Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Koha që Shqipëria ta kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut

AC1602844400

Nga Akri ÇIPA-

Ndërsa rrugëtimi i Shqipërisë në procesin e integrimit ka mbetur në vend për hir të vetos që ka vënë Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, Tirana zyrtare ka ndërmarrë një fushatë kritikash ndaj Bullgarisë. Ligjërimi i qeverisë shqiptare – dhe veçanërisht i kryeministrit Rama – jo vetëm që nuk ka gjasa të japë rezultate konkrete, por në substancë nuk është në interes të vendit. Nëse realisht kërkohet një politikë proaktive, atëherë Tirana duhet ta paraqesë zyrtarisht kërkesën dhe të këmbëngulë për ndarjen e saj nga Shkupi.

Takimi i radhës i Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit që ende nuk janë pjesë e unionit ishte gati i papërfillshëm për zgjerimin, çështjen më nevralgjike për rajonin. Ndërkohë që në Brdo të Sllovenisë u rikonfirmua mbështetja për rimëkëmbjen ekonomike dhe për paketën afatmesme të investimeve nga BE, integrimi evropian i vendeve të Ballkanit mbeti një thëngjill që nuk duhej prekur.

Përpara këtij fakti, kryeministri Rama mbajti një fjalim me doza të theksuara pesimizmi, duke nënvijëzuar dhe një qëndrim kritik, gati qesëndisës, për vendimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përfshihet në konfliktin bilateral ndërmjet këtyre dy vendeve. Më herët ai ka kritikuar në korrik Sofjen zyrtare nga Athina, si dhe në fillim të shtatorit teksa merrte pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Përdorimi i vetos ose presionit të vetos së një vendi anëtar kundrejt një vendi aspirant për t’u bërë pjesë e BE-së është padyshim një veprim tejet i dëmshëm për procesin e integrimit. Ngritja e çështjeve bilaterale në nivel evropian është parimisht e gabuar, krijon skepticizëm për procesin e integrimit, sikurse dhe vë në dyshim vetë besueshmërinë e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, nuk është detyrë e Tiranës zyrtare të trajtojë si kazuse çështjet ende të pazgjidhura ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në radhë të parë, sepse Shqipëria nuk ka arsye të shpenzojë kredite diplomatike dhe t’i cenojë marrëdhëniet me Bullgarinë për hir të Maqedonisë së Veriut. Parlamenti shqiptar njohu pa bëzajtur prezencën e “minoritetit bullgar” në vend, pas presionit të Sofjes. Nëse ligjvënësit tanë nuk patën guxim t’i thoshin jo Sofjes atëherë, kur bëhej fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë për interesat e vendit tonë, nuk ka asnjë sens kundërvënia e tanishme për hir të problematikave që Sofja ka me Shkupin.

Përtej kësaj, binjakëzimi i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut është një anormalitet që nuk ka më asnjë sens. Kjo për vetë faktin se rrugëtimi i tyre përgjatë negociatave mund të jetë plotësisht i ndryshëm. Ajo do të varet nga kapacitetet e ndryshme negociuese të të dy vendeve dhe të aftësisë për të vazhduar me reformat e dakordësuara me BE-në. Kjo do të thotë se në parim një ndarje ndërmjet tyre është e natyrshme, për të mos thënë e pashmangshme, në hallkat vijuese të procesit.

Le të vijmë te thelbi i shqetësimit se pse Shqipëria nuk po ngre si kërkesë zyrtare ndarjen e saj nga Shkupi në rrugëtimin evropian. Kjo do t’i hapte rrugë konfirmimit të kornizës negociuese që është përgatitur dhe propozuar nga Komisioni Evropian, si dhe mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendet e BE-së.

Vendimi për ta ritheksuar vazhdimësinë e këtij binjakëzimi, sikurse bëri kryeministri Rama në qershor të këtij viti gjatë vizitës së tij në Sofje, bie ndesh me interesin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë. Mbi të gjitha nëse është realisht e vërtetë se, sikurse pranohet zyrtarisht, e vetmja pengesë për çeljen e negociatave të Shqipërisë mbetet vetoja bullgare ndaj fqinjit tonë.

Përpara këtij fakti, kryeministri Rama dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të kenë guximin ta propozojnë zyrtarisht ndarjen. Pas të gjithave, kjo nuk do të ishte hera e parë që hidhet në tryezë ky propozim, duke qenë se pak muaj më parë ishte vetë komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi, që e hodhi dhe e mbështeste si ide.

Marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut nuk janë argument kundër këtij propozimi. Me këtë kërkesë Shqipëria nuk do t’i cenonte aspak marrëdhëniet me vendin fqinj, për vetë faktin se bëhet fjalë për një pengesë që tejkalon kapacitetin e Shqipërisë.

Padyshim që një përpjekje e tillë e Shqipërisë për të ngritur idenë e ndarjes me Maqedoninë e Veriut do të haste në kundërshtime. Në fakt, shumë vendimmarrës dhe komentues janë shprehur në parim kundër edhe gjatë muajve të fundit. Gjithsesi kredibiliteti i tyre është i ulët, për vetë faktin se këta janë po ata të cilët në vitin 2019 ishin të gatshëm të pranonin ndarjen e Shkupit nga Tirana, kur kjo e fundit u bllokua nga Franca dhe disa vende të tjera anëtare.

Nëse Shqipëria do të kishte sukses në bindjen e shteteve anëtare për ta ndarë atë nga Shkupi dhe në nisjen e negociatave, kjo do të mbetej për t’u parë. Megjithatë, në rastin më të mirë, do t’ia dilte të bënte një hap më përpara në procesin tashmë të tejzgjatur të integrimit. Në rastin më të keq, do të tregonte që vetoja reale nuk është në Sofje. Edhe në këtë rast, e vërteta do të ishte çliruese.

Related Posts

Leave a comment