Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KONFLIKTI BRENDA PD-së, DËM I PARIPARUESHËM

berisha-foltore

Është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen ngjarjet, por ndoshta një “armëpushim” duhet të mendohet seriozisht, si mundësia e fundit për të ndalur katastrofën. Përndryshe, le t’u bien borive, dhe beteja finale të fillojë…

Nga Erl KODRA –

Partia Demokratike ka hyrë në një betejë të pamerituar, betejë e cila po i sjellë dëme të pariparueshme, me impakt të jashtëzakonshëm negativ për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Kur them “e pamerituar” kam parasysh faktin se ish lideri historik i Partisë Demokratike mund të kishte shmangur lehtësisht këtë luftë të pakuptimtë, duke e lënë partinë e tij të përqëndrohej në beteja të tjera – ku më kryesorja është çmontimi i regjimit të instaluar përmes shembjes së institucionit të zgjedhjeve.

Sipas përkufizimit ligjor, dëmi i pariparueshëm është lloji i dëmit që nuk mund të zhbëhet, as nuk mund të kompensohet. Duket qartë se dëmi që po i bëhet PD-së është ose i pakthyeshëm, ose shumë afatgjatë.

Në këto rrethana të çmendura vetëm një mrekulli mund ta ndalojë katastrofën. Por mrekullitë nuk ndodhin rëndom, sidomos në mjedisin tonë të mbytur nga toksinat.

Më e dhimbshmja është se Partia Demokratike gjendet para pamundësisë absolute për të nxjerrë një lidership të ri. Asnjë nga ata që sot kryqëzojnë Lulzim Bashën ose janë të papërshtatshëm për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ose janë krejtësisht të paaftë. Në këtë kuptim nuk ekziston varianti “në rastin më të mirë” – sepse të gjitha variantet janë katastrofë e vërtetë.

Para se të mbrijë “foltorja” e rradhës, duhet të ndodhë diçka. Kjo është shpresa e fundit – ose ndryshe mundësia e fundit që të ndalojë vetvrasja përfundimtare e Partisë Demokratike.

Është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen ngjarjet, por ndoshta një “armëpushim” duhet të mendohet seriozisht, si mundësia e fundit për të ndalur katastrofën. Përndryshe, le t’u bien borive, dhe beteja finale të fillojë.

Related Posts

Leave a comment