizojnë dhe të krijojnë një imazh shumë shqetësues, si për vetë refugjatët ashtu edhe për shoqërinë. Kampet janë një turp. Viktimat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 u vendosën gjithashtu në hotele. Për fat ishte dimër, hotelet ishin bosh”, thotë kryeministri.

”Refugjatët do të duhet të gjejnë strehë diku tjetër verën e ardhshme. Ne po punojmë për këtë. Refugjatët që nuk janë të mirëpritur në SHBA, pas shqyrtimit, mund të qëndrojnë në Shqipëri”, thekson ai.

”Jo një vend me amnezi”

Kryeministri kundërshton idenë se Shqipëria, një vend me shumë punëtorë migrantë jashtë vendit dhe një vend i etur për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, po pranon refugjatë për të lënë një përshtypje të mirë te SHBA te BE.

“Ne nuk po e bëjmë këtë për një marrëdhënie të mirë me SHBA. Ne jemi anëtarë të NATO-s, ne e ndiejmë këtë si përgjegjësinë tonën. Ushtarakisht, roli ynë është modest, por nëse mund të jemi të dobishëm, ne do të jemi”, thotë Rama.

Rama është kritik ndaj vendeve të Evropës Perëndimore që preferojnë të mbajnë refugjatët afganë në distancë.

“Ne nuk mund të veprojmë si një vend me amnezi. Unë mendoj se Evropa po lufton për të mbrojtur vlerat dhe parimet sepse brezi që është tani në pushtet nuk ka përjetuar luftë”, thekson ai.

Lufta e Dytë Botërore është gjithmonë e pranishme në Shqipëri. Vitin e kaluar, Rama hapi Memorialin e Holokaustit në Tiranë, kushtuar shqiptarëve që mbrojtën hebrenjtë nga nazistët.

Jo vetëm kryeministri, por edhe shqiptarët e tjerë theksojnë se vetëm në vendin e tyre numri i hebrenjve ishte më i madh në fund të luftës sesa në fillim të saj. Kujdesi dhe mbrojtja e njerëzve në nevojë është pjesë e kodit shekullor të nderit kombëtar shqiptar, besa. Vetëm në epokën komuniste, nga 1944 në 1991, Shqipëria i ktheu shpinën botës.

Në luftën e Kosovës, në fund të viteve 1990, Shqipëria u pa gjithashtu si një shembull i mikpritjes. Gjatë asaj periudhe, 500 000 kosovarë, duke ikur nga agresioni serb, gjetën strehë në Shqipëri. Kushtrim Mjaku nga Kosova, me gruan dhe djemtë e vegjël pranë pishinës në ”Rafaelo Resort”, pajtohet me faktin që për afganët duhet të kujdesesh.

“Ne e dimë se si është të ikësh, mendoj se duhet t’i ndihmojmë ata. Ne pamë një grua që mbante dy fëmijë të vegjël këtu, ne duam t’i blejmë asaj një karrocë fëmijësh”, thotë Kushtrimi.

Shoqëri e lidhur fort

Nuk është rastësi që pothuajse të gjithë afganët në Shëngjin flasin mirë anglisht. Ata janë shumë të arsimuar dhe kanë punuar për organizatat amerikane ose institucionet afgane që u financuan me paratë amerikane. Ka gazetarë, inxhinierë dhe shumë gra që janë të përkushtuara ndaj të drejtave të grave. Ata janë evakuuar me ndihmën e OJQ-ve amerikane si ”National Endowment for Democracy” dhe ”National Institute”. ”Shoqëria e Hapur” e George Soros kërkoi ndihmë nga qeveria shqiptare para se qeveria amerikane ta bënte këtë. Disa gra përmendin edhe fondacionin ”Yalda Hakim”, një iniciativë e një gazetareje të BBC-së të lindur në Afganistan.

Grupi i refugjatëve funksionon si një shoqëri e lidhur fort. ”Udhëheqësit e ekipeve” kujdesen për kontaktin me botën e jashtme dhe thërrasin grupin e tyre nëse një problem duhet diskutuar. Në një diskutim ku gratë flasin, burrat qëndrojnë larg. Drejtuesi i ekipit është një grua 20-vjeçare e mbuluar, asistentja e saj një djalë 16-vjeçar, i cili shikon CNN-in në laptopin e tij.

Ekziston edhe këshillimi psikologjik që “nëse dikush është ulur vetëm në tryezë, uluni me të”. Është ngritur edhe një shkollë për fëmijët. Një grup grash marrin një shpjegim nga një estetiste shqiptare se ku të shkojnë për kujdes personal. Një mjek afgano-anglez, i cili ka punuar në Londër për 20 vjet, është vullnetar me bashkëshorten në këtë resort për dy javë. Ata janë një burim informacioni për të gjithë.

Gazetari Elyas (29 vjeç) pa javën e kaluar atë që u ndodhi kolegëve të tij në gazetën ”Etilaatroz” pasi ata raportuan për një protestë të grave në Kabul. Imazhet e trupave të tyre të torturuar përshkuan botën. Elyas dhe bashkëshortja, që punonin për Ministrinë e Brendshme, u larguan nga Kabuli më 23 gusht dhe përfunduan në Tiranë. Prindërit e tij, dy vëllezërit dhe dy motrat janë në Afganistan. ”Do të doja të kthehesha, por nuk mundem. Shpresoj të jem në gjendje të punoj si gazetar në SHBA”, thotë ai.

Refugjatët kanë gjithmonë të njëjtën përzierje ndjenjash: lehtësim që kanë shpëtuar, befasi për mjedisin e papritur, shqetësim për familjen dhe kolegët e lënë pas, por edhe pasiguri për të ardhmen.

”Për momentin, jeta ime është ndalur”, vëren Negina. Perspektiva e qëndrimit të saj në këtë resort edhe për një vit tjetër është shqetësuese. “Është bukur këtu, por nuk mund ta shijoj”, thotë ajo.

Related Posts

Leave a comment