Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kur shkencëtarët dalin kundër shkencës

çmimi NOBEL
Nga Erion DASHO * –
Personalisht, besoj se Nobeli për mjeksinë këtë vit do të kishte qenë i merituar për dikë nga shumë kontribuesit që çuan në prodhimin e vaksinave me bazë ARN. Kjo teknologji pritet të jenë baza e shumë vaksinave të tjera dhe terapive jetëshpëtuese në dekadat që po vijnë.
Faktikisht, Komisioni Nobel vendosi që çmimi të jepej për një kontribut që nuk mund të ishte më pak i lidhur me pandeminë. Me sa duket, konservatizmi i Komisionit të Nobelit mbizotëroi edhe kësaj here.
Në Shqipëri ne kemi “Alfredon tonë të tmerrshëm” anti-Vax. Për koincidencë jo vetëm themeluesi i Çmimit Nobel quhej Alfred, por edhe një prej kundërshtarëve të parë seriozë të vaksinimit 🙂
Alfred Wallace ishte një shkencëtar i shquar britanik (në fushën e përzgjedhjes natyrore dhe ekologjisë) i cili dha argumente pa fund, madje botoi edhe një libër, kundër aplikimit të vaksinës së lisë.
I nisur nga qëndrimi se vaksinimi duhet të mbetet zgjedhje e lirë, ai u shndërrua ngadalë në një anti-Vax të betuar me këto argumente:
》Ulja e incidencës së lisë nuk i dedikohej vaksinës, por faktorëve të tjerë.
》Mjekët kishin një interes të fshehtë për të promovuar vaksinimin.
》Vaksinimi prish “balancat” në natyrë dhe dëmton “harmoninë” midis organizmave mikroskopikë.
Për të mbështetur teoritë e veta, Z. Wallace zgjidhte vetëm ato statistika që i jepnin atij të drejtë, duke injoruar pjesën dërrmuese të të dhënave që tregonin efikasitetin e vaksinës. Çuditërisht, të njëjtat argumente me Alfred Wallace japin sot jo pak mbështetës modernë të anti-Vax-it…
Sot, Alfred Wallace ende mbahet mend për kontributin e tij në shkencë, madje cilësohet si babai i lëvizjes ekologjike.
Nga ana tjetër, ajo vaksinë që ai sulmoi, vaksina kundër lisë, u bë simboli i luftës së njeriut kundër sëmundjeve infektive vdekjeprurëse.
Në vitin 1980, OBSH e deklaroi linë të zhdukur (e para dhe vetme sëmundje infektive e zhdukur deri tani).
Vaksinat shpëtojnë jetë dhe hyjnë në produktet mjeksore më të sigurta. Një argument që kurrë nuk është përmendur këto ditë është fakti se edhe aspirina (medikamenti më i përdorur në botë) dhe preparatet e grupit të antiinflamatorëve e kanë vdekshmërinë 20 për 1 milion!!!
Shembulli i Alfred Wallace duhet të shërbejë për të gjithë teoricienët dhe dyshuesit, sidomos për ata që flasin jashtë fushës së vet të kompetencës.
Le të kalojmë pandeminë para se të merremi me teori të kota!
Le të përdorim ato produkte që shkenca e 100 vjetëve të fundit ka treguar se janë të efektshme!
Mbi të gjitha, le t’ua lëmë shkencën e vaksinave, shkencëtarëve të vaksinave!
Të mësojmë nga ngatërresat që shkencëtari i biologjisë dhe ekologjisë krijoi kur u përpoq të sajohej ekspert edhe aty ku nuk kishte ekspertizë…
*  Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

Related Posts

Leave a comment