Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

A po distancohet politikisht Evropa nga Amerika?

Screenshot-2021-09-11-at-11.30.46-AM (2)

Nga Ramzy BAROUD-

“Gulf News”

Ideja e parashtruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në fund të vitit të kaluar, nuk duket të jetë më aq e pakuptimtë apo e paarritshme. Pas tërheqjes së nxituar të SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani, vendet evropiane janë tashmë të detyruara të marrin në konsideratë atë që dikur ishte për ta e paimagjinueshme:një distancim gradual nga dominimi amerikan.

Kur më 29 shtator 2020, Macron tha këto fjalë:”Ne, disa vende më shumë se të tjerat, hoqëm dorë nga pavarësia jonë strategjike, duke u bërë shumë të ndërvarura nga sistemet e armëve amerikane”, konteksti i kësaj deklarate nuk kishte të bënte shumë me Afganistanin. Përkundrazi, Evropa ishte në fakt më shumë e zemëruar me sjelljen tejet arrogante të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ndaj po kërkonte alternativa ndaj udhëheqjes amerikane.

Trump e trajtoi NATO-n – në fakt të gjithë Evropën – me një përbuzje të tillë të madhe, sa që detyroi edhe aleatët më të afërt të Amerikës të ri-mendojnë krejtësisht pozicionet e tyre në politikën e jashtme, dhe mbi strategjinë ushtarake globale.

Edhe ardhja në krye të SHBA-së e presidentit të ri Joe Biden,me garancitë e tij ndaj Evropës se “Amerika është kthyer”, nuk ndikuan aq shumë për t’i qetësuar vendet evropiane, të cilat kanë me të drejtë frikë, se paqëndrueshmëria politike në Amerikë mund të ekzistojë edhe për shumë kohë pas përfundimit të mandatit të Biden.

Lufta më e gjatë e Amerikës në Afganistan ka përfunduar tashmë. Por pyetjet më të vështira mbeten pa përgjigje .Tërheqja kaotike e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani – pa u konsultuar apo përfillur fare anëtarët e NATO-s,kur SHBA-ja nënshkroi dhe miratoi një marrëveshje tërheqjeje me talebanët në korrikun e vitit 2020 -e ka bindur Evropën se pavarësisht humbjes së Trump, Uashingtoni ka mbetur në thelb i njëjti:një “aleat” egoist.

Tani që SHBA-ja dhe NATO janë larguar zyrtarisht nga Afganistani, në Evropë po zhvillohet një debat politik në shumë platforma politike. Shenjat më të qarta janë se Evropa është gati të vazhdojë të ecë përpara me një axhendë të pavarur të politikës së jashtme.

Strategjia ushtarake me në qendër Evropën, u bë më se e qartë në takimin e fundit të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së,të mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë. Në një qasje që po përfaqëson gjithnjë e më shumë një qëndrim më të gjerë të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell Fontelles, artikuloi hapur ndjenjën që dominon sot bllokun:

“Përvoja që na vjen nga Afganistani, ka treguar se paaftësia jonë për të reaguar, vjen me një kosto të madhe. Prandaj është e nevojshme qëBE-ja të forcojë autonominë e saj strategjike, duke krijuar forcën e parë ushtarake ndërhyrëse, e cila do të jetë e aftë të sigurojë stabilitet në rajonet fqinje me BE-në”.

Përkundër garancive se kjo “forcë e parë ndërhyrëse” nuk do të përfaqësojë një alternativë ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), por se përkundrazi “do të plotësojë” rolin e saj, gjasat janë që kjo ushtri e re të shërbejë si një hap për pavarësinë e lakmuar të Evropës nga SHBA-ja në axhendën e politikës së jashtme.

Është e pamundur të mos habitesh me këto deklarata nga zyrtarët më të lartë evropianë, përfshirë ata britanikë, mbi krizën që po kalon NATO. Mos harroni se ishin 51 anëtarë të NATO-s dhe vende partnere, ato që ndihmuan pushtimin amerikan të Afganistanit në tetorin e vitit 2001, pas evokimit nga Uashingtoni të Nenit 5 të Traktatit Themeltar, që ka të bëjë me klauzolën e mbrojtjes kolektive.

“Askush nuk na pyeti, nëse ishte një ide e mirë të largoheshim nga ai vend në këtë mënyrë”- deklaroi Johann Wadephul, nënkryetar i grupit parlamentare të Kristiandemokratëve të kancelares gjermane Angela Merkel, duke iu referuar tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani, me një mungesë totale të koordinimit me aleatët e Uashingtonit në NATO.

Ish-kryeministrja britanike, Theresa May, vuri në pikëpyetje gjithçka, përfshirë besnikërinë e verbër të Evropës ndaj SHBA-së:“A ishin vërtet kaq shumë dobët shërbimet tona sekrete?

A e keqkuptuam kaq shumë qëndrueshmërinë e qeverisë afgane? A ishin kaq të gabuara njohuritë tona mbi terrenin? Apo ne thjesht menduam se duhej të ndiqnim Shtetet e Bashkuara në atë që do të bënin?”.

Katharina Emschermann, zëvendësdrejtore e Qendrës për Sigurinë Ndërkombëtare në Shkollën Hertie në Berlin, u duk se iu drejtua shumë analistëve evropianë kur tha:“Pjesa më e madhe e debatit sot, ka të bëjë me atë se si do të shkojnë gjërat në të ardhmen”.

Ky“shqetësim” i referohet politikës së jashtme tradicionale të Evropës, e cila ka qenë peng i partneritetit Trans-Atlantik pas Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, vetë Evropa po ndryshon, së bashku me botën përreth saj. Për më tepër, ekonomia kineze është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit.

Që nga viti i kaluar, ishte Pekini, dhe jo Uashingtoni, ai që ishte partneri më i madh tregtar i BE -së. Jo vetëm që ndikimi ekonomik kinez – pra politik dhe ushtarak – është rritur në mënyrë eksponenciale, por pjesa e Evropës në ekonominë globale është tkurrur ndjeshëm, dhe kjo jo vetëm për shkak të Brexit.

Sipas NBC News, që citon kompaninë britanike të kontabilitetit  PwC “në vitin 1960, vendet që formonin BE-së, përbënin 1/3 e ekonomisë globale.  Ndërkohë në vitin 2050, blloku evropian parashikohet të zërë vetëm 9 për qind të ekonomisë globale”.

Ndërgjegjësimi në rritje midis vendeve evropiane, se ato duhet të nisin një ndarje përfundimtare nga SHBA-ja, është i rrënjosur në frikën legjitime, sipas së cilës interesi i BE-së vështirë se është një përparësi kryesore e Amerikës.

Prandaj, shumë vende evropiane po vazhdojnë që t’i rezistojnë ultimatumeve të Uashingtonit në lidhje me Kinën. Ishte po ashtu Macron, ai që ndërsa përpunoi konceptin e ushtrisë evropiane,dhe e hodhi publikisht poshtë axhendën amerikane mbi Kinën.

“Ne nuk mund të pranojmë që të jetojmë në një botë bipolare të përbërë nga SHBA-ja dhe Kina”- deklaroi ai. Pikëpamja dikur “kontroverse” e Macron, është bërë tani mendimi kryesor në Evropë, veçanërisht pasi shumë politikë-bërës evropianë po ndjehen të shpërfillur, në mos edhe të tradhtuar nga SHBA-ja në Afganistan. Nëse do të vazhdojë kjo trajektore mosbesimi, mund të bëhet realitet hapi i parë drejt krijimit të një ushtrie evropiane në të ardhmen e afërt.

Related Posts

Leave a comment