Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Drejtësia, mision i pamundur?

9d98f7f7-887f-4229-8586-04895eb8bd87

Nga Dashnor KOKONOZI-

Studentët shqiptarë të drejtësisë leksionin e tyre të parë do të duhej ta merrnin duke vizituar një qoshk shtëpie të vjetër tiranse (ajo me shigjetë në hartë). Shpresoj se qëndron ende në këmbë aty ku rruga A. Keta bashkohet me rrugën e Dibrës.
Një monument i vërtetë i pavarësisë së pushtetit gjyqësor!

Konfiguracioni i rrugës shpreh një lloj non sensi urbanistik. Rruga është krejt e ngushtë në hyrje, për shkak të pranisë së shtëpisë në fjalë, pastaj merr gjerësinë normale dhe vazhdon deri te dera e një vile të bukur, që i përkiste Musa Jukës, ministrit të brendshëm të monarkisë shqiptare.
Si banor i asaj rruge, historinë e këtij “absurditeti” urban, pra ngushtësinë e papërligjur në hyrje të rrugës kam patur rast ta mësoj shumë herët nga plaku im.
Diku në mesin e viteve ‘30 rruga në fjalë nuk ekzistonte. Më saktë ekzistonte si pjesë e kopshteve të disa prej familjeve të vjetra e të nderuara tiranase si Këlliçi, Agalliu, Bulku, Merepeza etj. Kur Ministri i brendshëm Musa Juka ndërtoi vilën, atij i doli problemi i lidhjes së saj me rrjetin rrugor. Si zgjidhje mbetej hapja e një kalimi, (ai i shënuar me dy vija të zeza në hartën poshtë).

Në këto kushte ministri nisi të marrë takim me fqinjët, pronaret e bahçeve që shtriheshin para vilës së tij të re. U propozoi atyre nga një napolon flori për çdo metër katror tokë.
U arrit marrëveshje.
Me përjashtim të njërit, pronarit të shtëpisë që ishte në krye (ajo me shigjetë të zezë). Thuhej se ishte një burrë shtatvogël dhe mjaft i ndershëm dhe i sjellshëm.
Kundërshtimi u interpretua si mënyrë për të ngritur çmimin e tokës. Dolën zëra se atij iu propozuan shuma të mëdha me të cilën mund të ngrinte një vilë të re, kudo.
Përsëri nuk pranoi.
Gjithçka tregonte se po përgatitej një lloj beteje midis Goliatit dhe Davidit, por ku ky i fundit këtë herë nuk kishte asnjë shans përballë ministrit të fuqishëm të punëve të Brendëshme të monarkisë.
Asgjë nga këto!
Ministri, si të gjithë qytetarët iu drejtua gjykatës mbretërore ku depozitoi ankesën për hapjen e rrugës. Mundet që edhe të ketë “manovruar” pak duke e paraqitur rrugën si të “dobisë publike”.
E pra, doli që arsyet e ministrit të mbretit nuk ishin arsyet e gjykatës së mbretit!
Vendimi i saj hodhi poshtë kërkesën e ministrit të fuqishëm të Punëve të Brendshme.
Dhe ajo shtëpi ndodhet sot aty ku gjendej edhe nja tetëdhjetë vjet më parë.
Si një monument drejtesie dhe shprese, mbi të gjitha!
Rasti i saj provon se modeli dëshpërues i drejtësisë së sotme nuk është kongjenital. Se nuk ka qenë gjithmonë kështu, se jo gjithmonë ndershmëria u duhej vetëm të varfërve, se të pasurit e të pushtetëshmit nuk kishin nevojë për të!

(Më shumë detaje gjeni te Peizazhet e fjalës)

Related Posts

Leave a comment