Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PËRGJEGJËSIT E VDEKJEVE NGA VARIANTI “DELTA”

COVID VDEKJET
Nga Erion DASHO * –
Askush nuk mund të vendosë në dyshim qëndrimin tim kritik ndaj krimeve që ndodhën në Shqipëri gjatë pandemisë së COVID-it. Kam qenë i pari që kam kërkuar deri përgjegjësi penale për ministren Manastirliu, për antarët e komitetit qesharak të të ashtuquajturve “ekspertë”, madje edhe për kryeministrin (të cilin gjatë pandemisë e kam quajtur me nofkën e merituar “Borat”).
Por gjatë valës së deltës, përgjegjësia duhet ndarë!
Qeveria, ministria dhe komiteti nuk mund të shfajësohen kurrsesi. Ata vranë besimin e publikut duke marrë masa si karantina e tejzgjatur, ora policore, tolerimi i çmimeve spekulative të testimit dhe trajtimit, çrregullimi i sistemit të referimit, blerja e vaksinave të pasigurta, përdorimi i fushatës së vaksinimit në funksion të zgjedhjeve, etj.
Por, vdekjet nga delta nisën në muajin gusht. Në këtë kohë publiku kishte mundësinë e zgjedhjes së vaksinave cilësore si Pfizer dhe Astra Zeneca. Vaksina e pasigurt kineze nuk ishte më varianti i vetëm i disponueshëm për qytetarin shqiptar. Pikërisht në këtë moment të artë, kur nevojitej të hidhej hapi i madh drejt vaksinimit universal, hynë në lojë ngatërrestarët!
Konspiracionistët, no-Vax-ët, anti-Vax-ët, ose edhe persona që flisnin në emër të “lirisë”, u ndërsyen në një fushatë të ethshme kundër vaksinimit dhe kundër vaksinave. Video të manipuluara, deklarata të nxjerra nga konteksti, statuse pa fund, etj. bombarduan qytetarët e pavendosur duke i nxitur ata drejt një vendim-marrje të dëmshme për shëndetin dhe jetën e tyre.
Mediat online dhe ato mainstream u bënë zëdhënës të kësaj armate mashtruese dhe keqdashëse duke ndikuar që zëri i tyre të amplifikohej duke arritur audienca që, në kushte normale, do të kishin qënë të pamundura.
Rezultati?
Zyrtarisht nga mesi i gushtit deri tani kanë ndodhur mbi 270 vdekje nga COVID-i dhe kjo është vetëm shifra e njohur nga ministria. Gjatë vitit të parë të pandemisë koeficienti i mashtrimit ka qenë mbi pesë, çka do të thotë se për çdo vdekje të raportuar pesë të tjera fshiheshin! Sigurisht që gjatë gushtit dhe shtatorit, ky koeficient nuk është kaq i lartë, por sërish numri i të vdekurve ka qënë më i lartë se 270!
Pjesa më e madhe e të vdekurve kanë qënë të pavaksinuar. Duke ju referuar vetëm shifrave zyrtare, nëse 270 të ndjerët do të ishin të vaksinuar dhe duke marrë të mirëqënë shkallën prej 70-80% të mbrojtjes që vaksinat cilësore ofrojnë edhe ndaj variantit delta, rezulton se mbi 200 vdekje do të ishin parandaluar nëse këta persona do të kishin përfituar nga vaksinimi.
Pyetjet që unë bëj sot janë:
Kush do të mbajë përgjegjësi për këto 200 vdekje?!
Konspiracionistë, anti-Vax-ë, no-Vax-ë dhe “dashnorë të lirisë”!
A ju vret ndopak ndërgjegja kur dëgjoni në media raportet e vdekjeve?!
Nëse doni t’i bëni një shërbim bashkëqytetarëve tuaj, pushoni sot agresionin kundër vaksinave dhe lini mjekët dhe specialistët e shëndetit publik të bëjnë punën e tyre!
Boll dëme bëtë këto muaj me marrëzinë tuaj!

  *  Autori është mjek ekspert në shëndetin public, aktualisht shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

Related Posts

Leave a comment