Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Sa i kushtoi Mark Zuckerbergut rënia e Facebook, Instagram dhe WhatsApp

auto_850x600_facebook16177239631617917901

Në epokën dixhitale dhe në një sezon në të cilën e gjithë puna, të paktën në kompanitë e teknologjisë, duket se bëhet nga distanca, u desh ndërhyrja fizike e një grupi teknikësh që rivendosën manualisht serverët e qendrës së të dhënave të Santa Claras, për të ristartuar rrjetin e Facebook, duke përfshirë të gjitha platformat e tij të shumta – Whatsapp, Instagram, Messenger, Oculus, shërbimin e postës elektronike të grupit dhe shumë shërbime të tjera dixhitale – që realisht u zhduk për disa orë nga i gjithë planeti.

Fenomeni, me madhësi të paparë, ka pasur pasoja shoqërore, ekonomike dhe madje politike në të gjithë botën. Kompanitë e mësuara, nga India në Brazil, për të marrë porosi dhe për të bërë dërgesa duke komunikuar përmes Facebook, papritmas u ndalën. Bloomberg vlerëson se humbja globale ekonomike ishte 160 milionë dollarë për çdo orë ndërprerje të lidhjes dixhitale.  

Dëmi ishte serioz, por edhe lloji i aksidentit. Jo vetëm një pjesë e grupit të themeluar nga Mark Zuckerberg doli jashtë linje: në 8.40 të mëngjesit në Kaliforni, 5.40 pasdite në Itali, i gjithë sistemi i Facebook u zhduk. Lidhja me emailet dhe me faqen në Facebook.com gjithashtu u zhduk.

Pasojat kanë qenë nga më të ndryshmet dhe shkojnë përtej atyre të një natyre komerciale: shumë përdorues me pajisje smart, të aktivizuara përmes lidhjeve në Facebook papritmas e gjetën veten të paaftë për të hapur derën e tyre të përparme, për të ndezur televizorin, për të aktivizuar një termostat, për të bërë një blerje online. Aspekti më komik është se për disa orë as stafi i Facebook nuk ishte në gjendje të hynte në zyrat e veta, sepse “gropa e zezë” që goditi grupin bëri që mekanizmat e sigurisë të zhdukeshin, së bashku me të gjithë arkitekturën e sistemit të brendshëm, përfshirë ato për njohjen e identitetit të punonjësve.

Sabotim?  

Në fillim u duk si një hipotezë e mundshme për një ngjarje kaq katastrofike ose shpërthyese, disa orë pas deklaratave të një ish-punonjëseje, shkencëtares së kompjuterave Frances Haugen, e cila denoncoi një seri zgjedhjesh të dënueshme të kompanisë në një transmetim televiziv shumë të njohur në CBS. Këtë mëngjes, akuzuesja e Facebook do të dëgjohet nga Kongresi në Uashington, i cili e thirri për një seancë dëgjimore.  

Hipoteza e një sulmi hacker-ash, megjithatë, u eleminua pothuajse menjëherë: teknikët shpjeguan se bastisjet e këtij lloji synojnë pika specifike të sistemit, jo të gjithë arkitekturën e tij, ndërsa, me faqen e Facebook të paralizuar, dy teknikë të sigurisë shkëmbyen mesazhe në Reddit (pastaj u fshinë menjëherë, gjë që u jep atyre një vlerë edhe më të madhe) në të cilat flisnin për një problem të rrjetit të shkaktuar nga një gabim në konfigurimin e një përbërësi thelbësor të sistemit, BGP (Border Gateway Protocol).

Ngadalë, ndërsa kompania pranoi se kishte një problem që po përpiqej të zgjidhte dhe u kërkoi falje përdoruesve për shqetësimin, konturet e një incidenti aq të parëndësishëm sa katastrofik filluan të shfaqen, rezultat i problemeve logjistike dhe organizative. Probleme të rënduara nga dy faktorë: frika nga sabotimi që tani i shtyn të gjitha kompanitë teknologjike t’i japin vetes procedura të fshehta sistemi, që u besohen shumë pak njerëzve shumë të besuar dhe të përgatitur. Dhe pastaj Covid i cili ka bërë që pothuajse të gjithë teknikët të punojnë nga distanca nga shtëpia.

Kur u bë e qartë se, me sistemet krejtësisht të paralizuara, ishte e nevojshme të ndërhyhej manualisht në servera, u kuptua se ata që ishin në gjendje ta bënin ishin fizikisht larg, ndërsa ata që ishin tashmë në kompani nuk kishin aftësitë e nevojshme.  

Edhe për këtë arsye u deshën më shumë se 6 orë para se të mund të fillonin përsëri punën, në një mënyrë shumë graduale, platformat e grupit. Që në vitin 2019 Facebook kishte përjetuar një krizë që zgjati gati 24 orë për shkak të një gabimi në konfigurimin e serverit. Por atëherë vetëm një pjesë e sistemit u prek ndërsa këtë herë Facebook duhej të përballej me një stuhi të vërtetë. Një krizë që shkaktoi një rënie të aksioneve të Facebook në bursë, duke e bërë Zuckerbergun të humbasë 6 miliardë dollarë në pak orë. / bota.al

Related Posts

Leave a comment